Basha: Zgjedhjet do i fitojmë. Ringritja ekonomike, fokusi ynë

92

Menjëherë pas mbledhjes së Kryesisë, Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka folur për mediat, duke thënë se opozita e bashkuar do të fokusohet tek ringritja ekonomike. Kreu i selisë blu, tha se opozita e bashkuar dhe PD do paraqesin platformën ekonomike kudo në vend. Basha u shpreh se opozita do t’i fitojë këto zgjedhje dhe do iu kthejë ekonominë shqiptarëve, pasi kjo qeveri ka zhvatur Shqipërinë.

“Sfida më e madhe e çdo familje, sfida e madhe e çdo shqiptari sot është kriza ekonomike. Dhe kjo sfidë nuk mund të zgjidhet nga ata që e shkaktuan këtë krizë të thellë ekonomike duke e varfëruar, zhvatur dhe taksuar Shqipërinë në këto 7 vite. Ndaj e gjithë vëmendja jonë, i gjithë fokusi ynë, i gjithë përqendrimi ynë tani është tek e ardhmja. Është te një ekonomi e fortë dhe një Shqipëri e fortë. Ndaj, Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar janë të vendosur të paraqesin platformën ekonomike, ta konsultojmë atë kudo nëpër Shqipëri. Ne do t’i fitojmë zgjedhjet së bashku me shqiptarët, do t’i kthejmë qeverisjen vendit dhe do të kemi në fokusin tonë ringritjen ekonomike dhe ndërtimin e një ekonomie të fortë për shqiptarët që të prodhojë mirëqenie dhe vende pune. Ky do të jetë përqendrimi i të gjithë energjive tona, ne nuk do të humbasim asnjë sekondë me gropat dhe kurthet e një qeverie të dështuar në largim, por do të përqendrojmë të gjithë energjinë tonë, të Partisë Demokratike, të aleatëve tanë, të Opozitës së Bashkuar, tek fitorja e zgjedhjeve të ardhshme dhe zgjidhja e krizës së rëndë ekonomike duke ofruar planin tonë, masat tona shqiptarëve dhe duke ndërtuar bashkë me shqiptarët rrugën e daljes nga kjo krizë, për t’ua kthyer ekonominë dhe Shqipërinë, shqiptarëve”.

Në mbledhjen e Kryesisë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, propozoi nisjen e procesit të përzgjedhjes, konsultimit dhe seleksionimit te kandidaturave për zgjedhjet parlamentare dhe vendore. Vendimi i Bashës është një risi, pasi për herë të parë kandidatët për deputetë dhe kryetarë bashkie do të kenë votën e anëtarësisë së Partisë Demokratike. Përfshirja e anëtarësisë në përzgjedhjen e kandidatëve politikë të PD është një detyrim që u përfshi në statutin e PD me kërkesë të kreut të opozitës. PD është e vetmja parti që po zbaton parimin “një anëtar, një votë” për përzgjedhjen e kandidatëve për deputet. Ky proces pritet të nisë nga 20 qershori deri në 15 shtator.