Basha: Të gjithë treguesit në rënie, qeveria ka rritur vetëm arrogancën

302

Kryetari i Partisë Demokratike analizon përkeqësimin e treguesve të ekonomisë në vend, dhe i kërkon qeverisë të nisë menjëherë dialogun me grevat e urisë të shkaktuara nga shkelja e ligjit dhe arroganca e Edi Ramës

 Të nderuar deputetë

 Në prak të vendimit të shumëpritur të Bashkimit Europian për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, Edi Rama i rrëzuar moralisht nga e vërteta tronditëse e narkotrafikut me symbyllje, syshkelje dhe përfshirje qeveritare, po demonstron me goditje të përqëndruar konceptet e tij staliniste për drejtësinë, për ligjin, për kundërshtimin, për protestat dhe për grevat e qytetarëve të lirë.

Po demonstron se e di drejtësinë hakmarrje politike dhe ndëshkim politik për armikun, domethënë për opozitën. Në vend të reformave të rekomanduara nga Bashkimi Europian për të cilat ka nevojë  drejtësia shqiptare për të forcuar pavarësinë, profesionalizmin dhe integritetin e saj, Edi Rama vazhdon t’u përqaset institucioneve të drejtësisë me direktiva politike, me kërkesa dhe urdhëra politikë, me presione politike dhe me shkopinj nën rrota për të intimiduar e penguar sa të jetë e mundur punën normale të Prokurorisë dhe organeve të tjera të drejtësisë.

Të gjitha këto të shoqëruara me retorikë populiste të stampës  së vjetër, me propagandë të shplarë të stilit të vjetër, pa asnjë lidhje me konceptet  moderne për drejtësinë në shtetin e të drejtës, në shoqërinë e hapur.

Nga ana tjetër, mbarë shqiptarët po vërejnë këto ditë profanimin më të pashembullt që Rama dhe  kupola e tij po i bëjnë ligjit për hetimin parlamentar, këtij instrumenti që demokracitë moderne dhe Kushtetuta e Shqipërisë i ka dhënë në menyrë të pakushtëzuar opozitës për të ushtruar misionin e kontrollit te qeverisë dhe për të bërë trasparencë aty ku nuk ka transparencë.

Kryeministri dhe qeveria e tij vazhdojnë të injorojnë nderkohë dy grevat e urisë, gjithnjë e më kritike në zgjatjen e tyre, që po zhvillohen në Tiranë nga përfaqësues të shoqatës së të larguarve nga puna në  mënyrë të paligjshme dhe nga ish të përndjekurit politikë. Me një papërgjegjshmëri dhe cinizëm të pashpirt, kryeministri dhe ministrat e kabinetit të tij kanë krijuar e vazhdojnë  të krijojnë  lloj-lloj alibish për të mos u marrë me problematikën e madhe dhe problemet e shumta, sa individuale aq edhe shoqërore, ligjore dhe njerëzore të grevës së të larguarve nga puna.

Me të njëjtin cinizëm të pashpirt vazhdojnë t’i bëjnë bisht përballjes me premtimet e tyre elektorale për dëmshpërblimin e ish të përdjekurve politikë dhe provokimin e tyre në valëvitjen e simbolit të diktatorit, duke shkaktuar grevën e tyre me zotimin për ti shkuar kësaj çështje deri në fund.

Arroganca, paligjshmëria dhe arbitariteti i  kësaj qeverie në lidhje me raprezaljen  në administratë ka bërë atë që nuk ka ndodhur kurrë më parë, ka çuar njerëz në vetvrasje, ka çuar njerëz dhe në grevë vetflijuese urie, duke rritur në shkallën më të lartë zëmerimin dhe indinjatën e mijëra e mijëra burrave dhe grave që janë hequr nga puna përdhunisht, në shkelje të ligjit dhe dinjitetit të personit, kryesisht për t’i berë vend klientelës dhe individëve që kanë paguar nën dorë duke e shndërruar punësimin në pazar të fëlliqur dhe tender ryshfetesh për  xhepat e zyrtarëve  të rinj të së kësaj  shumice.

I bëj thirrje sërish qeverisë të vendosë menjëherë dialogun me të dyja grevat, të shqyrtojë pa vonesë dhe me realizëm natyrën e kërkesave të punonjësve të larguar nga puna dhe të reflektojë konform ligjit  ndaj tyre, të përballet me  të përndjekurit politikë, të shpjegohet  me ta për premtimet e dhëna me zë dhe figure, dhe të shpjegohet për mosmbajtjen e tyre.

Nga ana tjetër urojmë që shpërthimi me goditje të përqëndruar i koncepteve staliniste të kryeministrit të mos ndikojë në marrjen e statusit të vendit kandidat, të cilin Shqipëria dhe shqiptarët e meritojnë dhe duhet  t’u jepet si një arritje e tyre piksëpari.

Ekonomia rikthehet në fokusin e takimeve tona sërish me lajme të këqija. Kursi i përkeqësimit të gjithanshëm të treguesve të saj ka vijuar të thellohet gjatë muajit prill. Shifrat zyrtare të muajit të kaluar pavarësisht tendencencës së njohur të qeverisjes propagandistike për t’i zbukuruar, pohojnë qartë dështimet e saj të përditshme dhe të njëpasnjëshme të qeverisë Rama-Meta në këtë fushë.

Tatim Fitimi për periudhën janar-prill 2014 rezulton të jetë 7.950 milionë lekë, ose 550 milionë lekë më pak sesa parashikimi i qeverisë  prej 8.5 miliardë. Gjatë kësaj periudhe, siç dihet, ka hyrë në fuqi rritja 50 përqind  e normës së tatim fitimit, që u kundërshtua  nga biznesi dhe opozita, por si përfundim u vulos me kartonat e shumicës Rama-Meta. Në bazë të normës së re të ardhurat nga tatim fitimi duhej të ishin rritur minimalisht në masën 50 përqind, në fakt janë rritur 23 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kur ishte në fuqi  taksa e sheshtë. Çka ndodhur? Ku është 27 përqindëshi? Evazion dhe korrupsion qeveritar, rënie dhe tkurrje ekonomike – ky është shpjegimi. E gjithë kjo e shoqëruar me më pak vende pune, më pak punësim, me pak të ardhura për individët dhe familjet, më shumë vështirësi, varfëri dhe mjerim për qindra mijëra familje që ushqehen nga sektori privat.

Akcizat për 4-mujorin e parë 2014 rezultojnë mbi 2.2 miliardë lekë më pak sesa plani i shpallur nga vetë qeveria (19.6% më pak) dhe njëkohësisht pothuajse 1.3 miliardë lekë më pak sesa fakti i periudhës janar-mars 2013. Me akciza shumë më të larta këtë vit që janë shtrirë për karburantet, cigaret, e shumë mallra të tjerë konsumi, kjo qeveri po arkëton më pak të ardhura për buxhetin e shtetit dhe ky është dështimi tjetër evident i qeverisjes propagandistike. Gjatë katër mujorit të parë të këtij, po të marrim vetëm një zë, janë importuar 682 tonë cigare sipas të dhënave të tyre, nga 902 ton të importuara në të njëtën periudhë të vitit të kaluar. E  gjithë kjo përkthehet në miliona euro të munguara në buxhetin e shtetit.

Edi Rama  duhet tu shpjegojë shqiptarëve dhe opozitës ku kanë shkuar milionat e  cigareve të pazhdoganuara për periudhën janar-prill? Duke kërkuar me forcë transperencë për gropën e madhe të cigareve dhe mallrave të tjera të akzicës, ne si opozitë denocojmë rikthimin e fuqishëm pas shumë vitesh të kontrabandës së cigareve dhe mallrave të akzicës në  sistemin doganor të vendit.

Rrit akcizat e karburanteve dhe cigareve nga një anë, mblidh më pak të ardhura për buxhetin e shtetit  në anën tjetër. Është shumë e qartë se vjedhja dhe kontrabanda janë ulur këmbëkryq sa kohë që nuk ka asnjë të dhënë se shqiptarët kanë ulur konsumin e këtyre mallrave në këto përmasa.

Qeveria deklaron se të ardhurat tatimore për periudhën janar-prill 2014 rezultojnë pothuajse 2 miliardë lekë më shumë sesa plani. Por nëse qeveria do të bënte një shpërndarje të drejtë dhe transparente të planit të të ardhurave, ku për 4-muaj të parashikonte që do të mblidhte 1/3 e të ardhurave vjetore të planifikuara, atëhere qeveria do të rezultonte me një mosrealizim për periudhën e 4-mujorit të parë 2014, prej 8 miliardë lekë.

Qeveria ka planifikuar një rritje vjetore prej 18,4 përqind nga të  ardhurat nga tatimet dhe doganat. Për periudhën janar-prill 2014  shifrat tregojnë se  ecuria është me një ritëm më të ulët prej mbi 32 % krahasuar me këtë planifikim të vetë qeverisë.

Tatimi mbi të ardhurat personale për periudhën janar-prill rezulton me një mos-realizim prej 284 milionë lekë apo në një rrafsh tjetër krahasimor rezulton të jetë 949 milionë lekë më pak sesa fakti i të njëjtes periudhë të vitit paraardhës

Duke ndërhyrë dhe ndikuar direkt negativisht në buxhetet dhe performancën fiskale të Njësive të Qeverisjes Vendore, qeveria i hoqi çdo bashkie dhe komune të drejten e agjentit tatimor për mbledhjen e “taksës për biznesin e vogël”, duke ja tranferuar këtë të drejtë administratës qendrore tatimore. Të dhënat zyrtare flasin vetë: vetëm për periudhën janar-prill qeveria ka mbledhur 379 milionë lekë, ose plot 111 milionë lekë më pak sesa plani. Ndërkohë nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës (ku mbledhja e kësaj takse ishte kompetencë e vetë bashkive dhe komunave) atehëre shohim se qeveria ka mbledhur 673 milionë lekë më pak, ose e thënë ndryshe, pothuajse 3 herë më pak. Nga njëra anë dyshja Rama-Meta vazhdon e vetme në rrugën e saj të pseudoreformës administrative duke thënë që kjo do të rrisë performancës e Njësive të Qeverisjes Vendore, dhe nga ana tjetër dëshmon me shifra dhe fakte dështimin e saj të plotë duke mbledhur disa herë më pak të ardhura, duke ndikuar drejtpërsëdrejti negativisht në buxhetet e Njësive të Qeverisjes Vendore, pasi me të ardhura më pakta kanë investime dhe shërbime më të pakta për qytetarët.

Kompensimi i pronarëve vazhdojnë muaj pas muaji të jenë në nivele minimale historike. Gjatë katër muajve të parë të vitit 2014 qeveria ka mbledhur vetëm 36 milionë lekë, ndërkohë që parashikonte të mblidhte plot 10 herë më shumë. Nga ana tjetër, nëse e krahasojmë performancën e qeverisë së  këtyre 4 muajve të parë të vitit 2014 me performancën për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shohim se fakti i periudhës janar-prill 2013 prej 625 milionë lekë është mbi 17 herë më i lartë sesa fakti i periudhës janar-prill 2014. 17 herë më keq.

Shpenzimet totale për periudhën janar-prill 2014 rezultojnë mbi 15 miliardë lekë më pak sesa plani i qeverisë për këtë periudhë.

Gjatë periudhës janar-prill 2014, qeveria parashikonte të paguante 300 milionë lekë për ish të përndjekurit poltikë, por realisht ka paguar vetëm 15 milionë lekë, plot 20 herë më pak. Nga ana tjetër, nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, ku gjatë periudhës janar-prill 2013 qeverisja demokratike ka paguar plot 1.446 milionë lekë, kjo tregon qartë se qeverisja e mëparshme ka paguar mbi 96 herë më shumë sesa qeverisja  e Rilindjes dhe këtu duhet t’i kërkojë Rama arsyet e zemërimit të kësaj shtrese, të grevës së urisë, pikërisht tek premtimet e tij të braktisura e të pambajtura, te demagogjia e tij dhe tek fyerja që u bën.

Ndonëse qeveria parashikonte që gjatë periudhës janar-prill 2014 të shpenzonte 200 milionë lekë për zërin “kompensim për shtresat në nevojë” , më të paprivilegjuarit mes nesh, ku fondi vjetor i përcaktuar prej 1.1 miliardë lekësh,  akoma nuk ka paguar asnjë qindarkë  gjatë kesaj periudhe per këtë  zë.

Nga njëra tjetër, qeveria tha se qeveria paraardhëse ka lënë pa-paguar mbi 30 milionë dollarë detyrime për pagesat e papunësisë.  Por në këtë periudhë kjo qeveria ka mbajtur të njëjtën nivel pagese, ku vetëm në muajin prill 2014 ka dështuar duke paguar 851 milionë më pak sesa qeverisja jonë.

Qeveria deklaron se ka filluar të kryejë pagesat e “detyrimeve të prapambetura në infrastrukturë”, por në fakt rezulton se janë paguar vetëm 1.6 miliardë lekë nga 4 miliardë të planifikuara.

Investimet Publike me financim të brendshëm për periudhën janar-prill 2014 rezultojnë mbi 2.4 miliardë lekë (24 milionë dollarë) më pak sesa plani i qeverisë për këtë 4-mujor, ndërkohë që rezultojnë pothuajse 13 miliardë lekë (rreth 130 milionë dollarë) më pak sesa fakti i periudhës janar-prill 2013.

Investimet publike totale (me financim të brendshëm e të huaj) për periudhën janar-prill 2014 rezultojnë rreth 31 milionë dollarë më pak sesa plani i qeverisë për këtë periudhë dhe mbi 15 miliardë lekë (150 milionë dollarë) me pak sesa fakti i periudhës janar-prill 2013. Nëse kësaj vlere i shtojmë edhe vlerën më pak të paguar nga qeveria aktuale  gjatë periudhës tetor-dhjetor 2013, atëhere për periudhën tetor 2013- prill 2014 qeveria socialiste ka paguar rreth 230 milionë dollarë më pak investime krahasuar me të njëjten periudhë të vitit paraardhës.

Vazhdon të mbetet i bllokuar procesi i privatizimeve. Gjatë 4-mujorit të parë 2014 arketimet nga procesi i privatizimeve rezultojnë të jenë vetëm 2 milionë lekë, krahasuar me 229 milionë lekë, të së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, pra 115 herë më pak.

Për ta mbyllur këtë kaskade faktesh të pashpresa, kreditimi total për ekonominë në muajin prill është 2,2 përqind më i i ulët se e njëjta periudhë e vitit të kaluar,  ku spikat kreditimi për biznesin  3,2 përqind më i ulët.

Kjo është tabloja e zymtë e përkeqësimit, e rënies, e mekjes  së pandalshme të ekonomisë në qeverisjen Rama-Meta. Kjo do të  vazhdojë të mbetet në qendër të vëmëndjes dhe opozitarizmit tonë të mbështetur në shifra, fakte të pakundërshtueshme dhe argumente bindese që do të vazhdojmë t’i bëjmë transparente para qytetarëve.

Po tashmë, e ashtuquajtura “Rilindje” është demaskuar si një tallje me gjithë shqiptarët, tallje që vazhdon për ditë në formën e demagogjisë së përditshme të kryeministrit të paaftë e të papërgjegjshëm, tallje që nuk përtypet më nga askush, që po i kthehet dhe do të vazhdojë ti kthehet mbrapsht në formën e refuzimit dhe kundërshtimit të vendosur nga  gjithë shqiptarët e lirë që refuzojnë të mashtrohen me gënjeshtra e të ngopen me lugën bosh të rilindjes së vetdemaskuar si rrena më e madhe në historinë e Shqipërisë demokratike.