Sigal

Në ditën e 17-të, studentët mbyllin protestën për këtë vit: Kthehemi në rrugë, në 7 janar 2019, nëse qeveria nuk plotëson 8 kërkesat tona

Mazhoranca  e rrëzon projektligjin  e Vetingut në parlament, dështon edhe reforma zgjedhore

Jakup B. GJOÇA

Dje ishte dita e 17-të, që studentët protestojnë në rrugë kundër tarifave të larta, mungesës së kushteve të jetesës në konvikte, mangësive të mësimdhënies, korrupsionit në universitetet publike. Qeveria dhe kryeministri Rama, edhe pse ditën e parë të protestës, e shpërfillën, madje edhe i quajtën kërkesat e studentëve, si pretendime të ngelësve, më vonë, përballë vendosmërisë të studentëve, u detyruan të pohojnë se do të plotësojnë të 8 kërkesat, por me kushtin që të ulen në tryezë dhe të dialogojnë dhe të nënshkruajnë edhe Paktin e marrëveshjes. Madje, kryeministri Rama u mundua edhe të organizojë edhe takim me studentët, të cilët e kanë mohuar kategorikisht. Edhe ën ato universitete, ku kryeministri Rama arriti të mbledhë në auditore disa studentë, u ballafaqua me kritika të ashpra, madje, studentët e bojkotuan, duke i thënë, se nuk e besojnë më…

Protesta rifillon në 7 janar 2019

Studentët dje lajmëruan, se do të rinisin protestat e tyre në 7 janar 2019 dhe shpjeguan se shkaku kryesor i ndalimit të përkohshëm të protestës është largimi i shumicës së studentëve pranë familjeve me rastin e festave porse kjo sipas tyre nuk e dobëson aspak kauzën studentore për aq kohë sa vijon bojkoti në të gjitha universitetet publike në vend. Por ndërsa vendimi për shtyrë protestat pas vitit të ri është përqafuar nga shumica e studentëve pjesëmarrës, në radhët e protestuesve ka pasur edhe elementë që deklaruan se do të vijojnë protestën pa shkëputje edhe në natën e vitit të ri.

Protesta e studentëve zhvendoset në replikat e deputetëve në Parlament, në debatin për ligjin e buxhetit

Parlamenti, me ngutje të madhe, ka përshpejtuar të gjitha procedurat, që ligji i buxhetit 2019, i rikthyer nga Presidenti Meta pardje në mëngjes, të rishqyrtohej të enjten në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, për t’u rrëzuar, ndërsa dje u rikthye sërish për votim ën seancën e fundit për 2018-n.

DENONCIMI/ Studenti: Policia shoqëroi 4 protestues, 2 janë dhunuar

Një student denoncoi dje se mbrëmjen e pardjeshme 4 studentë janë marrë nga policia, dy prej të cilëve janë dhunuar.

Ministri Majko i bën apel të fortë kryeministrit: Studentët janë shpëtimi ynë

Ministri për Diasporën, Pandeli Majko, nga foltorja e parlamentit bëri një apel të fortë për të reflektuar rreth lëvizjes së sotme studentore. “Lëvizja studentore është një paralajmërim serioz për politikën që filloi me lëvizjen studentore, është rritur numri i njerëzve që nuk dinë t’i shpjegojnë dallimet mes nesh. Nëse dikush do të ndërrojë elitën, revolta e studentëve janë sinjali se si sillemi me njërin tjetrin rrezikon të shënojë fundin e një periudhe politike. Unë për asgjënë nuk votoj, ejani të merremi me studentët dhe kërkesat e tyre, nuk janë kundërshtarët tanë, janë shpëtimi ynë, – tha ndër të tjera ministri Majko, duke vënë në shënjestër të kritikës vetë qeverinë e tij dhe kryeministrin Rama

Rrëzohet Vettingu në politikë, reforma zgjedhore nuk votohet

Parlamenti ka rrëzuar dje draftin e Partisë Demokratike për vettingun në politikë. Pavarësisht kthimit të opozitës në Kuvend, pas një bojkoti prej 6 muajsh, maxhoranca votoi me 74 vota kundër këtij projektligji. Ndërkohë pro ishin 52 vota. Ndërsa reforma zgjedhore nuk u pranua të votohej, pas refuzimit të Opozitës për ta votuar. Mosvotimi i reformës zgjedhore, dështimi i saj, do të thotë, se zgjedhjet e 30 qershorit 2019 do të bëhen me reformën aktuale, por kjo do të ketë pasoja politike për Shqipërinë në vendimmarrjen e BE-së në qershorin e 2019-s për hapjen e negociatave, e cila ishte një nga kushtet kryesore të BE-së ndaj Shqipërisë.

 

Rama nuk mbahet: Për vezët e glasat e kotecit të Saliut, unë rroj 1 mijë vjet

Kryeministri Rama, përmes një postimi në Twitter shkruan: Për vezët e për glasat e kotecit të Saliut, unë rroj 1 mijë vjet, po më vjen të qaj për shthurjen verbale, që ai dhe kakërdhitë e tij u kanë ngjitur plot të rinjve dhe të ulëras për Shqipërinë, që turpërohet ekraneve të Evropës me pamjet e parlamentit të kthyer në një show pularie…

 

Basha “fton” mazhorancën: Votoni vettingun në politikë, hartojeni vetë ligjin dhe ne do ta miratojmë

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, tha ën parlament se mazhoranca nuk e pranon vettingun në politikë pasi për shumë prej anëtarëve të saj ky do të ishte fundi i karrierës politike. Basha: Këta nuk e duan vettingun për një arsye të thjeshtë, për shumë prej tyre është fundi i karrierës politike, por për Shqipërinë ky është fillimi i çlirimit të parlamentit, qeverisjes, të zgjedhjeve dhe të ekonomisë. Dua t’i bëj këtë apel të fundit që ta kalojnë këtë test moral, ta kalojnë këtë vetting në vetvete që është vota e sotme, këta që janë në të majtë, dhe të bashkohen me ne për të votuar amendamentet kushtetuese duke ju dhënë mundësinë që propozimet për ligjin e vettingut t’i bëjnë vetë e t’i sjellin vetë, ne do ti votojmë, me një kusht që të kenë miratimin e Komisionit të Venecias. Të gjitha, mekanizmin e vettingut, proporcionalitetin dhe çdo masë tjetër do ta pranojmë siç do ta propozoni ju një qoftë se ju votoni sot amendamentin kushtetues, me një kusht propozimet tuaja të kalojnë dhe të marrin miratimin e Komisionit të Venecias. Fjala është për ju.

Monika Kryemadhi replikën me kryeministrin: Mos pi mall se të bën keq për astmën, ta thotë doktoresha këtu!

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi nga foltorja e Kuvendit është shprehur se pengesa kryesore e Vettingut në politikë është kryeministri Edi Rama. Kryemadhit: Një kryeministër që drogohet është peng i spaçatorëve. Mirë dje na kishte ardhur me antiplumb, por ai është peng i madhit çfarë i shesin. Në vetting duhet të shtojmë dhe kartelën shëndetësore. Prej 20 vitesh i fshihet kartela mjekësore. I them mos pi mall se të bën keq për astmën, ia thotë doktoresha këtu. Ai ka problem përballjen me vetveten. Si mund të pranoj Edi Rama vettingun politik, ku e di që është personi i parë, gijotina e parë e SPAK-ut. Një kryeministër që drogohet është peng i spaçatoreve. Prej 20 vitesh është fshehur kartela mjekësore nga ministrja e Shëndetësisë. Nuk e pranon dot këtë gjë se kërkon se gjithë shqiptarët kërkon t’i fusë në këtë vorbull.

 

Berisha në Kuvend: O djem rrëmbeni armët, ja vdekje, ja liri!

Nga foltorja e Kuvendit ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë thirrje maxhorancës që të votojnë amendamentin, “ose miratoni amendamentin ose përndryshe në rrugët e qytetit do ushtojë: O djem rrëmbeni armët, ja vdekje ja liri!”. Berisha: Ne jemi sot në një seancë më të rëndësishme që kemi zhvilluar ndonjëherë në ekzistencën e pluralizmit politik këto 6 vitet e fundit. Sot ne vijmë këtu në një kokë kur për shkak të lidhjet me krimin bajlozët e krimit dhe bandat të kësaj maxhorance. Në krye të tyre kanë krye banditin, kreun e meduzës, të gjitha këto kanë sjellë një situatë dëshpërimi që nuk ka ekzistuar që nga viti 91. Kanë sjellë një rrënim e largim masiv të të rinjve shqiptarë, largim të investitorëve të huaj dhe vrasje shprese në çdo zemër e mendje shqiptare. Ramës mund t’i vesh 100 epitete por njëri është më i vërtetë: shpresëvrasës. Në dy raporte të KE bëhen të pavlere nga Këshilli i ministrave evropiane dhe dyert rrinë të mbyllura. Ky amendament do të ishte një shenjë pozitive për hapjen e dyerve. Rama e filloi karrierën e tij me një vilë të ndërtuar dhe më falni qytetarë se dje ju dhashë informacion të gabuara, sot i kam të sakta, të ndërtuara në katër bunker, në total banon në një sipërfaqe prej 1 mijë metër katrorë. Ju ftoj ta hidhni poshtë këtë studentë. Klikoni në ‘google eardh’ dhe do të gjeni çdo gjë të përshkruar për sarajet e Ramës. Pse ju nuk pranoni amendamentin? Ose miratoni amendamentin ose përndryshe në rrugët e qytetit do ushtojë: O djem rrëmbeni armët, ja vdekje ja liri!

 

Bylykbashi-mazhorancës: Votoni ligjin, para se studentët ta bëjnë vettingun ndryshe

Deputeti i PD-së Oerd Blykbashi, i ka bërë thirrje deputetëve të mazhorancës që të votojnë amendamentet për t’i hapur rrugë vettingut në politikë., Bylykbashi: Keni vetëm një rrugë përpara sesa studentët ta bëjnë vettingun ndryshe me gjithë shqiptarët e tjerë për ju. Pranoni hapni rrugën këtyre amendamenteve sot, ligjit nesër me asistencën e Komisionit të Venecias, dhe ta mbyllim këtë histori një herë e mirë sepse është një turp të cilin, ju nuk do ta shlyen dot për një kohë të gjatë, por të paktën mos të vazhdojmë më tutje. Votoni sot, mos e rrëzoni”, u shpreh Bylykbashi.

Nasip Naço: Mazhoranca përbetohet për Reformën në Drejtësi por s’pranon të votojë për Vetting ndaj vetes

Mazhoranca përbetohet se ka bërë Reformën në Drejtësi, mazhoranca përbetohet se ka bërë Reformën dhe Vettingun në Polici, betohet se me dorë të hekurt po largon gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Kur vjen puna për të votuar për veten e tyre, nuk pranojnë. Unë besoj se mazhoranca sot e ka kuptuar atë çfarë ka votuar për Sistemin e Drejtësisë. Të gjithë të tjerët janë nënshtruar dhe kanë parë, dhe kur këta politikanë që të gjithë dhe qytetarë, kanë parë se kur ulen në atë tavolinë nuk janë më gjyqtarë e prokurorë që gjykojnë të tjerët, por edhe ata gjykohen nga ky komision, për dietat, shpenzimet, udhëtimet, lidhjet miqësore që kanë, pasurinë e tyre dhe e keni parë se si kanë dalë që të gjithë dhe tani e ka kuptuar mazhoranca dhe nuk pranon që ti nënshtrohet një procesi të Vetting-ut. Nuk e voton mazhoranca sepse ishte kryeministri juaj ai i cili deklaronte për gjyqtarët e korruptuar dhe thoshte më mirë djepi bosh se shejtani brenda, por si mendoni ju këta qytetarë, këta studentë, ndërkombëtarë, a kanë të drejtë edhe at që të thonë më mirë ky parlament bosh se sa me shejtanin brenda dhe t’ju japi shansin që në këtë tempull të vijnë jo shejtan, por deputetë të rinj dhe të marrin stafetën në dorë, dhe sigurisht që ju do ta votoni kundra. Por besoj që lëvizja e radhës e Frontit Opozitar është që t’i drejtohet popullit me Referendum. Ti pyesë nëse duan të kenë Vetting për politikanët ose jo.

Dashamir Shehi: Mos kini frikë! Ai që vjen nga llumi, në llum do të shkojë

Ne kemi një situatë të veçantë në Shqipëri dhe që është mahisur dhe ka kaluar përtej kontrollit. Këtu përballë kemi një vend si Italia, i cili nuk shkëlqen as për institucione të pavarura, as për pastërtinë në nivel administrate, është një vend i infektuar nga mafia, por ka 40 vjet që bën luftë me mafien. Herë fiton shteti herë mafia, por bën luftë. Ndërsa këtu te ne mafia është ulur këmbëkryq, prandaj duhet disa masa specifike. Prandaj jemi ngritur këtu me një propozim që 10 vjet më parë apo 10 më vonë do të dukej i pavend. Unë do tu thosha mos kini frikë. Ky justifikimi i vazhdueshëm i kësaj mazhorance që ju keni bërë zullume dhe nuk ju janë dënuar zullumet…ky është justifikim për ju. Po ju them fjalën e një filozofi, asnjë nuk është i pasur sa të blerë të kaluarën e vet. Ai që vjen nga llumi në llum do shkojë dhe nuk e bën të nderuar kjo sallë. Kanë hyrë e kanë dalë shumë këtu, ditën që janë bërë pis kanë dalë nga kjo sallë dhe i keni cepave të Tiranës.

Kuvendi miraton pesë anëtarë të Bordit të Bankës së Shqipërisë

Kuvendi miratoi me votat e pozitës 5 anëtarë të rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Pesë anëtarët e rinj të përzgjedhur janë Ridvan Bode, Artan Hoxha, Suela Popa, Luljeta Minxhozi, Edlira Luçi. Nuk është votuar ende kandidatura e Arben Malajt, i cili do të votohet më vonë. Në total, Këshilli Mbikëqyrës ka nëntë anëtarë, shpjegon Monitor, por vetëm gjashtë prej tyre u kishte mbaruar mandati. Tre anëtarët e tjerë janë Gent Sejko, që është aktualisht dhe guvernator i Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, që është zv/guvernatorja e dytë e Bankës së Shqipërisë dhe Tonin Kola.

Byroja e Kuvendit i tërheq vëmendjen Bashës dhe Berishës

Byrosë së Kuvendit shqyrtoi kërkesën e grupit Parlamentar të PS-së, për përjashtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Kryedemokratit Lulzim Basha, për fjalorin dhe thirrjet në Kuvend. Deputetja socialiste Vasilika Hysi, u shpreh se Byorja ka vendosur që t’i tërheqë vëmendjen edhe Lulzim Bashës edhe Sali Berishës për gjuhën e përdorur në Kuvend. Më tej ajo u bëri thirrje palëve që në sesionin e ri parlamentar t’i jepet fund gjuhës së urrejtjes.