PD-ja çon në Kushtetuese aktin për rritjen e borxhit dhe kompetencat e INUK

489
Sigal

PD-ja dërgon në Gjykatën Kushtetuese dy nisma të tjera të qeverisë aktin normativ për ndryshimet në buxhetin e vitit 2013 dhe vendimin për unifikimin e kompetencave të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Në kërkesë paditë drejtuar gjykatës nga 1/5 e deputetëve thuhet se vendimmarrjet e qeverisë janë në kundërshtim me Kushtetutën.

Për rastin e ndryshimit të ligjit të buxhetit demokratët argumentojnë se qeveria duke rritur borxhin publik në shifrën 68.6% rrezikon interesin publik dhe stabiliteti makroekonomik të vendit, ndaj për këtë arsye kërkojnë që ai të shpallet si i papajtueshëm me Kushtetutën. Opozita nënvizon se ky akt bie në kundërshtim me nenin 4, 11 dhe 101 të Kushtetutës, ky i fundit përcakton se aktet normative nxirren nga Këshilli i Ministrave në raste nevoje dhe urgjence. “Duke vlerësuar këtë aspekt qeveria ka marre pa të drejtë funksionin ligjvënëse të Kuvendit. Kushtetuta nëpërmjet nenit 101 të saj ka lejuar që pushteti ekzekutiv të mund të miratojë akte që kanë të njëjtën fuqi si ligjet vetëm kur rasti shfaqet si i jashtëzakonshëm dhe nevoja dhe urgjenca bëjnë të pamundur ushtrimin e kompetencës ligjvënëse nga Kuvendi. Nga analiza e aktit normative rezulton se, qeveria të mos ketë evidentuar kushtet e nevojës dhe urgjencës për miratimi ne këtij akti”, – thuhet në dokumentin e PD-së. Për sa i përket kërkesë/padisë për kompetencat e INUK, demokratët kërkojnë jo vetëm shpalljen e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën, por dhe pezullimin e vendimit, për faktin se ai sjell pasoja që prekin interesat e qytetarëve duke cenuar të drejtën e tyre të pronësisë. “E drejta që vendimi i Këshillit të Ministrave i njeh INUK, veçanërisht për të prishur ndërtimet me leje ndërtimi apo me leje legalizimi përbën cenim real të së drejtës së pronësisë, pa respektuar standardet për një proces të rregullt ligjor si kusht i domosdoshëm i parashikuar nga neni 42 i Kushtetutës”, – vijon argumentin PD-së. Më tej, demokratët argumentojnë se ky vendim është në papajtueshmëri me disa nene të Kushtetutës, përkatësisht me 6 nene të saj duke cenuar: sigurinë juridike, parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, ndërhyrjen në kompetencat e pushtetit vendor, cenimin e të drejtës për ankim gjithashtu është në kundërshtim me kartën europiane të autonomisë vendore.