Basha: Qeveria, fajtore për pasojat e rënda të korrupsionit

457
Sigal

Lulzim Basha vlerësoi si realist konstatimet e Dhomës Amerikane të Tregtisë se korrupsioni është problemi kryesor që pengon investimet e huaja në Shqipëri.

Basha ka reaguar në Twitter ku shprehet se “Dhoma Amerikane e Tregtisë ka konstatuar (pa asnjë surprizë) se korrupsioni është problemi kryesor që e lë pas Shqipërinë në fushën e investimeve të huaja. Është korrupsioni në nivelet më të larta që në mënyrë të pafalshme po i vjedh të ardhmen vendit tonë”.

Kreu i opozitës bëri përgjegjëse qeverinë për pasojat e rënda të korrupsionit.  “I njëjti institucion i respektuar vlerësoi po sot potencialin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë për të thithur investime. Por ky potencial për zhvillim po shkatërrohet nga një qeveri që në gjenezën e saj ka kapjen e shtetit dhe korrupsionin”,- tha Basha.

Shqipëria renditet e fundit në rajon për nga konkurrueshmëria rajonale. Raportet e fundit ndërkombëtare vazhdojnë vlerësimin negativ dhe me ulje për Shqipërinë, duke vënë në dukje paaftësinë e qeverisë për të krijuar klimën e duhur për të bërë biznes dhe për të hapur vende të reja pune.