Shpërthimi i Agim Hushit: Pse e braktisa Shqipërinë

636
Tenori i njohur Agim Tushi braktis Shqipërinë: “Më bëtë të më vijë turp që jam bashkëkombësi juaj”
Tenori shqiptar, Agim Hushi lindur dhe rritur në qytetin e Kavajës ka ikur i indinjuar nga Shqipëria dhe i mbushur plot mllef i ka dhënë lamtumirën, atdheut të tij “të dështuar” siç e konsideron ai, “që është kapur për fyti dhe po jep shpirt. Hushi e ka cilësuar klasën politike shqiptare si një kastë kriminele e cila ka mbërthyer shqiptarët të cilëve u vjen fundi teksa vazhdojnë të jenë popull dele. Artisti shqiptar me një sukses të jashtëzakonshëm ndërkombëtar është shprehur më tej se vlerë kanë vetëm hajdutët, maskarenjtë, injorantët, baballarët tanë të kombit me hundët zbardhur nga kokaina. Hushi u bën thirrje shqiptarëve për ndërgjegjësim. 
Këto janë fjalët e Agim Hushit, postuar në rrjetin social Facebook:
“Së fundmi rikthimi në qytetin tim, atje ku filloi karriera ime: në “Sydney Opera”! Ndihem kaq i lumtur dhe krenar për këtë rikthim dinjitoz si qytetar australian!
Pas një viti qesharak, më së fundmi erdha dhe unë tek termat seriozë të realitetit të një atdheu të dështuar, që është kapur për fyti dhe po jep shpirt në duart e një kaste kriminele, ku vlerë kanë vetëm hajdutët, maskarenjtë, injorantët, ‘baballarët’ tanë të kombit me hundët zbardhur nga kokaina !
Më bëtë të më vijë turp nga vetja që jam bashkëkombësi juaj!
Më dhemb që ai popull i mirë ka marrë pothuaj lehtësinë e një kopeje delesh për t’u çuar buzë greminës dhe kujtesa historike i është kthyer në një histeri politike të skajshme dhe pa asgjë që të kujton qytetërimin, të cilit i përkasim!
Duke lënë pas sukseset e mëdha të një sheshi qesharak me majë dhe ujëra që rrjedhin si përrenj psikikë të sëmurë dhe tregun e ri – po ju prezantoj pamje të botës së lirë ku emrin e kryetarit të bashkisë së një qyteti 5- milionësh s’e di askush dhe ku kryetari i shtetit mban përgjegjësi edhe për menynë e pensionistëve!
Të një shteti që po përgatitet të dërgojë së shpejti, 4 banorët e parë të përjetshëm tokësorë në Mars!
Lamtumirë Shqipëri!
Faleminderit Australia ime!!!”
Kush është Agim Hushi 
Tenori shqiptar, Agim Hushi lindur dhe rritur në qytetin e Kavajës, konsiderohet sot si një nga zërat e rrallë të tenorit që ushtron aktivitetin e tij në të gjitha anët e botës. Njëkohësisht me shtetësi australiane Agim Hushi në çdo moment ka mbajtur më lart me krenari emrin e tij shqiptar. Pasi kreu arsimin fillor dhe atë të mesëm në Kavajë dhe kreu me sukses studimet e larta universitare për gjuhë dhe letërsi Agim Hushi punoi për një kohë të shkurtër si mësues letërsie në një fshat të largët të Rrogozhinës. Por një takim i rastësishëm me dirigjentin Mustafa Krantjen do ndryshonte jetën e Agim Hushit që u zbulua si një talent muzikor me një zë tenori të jashtëzakonshëm dhe në historinë e TKOB është rasti i vetëm që dikush emërohet solist përkrah emrave më të mëdhenj të vokalit shqiptar, pa asnjë ditë edukim muzikor. Por me këmbënguljen e tij Agim Hushi kërkoi të studionte profesionalisht vokalin ku dhe u pranua si një rast i veçantë, pa konkursin tradicional të provimit, për të vazhduar studimet e plota me një program të veçantë në Konservatorin e Muzikës në klasën e kantos së Artistit të Popullit Ramiz Kovaçi, ku u diplomua me rezultate të shkëlqyera në vitin 1991.
Nga viti 1991-1992 Agim Hushi u emërua në TOB , ku punoi në rolet kryesore në Toska , ‘Cavalleria Rusticana’ dhe ‘Il Trovatore’. Më pas vazhdoi studimet e tij pasuniversitare në Akademinë e Muzikës ‘Franz Liszt’ në Budapest, ku paralelisht me studimet vokale , ai specializohet në pedagogjinë e të kënduarit. Me statusin e studentit pasuniversitar Agim Hushi bëhet artisti i parë shqiptar që i jepet një kontrate si solist në një opera kombëtare të huaj, në Operan Kombëtare Hungareze ne më 1993, pas shembjes së komunizmit në Shqipëri. Deri në vitin 1997 ai interpretoi rolet kryesore në ‘Manon Lescout’ , ‘Turandot’ , ‘Il Tabarro’ , ‘Il Lombardi dhe Purgacov’. Më pas në vitin 1997 Agim Hushi ka ndjekur karrierën e tij në Australin e largët.
Në vitin 2000 Kryeministri i Australisë i akordoi Agim Hushit titullin më të lartë: ‘Emerging Artist of the Year 2000’ , ku Hushi ishte një nga katër artistët më të spikatur të Kontinentit Australian. Hushi ka kënduar në Australi, Zelandën e Re, Kinë, SHBA, Malajzi, Singapor, Brunei, Dubai, Hungari, Gjermani, Rusi, Slloveni, Maqedoni, Kosovë, Kroaci, Republikën Çeke, Rumani, Bullgari dhe vende të tjera si Franca Greqia, Qipro, Danimarka, Italia, Spanja, Britania e Madhe, Zvicra, Shqipëria e Austria.
Sigal