Basha: “Opozita e angazhuar për të përshpejtuar hapat e integrimit në BE”

450
Sigal

Kryetari i PD-së, takohet me zv/ndihmës – Sekretarin e Shtetit të SHBA-së për çështjet europiane dhe euro-aziatike, z. Hoyt Brian Yee

Kryetari i opozitës, z. Lulzim Basha priti në një takim zv/ndihmës – Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve për çështjet europiane dhe euro-aziatike, z.Hoyt Brian Yee. Z. Basha i shprehu ndihmës – Sekretarit Yee, mirënjohjen për mbështetjen dhe ndihmën e çmuar që SHBA, qeveria amerikane dhe kombi amerikan i kanë dhënë vendit tonë dhe shqiptarëve, për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe ecjen përpara, në plotësimin e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit në BE.   Z. Yee e ka uruar zotin Basha për zgjedhjen e tij në krye të Partisë Demokratike, duke vlerësuar rolin jashtëzakonisht të rëndësishëm që ka opozita, në mirëfunksionimin e një shteti demokratik. Ndihmës – Sekretari amerikan i Shtetit, në këtë takim ka vlerësuar arritjet e qeverisë, nën lidershipin e PD-së gjatë 8 viteve të qeverisjes së saj, sikundër shprehu mirënjohjen për konsolidimin e mëtejshëm gjatë këtyre viteve, të marrëdhënieve të shkëlqyera  mes dy vendeve, Shqipërisë dhe ShBA dhe dy qeverive respektive. Ndihmës-Sekretari amerikan i shtetit vlerësoi rolin e Shqipërisë në misionet paqeruajtëse dhe luftën kundër terrorizmit. Lulzim Basha ka theksuar se opozita do të luajë një rol konstruktiv dhe është e përkushtuar të bëjë gjithçka për vijimin e konsolidimit të vlerave të demokracisë, shtetit ligjor dhe mirëqenies së qytetarëve, si kusht themelor për të ecur të sigurt drejt integrimit të Shqipërisë në BE. Zoti Basha nënvizoi angazhimin e plotë të PD dhe opozitës shqiptare, për të mbështetur pa kushte të gjitha hapat e nevojshme për hapjen sa më parë të negociatave për anëtarësim në BE. Ndihmës – Sekretari Yee shprehu interes për të dëgjuar qëndrimin dhe vlerësimet e opozitës, në lidhje me konsolidimin e shtetit ligjor, zhvillimin ekonomik të vendit, situatën politike dhe të ardhmen e dialogut politik midis qeverisë dhe opozitës, duke  vlerësuar si jashtëzakonisht të rëndësishëm e jetik rolin e një opozite të fortë e konstruktive për mbarëvajtjen e demokracisë. Në diskutimin mbi situatën aktuale politike në vend, Z. Basha shprehu shqetësimin e opozitës, për sfidimin e hapur të shtetit ligjor, fushatën e sulmeve që maxhoranca ka ndërmarrë ndaj institucioneve të pavarura si dhe për klimën e panikut, për sa i përket situatës financiare e fiskale në vend, keqadministrimin e financave dhe pasurive publike të shqiptarëve, të parashikuara  edhe në aktin normativ për buxhetin.  Ky akt i paligjshëm, – theksoi zoti Basha – pritet të përkeqësojë treguesit e zhvillimit ekonomik të vendit, duke përbërë rrezik për stabilitetin ekonomik dhe cenuar rëndë mirëqenien e çdo qytetari shqiptar.  Në këtë takim, zoti Basha e njohu  ndihmës-Sekretarin amerikan të Shtetit me goditjen që maxhoranca i bëri konsensusit për ligjin e nëpunësit civil, duke nëpërkëmbur parimet e dialogut dhe gjithpërfshirjes. Shkarkimet e paligjshme në administratën publike e në veçanti në  institucionet e pavarura, emërimet në kundërshtim me ligjin në kupolën drejtuese të Policisë së Shtetit dhe shkrirjen e disa strukturave policisë me rol të rëndësishëm, në luftën kundër krimit ekonomik, kanë qenë shqetësimet e shprehura nga kryetari i opozitës, në takimin me zotin Yee. Zoti Basha ka garantuar ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit për vendosmërinë e PD dhe te opozitës ne tërësi për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me SHBA për të gjithë çështjet me interes të ndërsjellë në dobi të konsolidimit të marrëdhënieve të shkëlqyera mes të dy vendeve dhe garantimit të paqes dhe sigurisë në botë.