Basha: “Kërcënimet e Ramës për bllokim të projekteve të Tiranës do të marrin përgjigjje më 23 qershor”

309
Sigal

Kryebashkiaku Lulzim Basha është takuar me banorë të Njësive Bashkiake 3, 9 dhe 10. Zoti Basha ka theksuar se, dhjetëra projekte që janë në përfundim e shumë të tjera që nisin në javët në vazhdim po e transformojnë tërësisht infrastrukturën e kryeqytetit. Përballë kërcënimit të ish-kryetarit të Bashkisë Edi Rama, për bllokimin e këtyre projekteve, z. Basha u ka kërkuar qytetarëve që më 23 Qershor të zgjedhin mes të shkuarës dhe të ardhmes së tyre. “Sot, 3 javë para 23 Qershorit, Edi Rama ka guximin të kërcënojë në ditë me diell dhe natë me hënë se do të bllokojë projektet e Bashkisë së Tiranës, projekte, të cilat ai nuk i bëri për 11 vjet. Sot  ne gjendemi para një zgjidhjeje të qartë, për të mos u kthyer më pas, por për të vazhduar përpara, për interesin tuaj, për zhvillimin, për Shqipërinë evropiane” – u shpreh z. Basha. Në takimet me banorët, kreu i Bashkisë është ndeshur dhe me shqetësimin e tyre për kërcënimin e Ramës se do të bllokojë planin urbanistik të Tiranës nëse vjen në pushtet. Për z. Basha, dashuria dhe respekti për qytetarët nuk shprehet duke folur me dialekt por duke mos i penalizuar për interesa klienteliste siç ndodhi me pronat e tiranasve për 11 vjet. “Ish-kryetarin tani e ka kapur një dashuri e madhe për tiranasit autoktonë dhe ka filluar t’u flasë me dialekt. Kjo nuk është gjë tjetër, veçse thjesht servilizëm. Atë që kishte mundësi për 11 vjet, ish-kryetari ta bënte për tiranasit dhe Tiranën e nuk e bëri, ne ia dolëm ta bëjmë në më pak se dy vjet. Bëmë planin urbanistik, hoqëm përkufizimin absurd që ndalonte zhvillimin e pronave të autoktonëve duke i quajtur zona muze, për të mundësuar që prona juaj të marrë vlerën që meriton!”, – theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës