Prof. Dr. Skënder Gjinushi:“3 ligjet, shërbimi i fundit që LSI-ja i bëri Berishës”

421
Sigal

Njohja e rezultatit  zgjedhor nga “partitë”,  por jo nga populli është mashtrim

Kur shumica shprehet optimiste se miratimi i 3 ligjeve, do të sjellë edhe statusin kandidat Shqipërisë, Skënder Gjinushi, Kryetari i PSD-së, në intervistën për “Telegraf”, shprehet se, kjo është shërbesa më e shëmtuar që Ilir Meta i bëri Berishës, duke dëftuar që opozita ishte bllokuese e integrimit.

– Zoti Gjinushi, opsionin që shtroi zoti Moore, se nëse pozita dhe opozita nuk arrijnë në kompromisin e KQZ-së, atëherë, Kolegji Zgjedhor mund të kryejë detyrimet zgjedhore. Ju, si e shikoni këtë mundësi?

– Republika e Shqipërisë ka një Kod Zgjedhor dhe nuk ka nevojë që dikush të tregojë se çfarë thotë ky ligj, apo ai. Problemi i KQZ-së është që anëtari i 4-të është i paligjshëm, pasi shkarkimi i anëtarit të KQZ-së nga Kuvendi u bë i paligjshëm, prandaj edhe emërimi i një anëtari tjetër është në kundërshtim flagrant të Kodit Zgjedhor. Nuk ka alibi të moralit se maxhoranca duhet të ketë shumicën, etj..  Në demokraci këto janë të papranueshme, sepse ky moral është shprehur në Kodin Zgjedhor. Vetëm te ne, morali i PD-së, që është më e pamoralshmja në këto 8 vjet, prevalon, del mbi ligjin. Prandaj, kush është dashamirës ndaj Shqipërisë, duhet t’i kërkojë qeverisë që të zbatojë ligjin dhe të korrigjojë shkeljet e rënda ligjore. Tashmë kemi një KQZ të paligjshme, tashmë kemi një ndarje mandatesh inekzistentë, thjesht me vendim Kuvendi, që s’ka asnjë efekt juridik dhe Gjykata Kushtetuese e ka lënë pa shqyrtuar, pra duke e lënë të hapur mundësinë e ankimimit,  edhe pas rezultateve zgjedhore.

– Ndërkombëtarët, sigurisht që, e njohin Kodin tonë Zgjedhor, atëherë, përse këshillojnë rrugë të tjera të zgjidhjes?

– Dhënia e këshillave, gjoja, apo sugjerimeve të karakterit “Kolegji Zgjedhor mund të japë zgjidhje”, apo të çdo lloji tjetër, absolutisht, nuk i shërben zgjidhjes së krizës zgjedhore. Përsa i takon Kolegjit Zgjedhor, kush ngatërron Kolegjin me KQZ-në, më vjen keq, por nuk ka minimumin e kulturës juridike. KQZ-ja është organ ekzekutiv, Kolegji është organ gjyqësor, që shqyrton ankimimet ndaj KQZ-së. Kolegji në çdo rast, korrigjon, apo lë në fuqi,  vendimet e KQZ-së, por nuk merr dot kurrë vendime në emër të KQZ-së. Të thuash, që Kolegji zëvendëson KQZ-në, është njësoj si të thuash që Gjykata Kushtetuese të zëvendësojë 2/3 e Kuvendit, kur Kuvendi nuk arrin të marrë vendime me 84 vota, për një ndryshim kushtetues, të shkosh ta bëjë Gjykata Kushtetuese. Po të ishte kështu, 3 ligjet e famshme, përse nuk i çuan në Gjykatën Kushtetuese, meqë nuk i miraton Kuvendi?

– Duke qenë se të dyja palët nuk kanë vullnet për të gjetur kompromisin për KQZ-në, atëherë, çfarë zgjidhje tjetër duhet të presim?

Meqë edhe ti ke filluar e flet si OSBE-ja, ku këtu, siç thotë Shvejku, mirë që çmenden, por përse të gjithë njëherësh (?). Flitet për dy palë, por nuk ka dy palë këtu dhe veçanërisht ku rregullohen marrëdhëniet dypalëshe, njëra e shkel ligjin, nuk e shkelin të dyja. Dhe shkeljen e ligjit për KQZ-në e ka bërë qeveria. Shkelja është në formë, në përmbajtje, në procedurë. Këto lloj sofizmash nuk ekzistojnë as edhe në demokraci të deformuara. Është njëra palë, palë qeveri që e kthen KQZ-në në një grup kamikazësh. Gjithë historia e vjedhjes së votës së 2009-s, është historia e marrjes së vendimeve  më të rëndësishme të  zëvendësimit të 5 votave me 4 vota. PD-ja zbaton ligjin, rregullat i bëj unë, garën e bëjmë bashkë.

– Ju si e shpjegoni që PS-ja vazhdon të dërgojë përfaqësuesit e vet në këtë KQZ me 4 anëtarë, të cilët, duke diskutuar atje për të gjitha çështjet që shtrohen, bëhen palë me KQZ-në?

– Tani, për këtë pyesni PS-në. Unë përgjigjem dhe jap vlerësimet e mia si PSD.  Kur t’i thërrisni mendjes se çfarë janë zgjedhjet, atëherë,  mund të bëni edhe më mirë pyetjen. Zgjedhjet nuk janë për të pyetur se çfarë do bëjë PS-ja dhe çfarë do bëjë PD-ja. Dhe këto ditë kam dëgjuar edhe thirrjet skandaloze që t’i njohin rezultatet e zgjedhjeve palët politike. Zgjedhjet bëhen për popullin, ose në fakt, është populli që zgjedh. Zgjedhjet janë të pranueshme kur shumica e popullit ka besim te këto zgjedhje dhe pas tyre, ka besim te rezultati që doli. Pra, e njeh si rezultatin e vet. Te ne, nuk ekziston besimi te vota. Kjo nuk do të thotë që ndërkombëtarët të kenë shqetësim: “A do njihet rezultati” dhe të mos kenë shqetësim: “A do zhvillohen zgjedhjet me standard demokratik”. Njohja e rezultatit nga “partitë”, por jo nga populli është mashtrim.  Partitë nuk i autorizon kurrkush, që të njohin një rezultat që nuk është konform standardit.

Përse duan të njohin rezultatin zgjedhor, pa u shqetësuar për standardin?

– Cilësia e zgjedhjeve janë 2 nga 12 prioritetet e BE-së për marrjen e statusit kandidat. Dhe zgjedhjet janë një nga standardet e pakapura, të shkelura nga kjo qeveri, ndaj nuk kemi marrë statusin. Ndërkombëtarët, po kërkuan  standard të zgjedhjeve, të mos merren më, të njihet rezultati, apo jo. Pyetja e parë duhet të bëhet. A do njihet standardi? Pastaj, vjen njohja ose jo nga partitë. Së pari, rezultatin duhet ta njohë populli apriori, i cili ka dyshime të mëdha, duhet ta njohin vëzhguesit e monitoruesit ndërkombëtarë dhe ta thonë qartë u zbatuan apo jo standardet. Të mos kenë ndërkombëtarët presionin mbi partitë për të njohur rezultatin e zgjedhjeve, por të kenë preokupimin që rezultati i zgjedhjeve të shprehë votën e popullit.  Administrimi i paanshëm i zgjedhjeve është shkelur, keqpërdorimi i  administratës është djallosur, TVSH-ja publike është bërë shtëpi publike, presioni mbi votuesit për vende pune është prezent kudo.

A ka vlerë reale votimi  i tanishëm i 3 ligjeve në marrjen e statusit kandidat?

– Është shërbimi i fundit i shëmtuar qëLSI-ja i bëri PD-së, nga e cila nuk ka dalë akoma.  Kjo tregon varësinë e LSI-së nga Berisha. Vetë kryetari iLSI-së ka deklaruar që i ka dhënë gjithë garancitë Berishës, që edhe në kushtet e “daljes” sëLSI-së në opozitë,  që nuk doli hiç, i ka premtuar që do të votohen, sikundër u votuan, 3 ligjet.

– Përse ju e cilësoni votimin e 3 ligjeve si shërbim të Metës ndaj Berishës?

Për të krijuar alibitë që ishte opozita ajo që i bllokoi 3 ligjet. Dhe kjo është një çudi, që ndodh vetëm në Shqipëri, qëLSI-ja ikën nga PD-ja, nga qeveria, të paktën, nga kjo qeveri, që sipas saj, nuk arriti integrimin dhe tani i kërkoi PS-së të votonte 3 ligjet, për të thënë që ishte opozita që i bllokoi. Po të ishte, sipas Metës,  bllokuese opozita, përse tani erdhi tek opozita? Për të integruar Shqipërinë, në 4 vjetët e ardhshëm. Kjo është një tallje që bëhet me shqiptarët në tërësi, është një alibi e shëmtuar, që kanë qenë pengesë për integrimin 2 ligjet dhe rregullorja e Parlamentit.

– Si e shpjegoni, që, siç e theksoni përherë,  nga keqqeverisja e Berishës, opozita në përgjithësi dhe PS-ja në veçanti,  në sondazhe nuk kanë përqindje të lartë të preferencës së elektoralit?

– Shqipëria është vend i çuditshëm, sesi budallallëkun e përqafojnë të gjithë njëherësh. Në Shqipëri flitet vetëm për alibitë që ngre Berisha për shkeljet flagrantë të ligjeve. Pastaj, hapet tema: Po opozita nuk bën gabim që….Sondazhet e japin goxha thellë diferencën. Më thellë nuk këshillohet, që t’ja futësh kundërshtarit. Berisha dhe pro-Berishë nuk kalon as 35 %. Tani, në krahasim me ‘97-n, piramida është vetë qeveria me Sali Alimuçën në krye. Borxhet që lë kjo qeveri, defiçit buxhetor, borxhi ndaj firmave, borxhet e pushtetit lokal janë 2-3 fish më shumë se borxhet që lanë piramidat. Shkatërrimi ekonomik është më i madh sesa në 1992-‘97.

E majta nuk luftoi 8 vjet në opozitë që të bëjë Metën Kryeministër

– Përse duhet të kemi besim se qeverisja e së Majtës do të luftojë korrupsionin, derisa do të bashkëqeverisë me një pjesë të maxhorancës së sotme, të cilën e keni akuzuar për korrupsion?

– Kjo maxhorancë ka kapon dhe dihet që Berisha jo vetëm që është kapua i korrupsionit, por mblodhi të gjithë të korruptuarit, nga ishin dhe nuk ishin. Ai ka bandën. Te ne, ai (Meta) është një nga anëtarët ( e kësaj bande) që erdhi. Në qoftë se te ne është një copë problematike, maxhoranca e Berishës është e tëra problematike. Këtu është dallimi i madh.

–  Përse ju thatë më mirë Berishën Kryeministër, sesa Metën?

– E thashë në mënyrë alegorike.E Majtaderi tani nuk qëndroi dhe nuk luftoi në opozitë që të bëjë Metën Kryeministër. Nuk ka logjikë kjo.

– Faleminderit!