Basha: E njoha Komisioneren me planin tonë Antimafia! Ndryshimin do ta bëjë të mundur vullneti politik pas 25 Prillit

156
Sigal

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti sot Komisioneren e Punëve të Brendshme në BE, Ylva Johansson e cila ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare.

Pas takimit, zoti Basha tha se i ka njohur Komsioneres Johansson me vullnetin e qeverisë së ardhëshme të dalë pas zgjedhjeve të 25 prillit për të zbatuar planin anti-mafia.

“E njoha atë me planin tonë për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit që janë dy pengesat kryesore se pse Shqipëria ka ngecur në vendnumëro sa i përket anëtarësimit në proceset e hapjes së negociatave. Në veçanti e njoha me planin tonë anti-mafia dhe vullnetin politik për ta zbatuar atë pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Me komisionerin për punët e brendshme të Bashkimi Europian kam bashkëpunuar ngushtësisht kur hoqëm vizat për qytetarët shqiptarë. Dhe kujtuam se si bashkëpunimi i atëhershëm, pra kushtet që çuan tek reformat dhe reformat që çuan tek të mirat që gëzojnë sot shqiptarët, pasaportat biometrike, kartat e identitetit, digjitalizimi i sistemit kufitar, sollën diçka të paimagjinueshme para 11 viteve, që shqiptarët lëvizin pa viza në Bashkimin Europian”.

Gjatë bisedës, zoti Basha e njohu Komisioneren me angazhimin e tij dhe të Partisë Demokratike, nesër në qeveri, për të përmbushur kushtet për hapjen e negociatave me BE-në.

Në komunikimin e tij për median, Basha tha se plani i opozitës do të mundësojë krahas negociatave me BE-në edhe hapjen e vendeve të reja të punës në mënyrë që të rinjtë e të rejat shqiptare mos të detyrohen të kërkojnë shpresë në rrugën e emigrimit, por të ndërtojnë të arhdmen e tyre në Shqipëri.

“Tani është detyra e qeverisë që do të dalë pas 25 prillit dhe vullneti im politik që ta drejtojë atë qeveri drejt përmbushjes së kushteve për të hapur negociatat në mënyrë që Shqipëria dhe shqiptarët të përfitojnë të tjera të mira materiale dhe jo materiale që do të vijnë nga procesi i integrimit europian të vendit. Angazhimi për t’i përmbushur këto kushte do të sjell një përmirësim real në jetën e shqiptarëve.

Do të sjell një përmirësim real në kuptimin e financimeve që do të përfitojnë fermerët shqiptarë, biznesi i vogël dhe i mesëm, në kuptimin e financimeve që do të përfitojë rinia shqiptare, universitetet, në kuptimin e klimës së biznesit që do të përmirësohet dhe besimit që do të kenë investitorët europian që t’i hapin këto vende pune këtu në Shqipëri, me paga dinjitoze të niveleve të larta do të thoja sot pothuajse jo ekzistuese në Shqipëri.

Dhe kjo në vetvete çfarë do të krijonte, premisat që ne të ndalim plagën e emigracionit masiv dhe rinia shqiptare të gëzojë edhe atë që kemi arritur para 10 vitesh, lëvizjen e lirë në Europë, por edhe mundësinë që të punësohet me paga dinjitoze në vendin e vet. Standard jetese, mirëqenie, punësim për rininë shqiptare dhe lëvizjen në Europë ta ketë në funksion të lirisë së dinjitetit, të vizitave tek të afërmit tanë, të kënaqësisë për të lëvizur si qytetarë të lirë të kontinentit dhe jo si një arratisje nga koka këmbët, prej një realiteti sicc është ky i sotmi”.

Zoti Basha tha se mori garancitë e Komisioneres Johansson për të mbështetur Shqipërinë ndërkohë që shprehu besimin e plotë se do ketë ndryshim të vullnetit politik me votën e shqiptarëve me 25 prill.

“Mora dhe angazhimin e komisioneres të punëve të brendshme, për të vazhduar për të ndihmuar Shqipërinë ku padiskutim, ajo që do të bëjë ndryshimin është vullneti politik. 25 prilli do të jetë dita ku shqiptarët do të kenë një vullnet të ri politik, me votën e tyre do të zgjedhin një vullnet të ri politik, jo atë që i ka mbajtur 8 vite në vendnumëro, por vullnetin politik timin dhe të Partisë Demokratike dhe të koalicionit tonë që para 10 vitesh bëmë të mundur heqjen e vizave, para 10 vitesh bëmë të mundur futjen e vendit në NATO dhe do të bëjmë të mundur të gjithë së bashku që shqiptarët të gëzojnë benefitet e procesit të anëtarësimit në BE ashtu siç i gëzojnë edhe qytetarët e tjerë të rajonit”.