Balla: “Kushtetuta është e shqiptarëve, jo e Saliut”

438
Sigal

Sa më shumë afrohet 6 gushti, edhe më tepër rritet tensioni politik midis PD-së dhe PS-së, për jo/votimin e reformës të heqje/kufizimin e imunitetit. Kështu, edhe dje, në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri sërish i bëri apel Ramës për rëndësinë e madhe që ka votimi i imunitetit në 6 gusht, madje, duke e argumentuar thirrjen e tij, përmendi edhe një letër që komisioneri i BE-së i ka dërguar këto ditë”. Fyle më ka dërguar një letër, ku më përgëzon për reformat, por kërkon përmbushjen edhe të imunitetit. Bëri të qartë se detyrim madhor duhet të jetë qëndrimi ynë ndaj imunitetit”,- tha Berisha. Kundër reagimi erdhi nga deputeti i PS-së, Taulant Balla, i cili me një deklaratë publike, bëri me dije se PS-ja është që ndryshimet kushtetuese të bëhen njëherë e mirë, e jo të copëzuara, tani në 6 gusht. Balla, ndër të tjera, tha: “ Ne socialistët jemi të mendimit se Kushtetuta e Republikës nuk mund të arnohet sepse i teket Sali Berishës. Kushtetuta është e shqiptarëve, jo e Saliut. Duke qenë se nga njëra anë kufizimi i imunitetit kërkon ndryshime kushtetuese, ndërkohë që nga ana tjetër edhe propozimet tona në lidhje me pavarësinë e disa institucioneve të rëndësishme kërkojnë po ashtu ndryshime kushtetuese, ne kërkojmë që këto ndërhyrje në Kushtetutë të bëhen një herë e mirë. Ne socialistët, si nismëtarë, jo vetëm jemi dakord dhe e mbështesim draftin e negociuar, por edhe e kemi votuar atë nen për nen. Sot debati është një tjetër: A jemi dakord me drejtësinë e gjunjëzuar nën pushtetin e Saliut, apo duam një drejtësi të pavarur nga çdo pushtet politik?! E vërteta e madhe është se deri më sot të vetmit që kanë përfituar nga imuniteti janë anëtarët e Këshillit të Miliarderëve të Saliut. Lulzim Basha i shpëtoi drejtësisë prej imunitetit. Fatmir Mediu i shpëtoi drejtësisë prej imunitetit”.