“Muri që mbron oborrin e hajdutëve është pushteti që ka kapur drejtësinë”

436
Sigal

INTERVISTA/ Deputeti i PS-së, Armando Subashi: “Ndërhyrja në Kushtetutë  nuk duhet të kufizohet vetëm tek çështja e imunitetit”

Përditë e më shumë,  propaganda e PD-së, qoftë me deklarata shtypi, qoftë edhe në çdo fjalim të Kryeministrit, përpiqet të ushtrojë presionin politik ndaj PS-së, që të votojë më 6 gusht kompromisin e përbashkët për reformën e imunitetit. Madje, PD-ja përdor dy argumente. Së pari, derisa PD-ja pranoi 90 % të propozimeve të PS-së dhe së dyti, 6 gushti na qenka limani i reformave që përcaktojnë marrjen e statusit kandidat. Deputeti i PS-së, Armando Subashi, me cilësinë e anëtarit të Komisionit të Ligjeve dhe jurist me përvojë, në intervistën për “Telegraf” argumenton përse PS-ja nuk mund të votojë në 6 gusht, sepse ndërhyrja në Kushtetutë nuk duhet reduktuar vetëm te çështja e imunitetit. Sipas zotit Subashi, nuk mund të pretendosh që të luftosh korrupsionin vetëm me heqjen e imunitetit, pa forcimin e pavarësisë të institucioneve të Gjyqësorit dhe të organeve të Akuzës. Kjo pavarësi e institucioneve arrihet vetëm me ndryshime në Kushtetutë, që të ndryshojë emërimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese dhe Kryeprokurorit, vetëm me votë të cilësuar, e jo me votën e shumicës së thjeshtë parlamentare.

Zoti Subashi, PS-ja e ka votuar  në Komisionin e Ligjeve draftin për heqjen e imunitetit. Përse nuk e miraton në 6 gusht në Parlament, por është dakort për në shtator?

– Të martën, 24 korrik,  ne votuam në parim dhe nen për nen draftin e ndryshimeve kushtetuese, lidhur me kufizimin e imunitetit për zyrtarët e lartë, por me vetëdije të plotë nuk e votuam në tërësi këtë draft, jo se nuk jemi për heqjen e imunitetit, por sepse jemi të bindur se ndërhyrja në Kushtetutë për heqjen e imunitetit nuk duhet të kufizohet vetëm tek çështja e imunitetit.

– Sa afër realitetit politik është ai opinion që kultivohet, se  imuniteti ka penguar deri në sot luftën kundër korrupsionit?

Muri që mbron dhe rrethon sot oborrin e hajdutëve nuk është imuniteti kushtetues, por pushteti që ka kapur drejtësinë. Prandaj s’ka gjë më qesharake se sa kur Saliu bën sikur po thërret opozitën, për të shembur murin e oborrit të hajdutëve, përmes heqjes së imunitetit. Atë mur nuk po e lartëson imuniteti kushtetues, por korrupsioni i qeverisë që nga njëra anë po grabit Shqipërinë dhe nga ana tjetër nënshtron përditë drejtësinë. Nuk ka turp më të madh, s’ka tallje më të madhe me shqiptarët se kjo që bën Kryeministri, i cili ka ditë që i qahet popullit me lot në sy se: “Opozita po e pengon të luftojë korrupsionin se nuk po hiqet imuniteti”,  “Opozita s’po e lë të hap vende të reja pune se nuk po hiqet imuniteti”, “Opozita s’po e lë të rrisë më shumë rrogat e pensionet se nuk po  hiqet imuniteti”, “Opozita s’po e le të shtojë një kafshatë më shumë për të varfrit se nuk po  hiqet imuniteti”.

Me kë tallet Kryeministri i sotëm dhe, çfarë i pandeh shqiptarët? Pse nuk e dinë shqiptarët, se si kanë përfunduar në komedi gjyqet për ministrat e zhveshur nga imuniteti. Pse nuk e kanë parë shqiptarët se imuniteti është hequr pa asnjë pengesë madje ministrat kanë shpejtuar ta deklarojnë vetë heqjen e imunitetit, shpesh edhe duke i’u lutur Kuvendit, po askush nuk është ndëshkuar. Le të thotë Saliu që një deputeti, ministri, gjyqtari apo zyrtari të lartë nuk i është hequr imuniteti sa herë që është kërkuar nga prokuroria.

–  Politikisht, çdo të thotë heqja e imunitetit?

–  Ne themi që imuniteti është vetëm një pikënisje, por jo mbërritja për ta realizuar këtë qëllim. Ne s’kemi asnjë ekuivok në qëndrimin tonë për imunitetin, duhet kufizuar dhe pikë. Do ta votojmë në seancë dhe kjo s’ka asnjë dyshim, por jo në 6 gusht si do Saliu, jo pa bërë edhe procesin për paketën tjetër që kemi propozuar, sepse ne nuk mund të pranojmë që kushtetuta të ndryshohet edhe në gusht edhe në shtator.

– Më shumë dëgjojmë propagandë për domosdoshmërinë e heqjes të imunitetit, sesa vullnet politik për të rritur pavarësinë e gjyqësorit dhe të organeve të akuzës. Kjo a nuk përbën një kontradiktë, qoftë politike, qoftë juridike?

– Këto  që thoni edhe ju, janë arsyet pse Kushtetuta ka nevojë për një rishikim në funksion të një reforme të thellë në drejtësi, në Gjyqësor. Prandaj, edhe PS-ja kishte në draftin e saj edhe ndryshime në Kushtetutë, që lidhen me votimin e cilësuar të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Votimi i cilësuar për këto institucione  do të krijojë kushtet që drejtësia të bëjë drejtësi, që në krye të institucioneve të pavarura të mos kemi anëtar të kryesisë së PD-së, që prokuror të përgjithshëm, apo Kryetar të Gjykatës së Lartë të mos kemi Arben Ristanin, apo ushtar të llojit të tij në shërbim të Kryeministrit. Ne treguam që jemi gati, për t’i dhënë Kushtetutës atë vullnet dhe vëmendje që ajo ka meriton dhe jo për t’i vënë një arnë.

– Përderisa PS-ja këto ndryshime kushtetuese që synojnë rritjen e pavarësisë të institucioneve të gjyqësorit e organeve të akuzës, i kërkon si opozitë, a mund t’i konkretizojë, po të vijë në qeverisje në  zgjedhjet e 2013-s?

– Ne duam një reformë kushtetuese në vazhdën e përpjekjes sonë për një Rilindje Shqiptare, përmes një reformimi rrënjësor të gjithë strukturës së shtetit tonë që edhe pse Saliu do ta pengojë sot ne do ta bëjmë, do ta bëjmë nesër, me fitoren e zgjedhjeve të ardhshme dhe padyshim do të përmbyllim edhe integrimin tërësor të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Vendi i Shqipërisë është në Europë.

“Miliarderët socialistë dhe heqja e imunitetit

– Për ne, PS-në, çështja e imunitetit është e mbyllur. Akuza e Kryeministrit, që thotë se na qenka një grup miliarderësh në PS, që pengojnë heqjen e imunitetit, është tallja e radhës. Sot problemi i Shqipërisë nuk janë sipërmarrësit, që janë zgjedhur deputetë, po kryeministri dhe ministrat që janë bërë sipërmarrës. Sot problemi i Shqipërisë nuk janë milionat e sipërmarrësve, që kanë hapur vende pune dhe kanë paguar rregullisht taksat për arkën e shtetit, por janë miliarderët në qeveri, që bashkë me biznesmenët e oborrit, i kanë lënë sipërmarrësit e tjerë pa punë, janë miliarderët në qeveri që grabisin përditë  prona e pasuri publike, shpesh edhe me  ligje enkas për interesat e tyre.

– Ju faleminderit!