“Babalja”, Lulzim Basha letër Yuri Kim: Gjykatësi i lidhur me PS-në, dënim absurd për Salianjin dhe gazetarin

414
Sigal

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka dërguar një letër Ambasadores së SHBA-ve, Yuri Kim në lidhje me çështjen “Babale”.

Basha sqaron pozicionin e ish-deputetit të PD, Ervin Salianji dhe gazetarit Jetmir Olldashi, të dënuar padrejtësisht, sipas tij pasi publikuan rrëfimin e dëshmitarit “X” që akuzonte vëllain e ish- ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, për trafik droge.

Në letër, Basha thotë se PD-ja publikisht përmes Ervin Salianjit ka paraqitur prova për përfshirjen e vëllait të zotit Xhafaj në narko-trafik, por çështja u politizua.

“Pavarësisht këtyre zhvillimeve, nën presionin politik të qeverisë, sistemi drejtësisë dështoi të bëjë dhe përfundojë një hetim për këto krime të dyshuara, përfshi tentativat për t’i mbuluar ato, me përfshirjen e zyrtarëve të lartë të policisë dhe politikanëve nga PS”.

Kryedemokrati Basha shpalos edhe shqetësimin për atë që ndodhi me gjyqin e ish deputetit Ervin Salianji.

“Gjyqi prodhoi shkelje flagrante të ligjit, nga një gjykatës haptas i lidhur me partinë në pushtet duke dënuar përfaqësuesin e PD Ervin Salianji dhe gazetarin investigativ Jetmir Olldashi me akuza absurde për raportime të rreme”.

Bashkë me këtë letër kreu i PD Basha ka dërguar edhe një material përmbledhës për atë që e quan abuzim pushteti dhe presion politik, që ndëshkoi denoncuesit e një krimi për të mbrojtur autorët e krimit.