Skandal/ Trupat e pajetë të emigrantëve, që i sjellin në Shqipëri trajtohen si mall, do paketohen me vulë doganore

260
Sigal

Skandali i radhës! Greqia vendos taksë mbi të vdekurin, që sillet në Shqipëri

Trupat e pajetë që vijnë nga Greqia, trajtohen si mall, duhet të paketohen me vulë doganore

Të gjitha makinat e funeralit, që sjellin trupat e të vdekurve nga Greqia në Shqipëri, do të duhet që përpara se të dërgojë të ndjerin për në banesën e fundit, më parë duhet të bëjë një ndalesë në doganën e Athinës, dhe pasi ta paketojë dhe plumbosë “ngarkesën”, do të lejohet të udhëtojë drejt Shqipërisë, ku të ndjerit do t’i bëhen nderimet e fundit. Nuk është një shaka pa kripë e ndonjë zyre funerali, por urdhri i ri, që dogana greke ka nxjerrë për dërgimin e trupave të të vdekurve në Shqipëri. Sipas këtij urdhri, që së paku përdhos kujtimin e të vdekurit, pasi e cilëson atë si ngarkesë mallrash e vulosur me plumbçe dogane dhe jo si njeri, por shton me të paktën 700 euro më tepër, transportimin e trupit të dikujt që ka humbur jetën jashtë shtetit. Janë me qindra raste ku dikush ka humbur jetën në Greqi, dhe kanë qenë vetë emigrantët që kanë mbledhur lekët për ta dërguar atë, në banesën e fundit. Ndonëse ka pasur ankesa prej zyrave të shërbimeve funerale, sërish dogana greke, insiston në cilësimin e trupave të të vdekurve, si mall tregtie. Në doganë thonë se, këtë keqkuptim, duhet ta zgjidhin qeveritë dhe ministritë e jashtme përkatëse, por pranojnë se efekti në kosto që ai ka, i shtohet buxhetit të shtetit helen. Urdhri vlerësohet si i padrejtë nga agjencitë funerale, për më tepër ai konsiderohet si taksë mbi të vdekurin, por ende askush nuk po e ndryshon atë, duke krijuar ndjenja negative dhe keqardhje në komunitetin e emigrantëve shqiptarë, që jetojnë në Greqi.