Shqiptarët paguajnë 7 taksa në çdo litër karburant, çmimi i naftës shkoi në 183 lekë brenda 2 javëve

271
Sigal

Qytetarëve u rëndojnë në çmimin e kripur të naftës, edhe 7 taksa të përfshira në të

Shqiptarët paguajnë 7 taksa në çdo litër karburant që blejnë, çmimi i naftës shkoi në 183 lekë, brenda dy javëve

 

Rritja e çmimit të naftës dhe të ushqimeve, sidomos zarzavateve, erdhën me rritje gjatë muajit qershor, sipas statistikave të inflacionit. Shqiptarët paguajnë  7 taksa në çdo litër karburant që blejnë, një nivel rekord krahasuar me vendet e tjera në botë. Ekonomistët shpjegojnë se, Shqipëria është ndër  vendet që e takson shumë shtrenjtë naftën. “Kjo është karakteristikë e vendeve me nivel të lartë korrupsioni  dhe nivel të lartë informaliteti”.  Një pjesë e këtyre taksave shkojnë në arkën e shtetit dhe dy prej tyre, për kompanitë koncensionare.  Në çdo litër naftë që shitet në treg, qeveria shqiptare mbledh 37 lekë akcizë, 27 lekë taksë qarkullimi, 3 lekë taksë karboni dhe 7 deri në 10 lekë taksë rilicensimi. Këtyre katër taksave që shkojnë në buxhet, u shtohen dy taksa të tjera, që paguhen për koncesionarët privatë. Ato janë, taksa e markimit 1 lekë për litër dhe, skanimi1.4 lekë për litër. Në fund, pas këtyre 6 taksave, paguhet edhe tatimi mbivlerën e shtuar (TVSH), i cili është 20 për qind e çmimit final, ose rreth 30 lekë për litër. Kjo e çon barrën totale të taksave në 1 litër naftë, 109.4 lekë për litër. Por si krahasohet Shqipëria me vendet e tjera? Në Maqedoni, qytetarët paguajnë vetëm akcizë dhe TVSH mbi naftën, që në total arrijnë vetëm 48 lekë për litër ose 2.3 herë më pak se taksat që paguajnë shqiptarët. Taksa e qarkullimit në Maqedoninë e Veriut, nuk mblidhet tek karburanti, por tek automjetet. Ndërkohë që, taksa të tilla si ajo e skanimit apo markimit, nuk ekzistojnë në asnjë vend tjetër të Evropës.