Juristi Sokol Hazizaj analizoi narrativën që përdori Edi Rama përpara grupit parlamentar të Partisë Socialiste, duke shtuar se situata që paraqiti dështimet e qeverisë me reformën në drejtësi, që tashmë po kthehet kundër pushtetit të Kryeministrit. Sipas juristit, nisma për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, konkretisht në nenin 242, synon dobësimin e rolit të gjykatave dhe të strukturave të posaçme të drejtësisë.
Hazizaj shpjegoi se kryeministri nuk po mbron individualisht Belinda Ballukun, por po e përdor politikisht çështjen, ndërsa mbrojtja reale e pushtetit realizohet përmes shumicës parlamentare. Ai shtoi se konflikti i Ramës nuk është më me opozitën, por drejtpërdrejt me drejtësinë, institucione që, siç nënvizoi, janë formatuar prej vetë tij në vitin 2016.
“Për shkak të presionit ndërkombëtar, Rama nuk mund të sulmojë hapur drejtësinë, por po tenton ndërhyrje të tërthorta përmes ndryshimeve ligjore, të maskuara si forcim i sistemit. Sipas tij, këto ndërhyrje synojnë përjashtimin e qeveritarëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre nga përgjegjësia penale”, deklaroi Juristi.
Hazizaj u shpreh skeptik se Komisioni Europian dhe Këshilli i Europës do ta shohin pozitivisht ndërhyrjen në nenin 242 apo ndryshime të mundshme në Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Ai theksoi se këto zhvillime nuk do të ndihmojnë procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimi Europian.
Juristi paralajmëroi se, pavarësisht narrativës politike dhe mediatike për paraburgimin, ndërhyrjet në drejtësi nuk do të përmirësojnë raportin e institucioneve europiane me Shqipërinë, duke shtuar se “ditë të këqija po vijnë për qeverinë dhe politikën shqiptare në përgjithësi.”
“Rama kërkon të bëjë ndërhyrje, por duke e fshehur nën instrumentin politik të forcimit të sistemit të drejtësisë. Pra, siç ka vepruar nga 2016-ta, dhe deri sot ai funksionon mbi të njëjtën teknikë narrative të fjalës. Por në themel, me grupin parlamentar që e ka në varësi, do të bëjë ndryshime të cilat e përjashtojnë atë dhe bashkëpunëtorët e tij nga përgjegjësia penale”, tha Hazizaj.



















