Vendi sot nuk ka hekurudhë, rrugët janë siç po i shohim përditë, industri jo se jo, bujqësia e “tradhtuar” dhe “e vjedhur”, teatrot dhe kinematë vazhdojnë heshtjet e hidhëta dhe eksperimentet e ëmbla, që vetëm snobëve u bëjnë punë. Drejtësia – që duhej të ishte një arritje reale – ka lënë gjysmën e shqiptarëve nëpër gjyqe e nëpër dosje të pazëna me dorë
Shpesh jemi mëdyshas në ato që themi dhe kjo nuk se ndodh shpesh; por në këto radhë, nuk e shmang dot. Megjithatë do të përpiqem të shpjegohem sa më mirë nën këtë titull kontravers; (përndryshe, i tillë që hap debate e telashe). Duket sikur kemi kapur fundin: korrupsioni, rrugët, grindjet, pasiguria, diametraliteti i jetës, konflikti i agravuar politik. Jemi duke parë se si po shëmbet Perandoria e Mburrjes; PS dhe Rilindja zhgënjyen. Me fjalë të tjera, perdja ra, farsa mbaroi. Por si t’i ikim asaj?
Dua të ndaj nga njëri-tjetri dy argumente: I pari, askush nuk duhet të gëzohet se po shemben rrugët dhe shteti; koha është t’i vihet gishti kokës. Madje, ndonjëherë, kur vidhisesh, ke më shumë shanse të ringrihesh e t’ia fillosh nga e para; por ndryshe. I dyti, megjithë prapësitë në këto vite, e sidomos në muajt e fundit, në bindjen time shqiptarët prapë janë më mirë se më parë.
Kur them janë më mirë, nuk se dua t’i ndaj ata nga fati i vendit të tyre, dje dhe sot. (Dhe në këto radhë, siç thashë, Shqipërinë e gjej më keq se ata vetë.) Nga pikëpamja e gjendjes ekonomike, tema ha diskutim. Një pjesë, shtresa të caktuara, jetojnë në varfëri; por dua të besoj se nuk janë më e shumta e popullsisë. Baret, restorantet, avionët, janë plot e përplot. (Ato ç’janë arritur, kanë të bëjnë thjesht me ndërrimin e rendit.) Dhe pikërisht falë kësaj, ata jetojnë të lirë, lëvizin ku të munden dhe ku kanë fëmijët apo të afërmit, protestojnë si t’u vijë, etj. por më së pari, kanë kuptuar se mund të bëjnë më shumë për t’i dalë zot vetes.
Teksa them që Shqipëria vetë është keq, është më keq, kam parasysh si dhe ku katandisi vendi: është i pasigurt, i palumtur, infrastruktura e tij po shëmbet dita-ditës, situata politike dhe ajo sociale nuk janë mirë, diametraliteti i jetës vjen kaq i dukshëm. ta shpjegoj edhe këtë. Çdo ditë, bëhet më keq, ndërkohë që duhej bërë më mirë. Një mëngjes me shi qytetet kryesore gdhihen të përmbytur; dhe ujërat e zeza pushtojnë lagjet. Në një ditë tjetër, shëmben ledhet e urat dhe bllokohen rrugët kombëtare, për turp të Zotit. Shtoji kësaj situate grindjet e pareshtura për liderët dhe politikën e ditës, por (sa çudi) edhe për historinë, për luftën, për gjuhën, për kulturën dhe… si i thonë fjalës, gjithçka “shkon në fis”.
Ja pse them që Shqipëria është më keq. Duke u kërkuar falje lexuesve të nderuar të kësaj gazete serioze – për mungesën e modestisë, them – po sjell njëlloj “fryme” nga libri im “Shqipëria në dy kohë”. S’ish fjala për krahasime, se krahasimet bëhen me atë që duhej të ish arritur, jo me ç’ish vendi në rendin tjetër. (E tregova më lart pasqyrën e kohës, teksa flisja për atë që shqiptarët sot janë më mirë. Gjithnjë në vështrimin tim.) E ndërkaq, prapë e përsëris: Shqipëria vetë, është më keq. Në dy tema e vlen të ndalesh: E para ka të bëjë me shkatërrimin e gjithçkaje që mund të trashëgohej nga mundi i dekadave të shkuara. Vendi sot nuk ka hekurudhë, rrugët janë siç po i shohim përditë, industri jo se jo, bujqësia e “tradhtuar” dhe “e vjedhur”, teatrot dhe kinematë vazhdojnë heshtjet e hidhëta dhe eksperimentet e ëmbla, që vetëm snobëve u bëjnë punë. (Nostalgjia për gjërat e shkuara nuk është domosdoshmërisht kujtesa e gjërave siç ato kanë qenë. M. Prust) Drejtësia – që duhej të ishte një arritje reale – ka lënë gjysmën e shqiptarëve nëpër gjyqe e nëpër dosje të pazëna me dorë, ndërkohë që vjen me dy standarte: shiko fatin e ish-Presidentit, z. Ilir Meta, si dhe të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj dhe pastaj atë të Zëvendëskryeministres Belinda Ballukut, për të cilën po tjetërsohet vendi dhe PS-ja (!)
E dyta: Si, more, vazhdon të hajë veten ky vend, ky popull, për gjëra që të tjerët i kanë interpretuar dhe zgjidhur a venduar me kohë. Toka po u shëmbet nën këmbë dhe gjithë po njësoj me nënshtrimin ndaj politikës dhe liderëve, gjithë po njësoj duke nxjerrë inate të shekullit tjetër (!) Të shkon mendja se klasa e vjetër politike, me qëllim, mban ngrehur: këtë gjendje dhe këto grindje e mosmarrëveshje. (“Kushdo që nuk arrin të gjejë kuptimin e jetës së tij, ndërkohë që ai është gjallë, ka nevojë që një dorë ta ruajë paksa nga dëshpërimi ndaj fatit të tij… por me dorën tjetër ai nuk mund të zhdavaritë çfarë shikon në mes të rrënojave.” F. Kafka)
Epo, këtyre nuk u dhimbset ky lloj njeriu, njeriu në përgjithësi, qytetari i tyre në veçanti. Këtyre u dhimbset vetëm klani dhe familja e tyre, e për të cilën kanë për borxh të shuajnë e shtyjnë tutje gjithkënd. Perandoria e mburrjes po shëmbet. Shqiptarët u lodhën së dëgjuari mburracakët; atyre u duhet një shtet normal. Por ecë e zgjidh ata që mund ta bëjnë atë…




















