Av. Ledio Braho: Jemi në kushtet kur pushteti po nxit represionin

469
Sigal

 

Ledio Braho, konstuticionalist

Që në fillim të pandemisë u vu re një qasje e publikimit të urdhrave me statuse në Facebook nga ana e Kryeministrit apo Ministres së Shëndetësisë. Qytetarët prisnin çdo ditë daljet në ERTV dhe ne FB për të mësuar rregullat dhe gjobat e reja për moszbatimin e këtyre rregullave, që në kundërshtim me Kushtetutën botoheshin në Fletore Zyrtare me javë të tëra vonesë, apo dhe nuk botoheshin fare. Më tej, u ndryshua Kodi Penal me procedurë të përshpejtuar, po ashtu në kundërshtim me Kushtetutën, duke futur vepra të reja në lidhje me situatën e pandemisë. Nga një klimë e tillë e cenimit të parimit kushtetues të sigurisë juridike dhe të vendosjes së normës për gjobitjen e qytetarëve nga zinxhiri drejtues i Policisë së Shtetit me nxitje nga Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm, duke promovuar dhe me video fake dhunë policore, sikur të ishte diçka normale, arritëm në pikën ku:

– Ditën për diell u dhunua në mënyrë brutale një i mitur, vetëm se kishte dalë nga kodrat e Liqenit, ngjarje që u shoqërua dhe me një sjellje demaskuese ndaj të ëmës së të miturit që i shkon përshtat vetëm Sigurimit të Shtetit të para 30 viteve;

– Shoqërohen qytetarë në komisariate në kundërshtim me ligjin për identifikim për kundërvajtje administrative;

– Ndalohen protestat, por lejohen tubimet politike për mazhorancën;

– Ka transparencë të rregullt për gjobat që vendos Policia e Shtetit, por jo dhe aq transparencë për infektimet dhe vdekjet nga Covid-19.

Nga të gjithë këto elemente, krijohet një perceptim i qartë për qytetarët e këtij vendi se me shumë frike duhet të kenë nga represioni i shtetit me kamzhikun e policisë se sa nga pandemia. Pikërisht nga njëra anë një qasje e tillë paligjshmërie, frike dhe pasigurie e bëri të ndjerin Klodian Rasha, që në përballjen me shtetin, të ndjehej i kriminalizuar vetëm për shkak të shkeljes së fashës orare dhe nga ana tjetër oficerin e policisë të ndjehej nën trysninë e ushtrimit të detyrës sipas indoktrinimit shtetëror, se kushdo që nuk zbaton urdhrat e Facebook është i inkriminuar, të qëllonte një të ri te pafajshëm. Ndaj nuk jemi në kushtet e thjesht të një përgjegjësie personale ligjore, por në kushtet e një fryme antidemokratike dhe antikushtetuese, që nuk vlerëson jetën e njeriut si një të drejtë themelore, por çdo ditë e në vijim, jemi në kushtet e një pushteti, që nxit represionin dhe dhunën verbale e fizike si mekanizëm për mbrojtje nga armiku i padukshëm.