Përse vdekja e Mehmet Shehut, sipas mjekësisë ligjore kriminalistike, duhet të ketë qenë vrasje dhe jo vetëvrasje

1508
Sigal

Cilat janë të dhënat e këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe kufomës si dhe të dokumenteve të ekspertimeve mjeko-ligjore kriminalistike?

 

Nen tit  Si instancat e larta shtetërore kanë shmangur kryerjen e  ekzaminimeve laboratorike dhe mikroskopike të përcaktimit të faktorëve plotësues të qitjes ndaj Shehut

 Prof.Dr.Bardhyl Çipi

Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti i Mjekësisë të Tiranës, një nga ngjarjet më të bujshme në vendin tonë, për të cilën bëhen edhe në kohën e tanishme diskutime të shumta të pasqyruara në shtyp dhe medie, madje edhe në mjaft botime studimore dhe letrare si romane etj., është edhe ajo e vdekjes së kryeministrit Mehmet Shehu. Sipas versionit zyrtar, Mehmet Shehu, kryeministër i R.P.S. të Shqipërisë, natën e 17 Dhjetorit të vitit 1981, në një moment krize nervore, vret veten, sepse në një mbledhje të fundit të byrosë politike të P.P.Sh., ai sapo ishte kritikuar shumë ashpër nga E.Hoxha dhe anëtarët e tjerë të kësaj byroje. Por ky version, pas viteve 1990, nga të afërmit, miqtë e M.Shehut dhe shumë dashamirës të tjerë të tij, nuk u pranua. Ata kanë shpallur publikisht, se ai është vrarë.

Argumenti shkencor kryesor i vrasjes mbështetet në faktin, që pas kësaj ngjarjeje të rëndë, nga instancat e larta të shtetit dhe partisë nuk u lejua të bëhej autopsia e kufomës së M.Shehut, ndërsa në raste të tjera të ngjashme ajo është kryer. Që atëherë, në media dhe shtyp ka pasur artikuj dhe libra të shumtë, që përpiqen të argumentojnë vrasjen. Nga ana tjetër, njerëzit e rrethit të Enver Hoxhës, të afërmit, ata që i kishin shërbyer atij dhe shumë pasues të tjerë të tij, mbrojnë variantin zyrtar të vetëvrasjes. Pikërisht, në këtë kohë, rreth viteve 2000, kryesisht për të përforcuar këtë qëndrim, u botuan në shtypin tonë të përditshëm materialet kryesore të dosjes hetimore të vdekjes së M.Shehut, ku përfshiheshin edhe procesverbali i këqyrjes së vendit të ngjarjes, aktet e ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe kriminalistike, të shoqëruara me foto të shumta të kufomës, si dhe dëshmitë e familjarëve dhe personave që i kishin shërbyer M.Shehut ditën para se të vdiste.

Por argumenti më i rëndësishëm, që mbështeste vetëvrasjen, pa dyshim ishte e ashtuquajtuara letra e lamtumirës të M.Shehut që ai kishte lënë para se të vriste veten, që u shfaq dhe u botua në vitet 2000 nga Paskal Milo, pra mbi 20 vite pas vdekjes së M.Shehut. Më pas ka mjaft diskutime, madje të botuara, me arsyetime të shumta të stisura, kryesisht të karakterit psikologjik, që përpiqen të përforcojnë versionin zyrtar të vetëvrasjes.

Në këto rrethana, unë si ekspert mjeko-ligjor, por që tashmë kam dalë në pension dhe nuk punoj më në institutin e mjekësisë ligjore në Tiranë, nuk mendoj se do të shkel parimin e konfidencialitetit,  po ta analizoj këtë ngjarje për të cilën detajet dhe ekspertimi i saj janë paraqitur dhe diskutuar në të gjitha hollësitë e tyre në shtypin dhe medien e vendit tonë. Po kështu, besoj se nuk do të prek as dinjitetin dhe pavarësinë e kolegëve të mi që kanë kryer ekspertimin e këtij rasti, aq më tepër që edhe ata kanë dalë në pension, apo ndonjëri prej tyre nuk jeton më. Në të vërtetë, ideja që ta shqyrtoj këtë ngjarje në lidhje me ekspertimin e saj më ka lindur që prej shumë vitesh, por mendoj se vetëm tani ka ardhur koha që unë ta bëj këtë analizë, kjo në frymën e mjekësisë ligjore kriminalistike, për të dhënë një mendim sa më të pjekur mbi të vërtetën e kësaj ngjarjeje, i cili do të shërbejë për një sqarim sa më plotë të opinionit të vendit tonë. Siç dihet, mjekësia ligjore kriminalistike merr parasysh jo vetëm të dhënat e këqyrjes së kufomës, por edhe materialet hetimore, ato kriminalistike dhe shumë të tjera, për të ndihmuar organet e drejtësisë që ta rindërtojnë nga ana mjekoligjore dhe kriminalistike ngjarjen kriminale, për t’u bërë kështu i mundur klasifikimi juridik i saj: vrasje, vetëvrasje, apo aksident. Cilat janë të dhënat e këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe kufomës si dhe të dokumenteve të ekspertimeve mjeko-ligjore kriminalistike etj. ?

-Në procesverbalin e këqyrjes  së vendit të ngjarjes, të kryer nga kryetari i hetuesisë të Tiranës të asaj kohe, me pjesëmarrjen e shefit të byrosë së ekspertimit mjeko-ligjor në Tiranë, një eksperti tjetër mjeko-ligjor si dhe një eksperti kriminalist, përshkruhet me hollësi dhoma e gjumit të shtëpisë, ku u gjet i vdekur kryeministri M.Shehu. Në këtë dhomë, midis të tjerave, përshkruhet një krevat me gjerësi 181 cm dhe lartësi 90 cm., si dhe një komodinë në anën e majtë të krevatit. Në komodinë gjenden sende të ndryshme, si medikamente etj., po kështu një gotë me lëng të verdhë dhe një gëzhojë predhe pistolete të kalibrit 9 mm, që në nuhatje ka erë të lehtë baruti. Krevati ka sustën në formë divani, një dyshek të trashë dhe sipër tij një të hollë, çarçafë të bardhë dhe një batanie dopio dhe një teke. Në anën e majtë të krevatit gjendet kufoma, seksi mashkull, mosha rreth 70 vjeç, e shtrirë në shpinë me kokën pak të ngritur të vendosur në dy jastëkë dhe një batanie të palosur poshtë tyre; të dy duart janë të thyera në bërryle të mbështetura në trup me gishtat gjysmë të mbledhura; trupi është i mbuluar me batanije dhe çarçafin e krevatit, gjer afër mjekrës. Pas lëvizjes së kufomës shihet në buzën e poshtme gati në mes të jastëkut të sipërm një vrimë depërtuese me diametër 0.5 cm me një njollë me ngjyrë të kuqe të errët sipër përreth saj 3 x 3 cm; në jastëkun e poshtëm ka një vrimë 0.5 cm në pjesën e sipërme të të cilës 4 cm majtas ka një njollë me ngjyrë të kuqe të errët 1 x 1 cm. Në batanijen e palosur në tetë pjesë, në buzën e poshtme gati në mesin e saj ka një vrimë depërtuese me diametër 0.5 cm. Në çarçaf, ngulur në dyshek, 49 cm nga e majta dhe 23 cm nga kreu, gjendet një predhë e kalibrit 9 mm, e cila merret si provë materiale. Pothuajse në mesin e krevatit, mbi batanijen e sipërme, 48 cm larg nga dora e djathtë dhe në të djathtë të kufomës ndodhet një pistoletë e tipit “Makarov”, prodhim i vitit 1954, me një fishek në fole dhe pesë fishekë të tjerë në krehër. Veshja e kufomës përmban sipër: një këmishë të bardhë puplini dhe një kanotiere të bardhë me 3 kopsa (disa prej kopsave të këmishës dhe kanotierës janë të zbërthyera), ndërsa poshtë ka një palë bizhama. Në anën e majtë të këmishës, 14 cm nën qepjen e jakës së saj dhe 9 cm majtas buzës së vrimave të kopsave, shihet një dëmtim i çarë në formë kryqi me përmasa 3 x 2.3 cm; buzët e dëmtimit kanë ngjyrë të errët, veçanërisht më e theksuar në pjesën e sipërme, rreth e përqark materiali i këmishës në vendin e mësipërm paraqitet me nuancë të errët në një zonë që shtrihet nga e djathta në lartësinë 1.1 cm, nga ana e majtë 1 cm sipër dhe poshtë 0.5 – 0.8 cm. Poshtë këtij dëmtimi të këmishës fillon një njollë me ngjyrë të kuqe me trajtë të çrregullt me përmasa 5.3 x 4 cm. Në anën e majtë të kanatieres dhe pikërisht 12 cm poshtë jakës dhe 10 cm larg hapjes së gjoksit shihet një dëmtim në trajtë pothuajse të rrumbullakët dhe me diameter rreth 1.4 cm; buzët e dëmtimit paraqiten me ngjyrë të errët. Rreth e përqark dëmtimit në një masë rreth 1 cm ka një hematomë gri, 2mm poshtë dëmtimit fillon një njollë ngjyrë të kuqe që fillon 12 cm sipër saj në trajtë vizash të fshira, ndërsa poshtë zgjerohet deri në 12 cm dhe kap gjithë këmishën duke u shtrirë deri në fund 30 cm. Në pjesën e pasme të kanatieres 26 cm nën qepjen e jakës afërsisht në mesin e saj duket një dëmtim në formë gati të rrumbullakët me diametër 0.6 cm me buzë të përveshura nga jashtë. Në përshkrimin e kufomës, midis të tjerave, shënohet se: -në anën e majtë të kraharorit, 6.5 cm nga vija e mesit, 3 cm mbi nivelin e thithkës dhe 10.5 cm poshtë klavikulës ka një defekt vezak të indeve të buta 1.2 x 1.1 cm, me unazë dërrmishjeje përreth me gjerësi 2.5 mm, me minus ind. -në anën e majtë të shpinës dhe pikërisht 7.5 cm nën këndin e shpatullës dhe 5 cm nga vija e mesit shihet një dëmtim i indeve të buta gati i rrumbullakët me diameter 0.6 cm. -në thoin e gishtit të madh të dorës së djathtë dhe 2-3mm majtas tij ka njolla blu të errët që nuk fshihen. Gjatë këqyrjes së jashtme të kufomës nuk u vunë re dëmtime të tjera.

-Në aktin mjeko-ligjor të ekzaminimit të kufomës së qytetarit M.Shehu bëhet po ai përshkrim si në procesvebalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, por në lidhje me pikat e errëta me ngjyrë blu të thoit të gishtit të madh të dorës së djathtë, shënohet se ato janë nga veprimi i copave të barutit, po kështu është shtuar se dora e djathtë është e mbledhur grusht me gishtin tregues më afër pëllëmbës. Konkluzioni i këtij akti paraqitet si vijon: 1.Në trupin e kufomës së qytetarit M.Shehu u konstatua një plagë e tejpërtejme arme zjarri me vrimë hyrje në pjesën e përparme të majtë të gjoksit dhe me vrimë dalje në pjesën e majtë të shpinës, me karakteristikat e përmendura në pjesën përshkruese të këtij akti. 2.Dëmtimet e mësipërme janë shkaktuar nga një qitje e vetme arme zjarri në distance me puthitje jo hermetike dhe me drejtim nga përpara prapa, lehtësisht nga e djathta në të majtë dhe nga lart poshtë. 3.Vdekja e qytetarit M.Shehu ka ardhur nga shoku hemorragjik i shkaktuar me mundësinë më të madhe si pasojë e çarjes së zemrës ose të enëve të mëdha të gjakut që dalin prej saj. Vdekja duhet të ketë ndodhur rreth 10 – 12 orë para momentit të këqyrjes së kufomës, që u krye në orën 12.00. Raporti i ekspertimit tekniko-balistikt të pistoletës, gëzhojës dhe predhës të gjetur në vendin e ngjarjes, si dhe shenjave të gishtave të M.Shehut, për t’u krahasuar me ato të gjetura në djepin luajtës të pistoletës. Nga ky ekspertim, i kryer ditën e këqyrjes së vendit të ngjarjes (18 dhjetor 1981), i plotësuar edhe me provat e bëra me reaktivët Griss dhe Difenilaminë për zbulimin e faktorëve plotësues të qitjes, u arrit në përfundim se në pistoletën, teknikisht e rregullt dhe e përshtatshme për qitje, janë bërë qitje sot; gëzhoja dhe predha të gjetura në vendin e ngjarjes janë qitur me këtë pistoletë. Gjurma e gishtit në pistoletë është e të njëjtit lloj me shenjën e gishtit të madh të dorës së majtë të Mehmet Shehut. Nga dëshmitë e personave që e panë për herë të parë kufomën e M.Shehut: djali i tij Vladimiri, shoqëruesi A. Çeno dhe mjekët M.Kostaqi dhe Ll.Rroku etj., rezulton se kufoma u gjet e shtrirë në kurriz, e mbuluar me çarçaf dhe batanie deri afër qafës, me syze me skelet metalik me ngjyrë të verdhë dhe me fytyrë drejt nga tavani. Mjeku Ll. Rroku, pa rreth 1 m larg krevatit, një gëzhojë që e mori dhe e vendosi sipër komodinës në krahun e majtë të krevatit ku ishte kufoma e M.Shehut. Nga interpretimi i dokumentacionit të mësipërm sipas mjekësisë ligjore kriminalistike, menjëherë të bie në sy se përshkrimet e tyre janë të hollësishme dhe konkluzionet e akteve mjekoligjore dhe kriminalistike janë në përgjithësi të sakta, por ka edhe ndonjë mangësi të tyre. Kështu, nuk rezulton të jetë kryer matja e lartësisë së vrimave të plagës me armë zjarri nga thembrat e këmbëve apo pjesëve të poshtme të vitheve apo mollaqeve (tuberat ischiadike); po kështu nuk rezulton të jenë kryer ekzaminimet laboratorike dhe mikroskopike të përcaktimit të faktorëve plotësues të qitjes në teshat dhe indet e buta rreth vrimës së hyrjes të plagës me armë zjarri dhe të pikave të errëta me ngjyrë blu të thoit të gishtit të madh të dorës së djathtë, të gjitha këto shumë të rëndësishme për përcaktimin sa më shkencor të mekanizmave të kësaj ngjarjeje. Përveç këtyre, ka edhe disa veprime, kryerja e të cilave nuk është lejuar nga instancat e larta shtetërore:

-Nuk është bërë autopsia e kufomës (u ndalua dërgimi i kufomës në morg për kryerjen e saj), pavarësisht se në dëmtimet me armë zjarri është më e rëndësishme këqyrja e jashtme e plotë dhe e hollësishme e kufomës. Sidoqoftë, autopsia do të bënte të mundur zbulimin e saktë të kanalit dhe të indeve dhe organeve të prekura nga kalimi i predhës brenda trupit, të shkakut të vdekjes me saktësi shkencore si dhe të gjetjes së ndonjë lënde toksike eventuale që mund të ishte përdorur para vdekjes.

-Në paraqitjen e fotove të shumta të këtij rasti, mungojnë ato të pjesës së pasme të trupit.

-Nuk është kryer ekspertimi grafik i letrës së lamtumirës, që viktima mendohet se ka lënë para vdekjes; ajo është zhdukur menjëherë para fillimit të këqyrjes së vendit të ngjarjes. Siç dihet, letra e lamtumirës shkruhet nga personi para kryerjes së vetëvrasjes dhe lihet prej tij zakonisht në vende që zbulohen me lehtësi, siç pretendohet edhe në rastin e M.Shehut, kur kjo letër u gjet prej të birit te koka e krevatit ku ndodhej kufoma. Kjo letër duhet të shqyrtohet me kujdes nga grupi hetimor i vendit të ngjarjes në origjinalin e saj, me qëllim për të përcaktuar se ajo me të vërtetë është shkruar ose jo nga dora e vetëvrasësit. Për këtë ajo duhet t’i nënshtrohet edhe ekspertimit grafik krahasues me qëllim për të përjashtuar falsifikimin apo ndërhyrjen e një dore të huaj në përpilimin e saj, siç ndeshet në mjaft raste të fshehjes së vrasjeve. Kjo madje edhe në ato raste, kur kjo letër përmban të pasqyruara mendimet e vetë viktimës që mund të jenë shkruar nga vetë viktima kur ka qenë gjallë, por që më pas janë manipuluar nga vrasësi. Këto rezerva që vënë në dyshim vërtetësinë e letrës së lamtumirës, mund të kenë qenë edhe në letrën e supozuar të lamtumirës së M.Shehut. Aq më tepër që kjo letër e gjetur në vendin e ngjarjes, u zhduk menjëherë nga organet e partisë dhe shfaqet pas 21 vite nga kjo ngjarje. Në këto kushte, ajo nuk ka asnjë vlerë hetimore.

-Nuk është kryer një eksperiment hetimor për rindërtimin e ngjarjes, pozicionit që ka pasur viktima në momentin e qitjes, kjo me anë të përcaktimit të trajektores së predhës vdekjeprurëse nga trupi deri te vendi ku ajo u gjet në pjesën e sipërme të dyshekut afër kreut të tij. Le të imagjinojmë me të dhënat që kemi, sesi duhet te ketë qenë kjo trajektore dhe pozicioni i viktimës. Kështu, në vrimat e plagës me armë zjarri në anën e majtë të gjoksit dhe shpinës të këtij rasti, vrima e daljes ndodhet pak më poshtë dhe më brenda (më afër vijës së mesit) kundrejt asaj të hyrjes. Kjo tregon se kalimi i predhës në trup ka qenë jo vetëm nga para-prapa, por dhe nga sipër – poshtë dhe nga jashtë – brenda d.m.th. nga e majta në të djathtë (jo nga e djathta në të majtë sikurse është shkruar gabimisht në aktin mjekoligjor). Me këto konstatime të pasqyruara edhe në konkluzionin e aktit mjekoligjor përkatës, duke marrë parasysh që plumbi është gjetur 23 cm nga kreu i çarçafit të dyshekut të krevatit, qitja në pozicionin shtrirë në kurriz e viktimës mbi këtë krevat, është e pamundur të realizohet, sepse me drejtim nga sipër – poshtë, në këtë pozicion, predha do të shkonte më afër mesit të krevatit dhe jo pranë pjesës së sipërme të tij, ku u gjet. Më e mundshme do të ishte që pozicioni i viktimës në momentin e qitjes të ketë qenë ndenjur afër pjesës së mesme të krevatit, me gjysmën e sipërme të trupit në pozicion vertikal. Në mbështetje të idesë që ka qenë ky pozicioni i viktimës, në të cilin ajo duhet të ketë ndenjur për një farë kohe më të shkurtër ose më të gjatë pas qitjes me armë zjarri, është edhe prania e përhapur e gjakut në trajtë njollash, në pjesët e poshtme të teshave, poshtë vrimave të predhës. Në të vërtetë ky pozicion ndenjur i viktimës në momentin e qitjes me armë zjarri, do të vërtetohej më me saktësi po të ishte kryer menjëherë, ose dhe më vonë pas ngjarjes, eksperimenti hetimor duke përdorur një fije spangoje ose dritë lazer të vendosur ose lëshuar sipas këndit të kësaj qitjeje dhe lartësisë së dëmtimeve në qëndrimin ndenjur të viktimës, drejt vendit ku u gjet predha. Regjioni ku është vrima e hyrjes së plagës me armë zjarri, në anën e majtë të sipërme të gjoksit, takohet si në rastet e vetëvrasjeve ashtu dhe në ato të vrasjeve. Diferencën e bën drejtimi i qitjes apo i kalimit të predhës në trup. Nga literatura përkatëse dhe përvoja e gjatë mjekoligjore dhe kriminalistike e vendit tonë, po kështu nga përvoja time personale, vetëvrasësi synon të ketë një pozicion sa më të volitshëm dhe më të qëndrueshëm të dorës së djathtë që mban armën me drejtimin e qitjes nga para – prapa, horizontalisht ose pak nga sipër dhe nga e djathta në të majtë. Sipas të dhënave mjekoligjore dhe kriminalistike të vdekjes së M.Shehut, që mbështesin versionin zyrtar të vetëvrasjes, viktima ka qëlluar veten me armën që mbante me dorën e djathtë, e ndihmuar ndofta nga dora e majtë që mbante pjesën e përparme të armës (gjetja e gjurmëve të gishtit të madh të dorës së majtë të viktimës te pjesa e përparme e armës). Kjo për faktin që arma u gjet e hedhur në anën e djathtë të krevatit, pozicioni i dorës në atë shtangësisë kataleptike (për mendimin tim pa ndonjë bazë shkencore) dhe pranisë së barutit në gishtin e madh të dorës së djathtë (konstatim ky i pavërtetuar qoftë edhe me një analizë të thjeshtë laboratorike për të përjashtuar një prejardhje tjetër). Me këto të dhëna, sipas versionit të vetëvrasjes, drejtimi i qitjes, sipas pozicionit më të volitshëm të dorës që mbante armën, duhet të kishte qenë nga para – prapa dhe horizontalisht ose për nga sipër dhe nga e djathta në të majtë. Por ky drejtim nuk është konstatuar në rastin e vdekjes së Mehmet Shehut. Ai ka qenë nga para – prapa por jo horizontal ose nga poshtë – sipër, por nga sipër – poshtë dhe jo nga e djathta në të majtë, por nga e majta në të djathtë. Ky drejtim qitjeje, me të dhënat e tjera të pozicionit të viktimës, flet në mënyrë të qartë se ky është një rast i pastër vrasjeje. Pra mundësia më e madhe është që vdekja e Mehmet Shehut  të ketë qenë vrasje. Ekzekutori që duhet të ketë qenë më këmbë në të majtë të krevatit, më përpara , dhe pak më lart vendit ku qëndronte ulur Mehmet Shehu, pak a shumë përballë tij,e ka qëlluar viktimën me armë zjarri në anën e majtë të gjoksit me një drejtim të qitjes më të volitshëm për të: nga para – prapa, nga sipër – poshtë dhe pak nga e majta në të djathtë, siç ka rezultuar nga ekzaminimet mjekoligjore dhe kriminalistike të këtij rasti. Kjo analizë e materialeve te këtij rasti, mua më përforcojnë bindjen, në përputhje kjo edhe me të dhënat e tjera (mos lejimi i kryerjes së autopsisë, fshehja e të ashtuquajturës letër e lamtumirës për t’u rishfaqur pas 21 vitesh nga ngjarja etj.) dhe mendimin e shprehur më herët ose më vonë në favor të homicidit të disa prej mjekëve që kanë këqyrur, apo ekzaminuar kufomën menjëherë pas kësaj ngjarjeje, që vdekja e Mehmet Shehut duhet të ketë qenë vrasje dhe jo vetëvrasje.