Prof.Dr. Elmaz Leci: Zgjedhjet që penalizuan 10 vjet pranimin e Shqipërisë në OKB

1015
Sigal

  Paralele historike 65 vjet më parë rreth bisedimeve Hoxha-Jacobs, roli i Jugosllavisë dhe kushtet e Uashingtonit

 

 Nga Prof. Dr. Elmas Leci

Drejtor Ekzekutiv

Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare

Më 15 dhjetor të vitit 1955, Qeveria shqiptare u njoftua zyrtarisht për vendimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-s për pranimin zyrtarisht të Shqipërisë me të drejta të plota, anëtare e OKB-së, një vendim i shumëpritur dhe i merituar i popullit shqiptar. Tre ditë më vonë, Qeveria shqiptare njoftoi caktimin e delegacionit të saj zyrtar në Sesionin e 10 -të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Që nga ajo kohë Shqipëria gëzon statusin e shtetit anëtar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Po përse Shqipëria u penalizua kaq gjatë, deri sa i u dha drita jeshile e antarësimit?!

Ky penalizim 10- vjeçar, që nga kërkesa e parë për pranim në vitin 1945, ishte rezultat i sjelljes së Enver Hoxhës me popullin dhe ndërkombëtarët. Në 10 vjet, kërkesa për pranimin e Shqipërisë në OKB, u kurdisën “shumë komplote” siç është thënë nga literatura e ish-regjimit komunist, por një qëndrim i tillë antiperëndimor, ndiqte një trajektore të caktuar. Duhet thënë se barriera më e madhe për mospranimin e Shqipërisë në OKB, ishte regjimi komunist shqiptar, vetë Enver Hoxha.

Që pas kërkesës që mban datën 14 mars 1945, kohë kur “qeveria” shqiptare bëri kërkesën e parë për pranimin e Shqipërisë në OKB, nisi edhe diskutimi në Këshillin e Sigurimit në shqyrtim të Kërkesës. Anglo-amerikanët vunë veton që kërkesa shqiptare të mos shqyrtohej, sepse ndonëse ata e njihnin luftën e pabarabartë dhe sakrificat e kontributin e popullit shqiptar në triumfin e kauzës së përbashkët që ishte fitorja kundër fashizmit, i bënë të qartë Qeverisë shqiptare të asaj kohe, se Fuqitë iniciatorë të krijimit të kësaj organizate dmth. të OKB-s, kishin rënë dakord të mos ftoheshin në Konferencën e San Françiskos qeveritë, që nuk ishin njohur akoma nga ato dhe me të cilat si pasojë nuk ishin vendosur marrëdhënie zyrtare diplomatike, siç ishte rasti i Qeverisë shqiptare.

Ndonëse këmbëngulja anglo-amerikane për arsyen e lartpërmendur, ishte kundër shqyrtimit të kërkesës së Qeverisë së Enver Hoxhës për anëtarësim në OKB, më 13 shkurt të vitit 1946, pasi kishte bërë kërkesën e dytë, kjo kërkesë e Qeverisë shqiptare u vu për shqyrtim në agjendën e Këshillit të Sigurimit. Por një ditë para shqyrtimit në Këshillin e Sigurimit, pra me 12 shkurt, ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Rendis, duke qenë i informuar indirekt mbi qëndrimin edhe të anglezëve edhe të amerikanëve, i dërgoi një letër Kryetarit të Këshillit të Sigurimit, Makin, ku i kërkonte që “shqyrtimi i çështjes shqiptare të shtyhej”. Argumenti jepej e justifikohej se “Shqipëria ishte në gjendje lufte me Greqinë”.

Komiteti i Pranimeve të Anëtarëve të Rinj, kërkonte informacione shtesë për të shoqëruar aplikimin e Qeverisë shqiptare për pranimin e Shqipërisë në OKB, ndër ta edhe informacion mbi zgjidhjen e problemeve të marrëdhënieve me Greqinë, mbi qëndrimin e Qeverisë së Enver Hoxhës ndaj vlefshmërisë së Traktateve dhe Marrëveshjeve në fuqi të nënshkruara para 7 prillit të vitit 1939 midis Shqipërisë dhe shteteve anëtare të OKB-s, apo informacion zyrtar për zhvillimin e zgjedhjeve të 2 dhjetorit të vitit 1945 dhe rezultatin e tyre etj. Përgjigja e marrë në ato vite nga Qeveria e Enver Hoxhës për këto çështje, nuk ishte korrekte as për historinë e Traktateve dhe të Marrëveshjeve, as mbi zhvillimin e ngjarjeve lidhur me zgjedhjet e 2 dhjetorit. Për Traktatet dhe Marrëveshjet, shkruhej në përgjigjen e Enver Hoxhës për Komitetin e Pranimeve të Anëtarëve të Rinj në OKB, “Qeveria shqiptare pranonte diskutimin e vlefshmërisë së tyre por pasi të ishin vendosur më parë marrëdhëniet diplomatike me shtetet nënshkruese”, qëndrim që nuk gjeti dakordësi nga Fuqitë e Mëdha, bazuar arsyetimi në të drejtën ndërkombëtare për këto raste.

Për çështjen e pretendimeve të ministrit të jashtëm grek, “për sulmin ushtarak të Shqipërisë ndaj Greqisë”, përgjigja që i u dha Komitetit të Pranimeve të Anëtarëve të Rinj ishte se kjo çështje nuk qëndronte, pasi “Shqipëria ishte vetë e pushtuar nga Italia fashiste gjatë Luftës së dytë Botërore dhe një i pushtuar, nuk ka sesi të ndërmarrë akte agresioni ndaj një tjetri”, aq më shumë që edhe dy batalionet ushtarake që mbanin emra shqiptar, “Tomori” dhe “Taraboshi”, por që ishin në përbërje mobilizimi të Ushtrisë italiane, të cilët u çuan nga Italia në frontin grek, nuk pranuan të luftonin dhe dezertuan. Në fakt letra e ministrit të Jashtëm të Greqisë, ngjalli debate dhe u arkivua në dokumentet e Këshillit të Sigurimit. Por në vijim ministri i Jashtëm grek e shfrytëzoi qëndrimin anglo-amerikan se “Kërkesa e pranimit të Shqipërisë në OKB, ngre çështje shumë delikate”, ndaj unë, u shpreh delegati britanik Bevin, “nuk kam ndërmend të diskutoj këtë mbrëmje. Në qoftë se unë do të jem i detyruar të shprehem këtë mbrëmje, do të më duhej të votoja kundër pranimit të Shqipërisë”. Këtë qëndrim tepër elokuent të Bevinit, propaganda zyrtare e regjimit të Tiranës, nën dirigjimin e asaj të Beogradit e të Moskës, e amplifikoi së tepërmi si qëndrim armiqësor ndaj Shqipërisë. Pavarësisht nga dashakeqësia greke dhe zhbirilimi i momentit për t’iu kundërvënë Kërkesës shqiptare, qëndrimi anglo-amerikan në shtyrje të kërkesës për pranimin e Shqipërisë në OKB justifikohej plotësisht, sepse Qeveria e Tiranës edhe pa “çështjen greke” nuk i plotësonte kushtet e pranimit në OKB, për shkak të mohimit në zgjedhje të para e si rezultat edhe të lirive themelore të të drejtave të njeriut.

Sipas dokumentacioneve, anglo-amerikanët bënë tërë ato tentativa për ta demokratizuar regjimin e Tiranës. I theksuan atij verbalisht e me shkrim se pranimi në OKB, kërkonte plotësimin e disa kritereve e të disa parametrave, si zgjedhjet e lira që nuk ishin bërë të tilla, apo lejimi i veprimtarisë korrekte të misioneve angleze e amerikane në Shqipëri, të drejtat e njeriut e deri te respektimi i Traktateve e Marrëveshjeve dy e shumëpalëshe, të nënshkruara në kohën e Mbretit Zog. Ndonëse këto ishin thelbësore, Enver Hoxha amplifikonte në popull se “refuzimi që i bëhej Shqipërisë për pranimin në OKB”, bëhej nga që sipas tij “Uashingtoni dhe Londra ishin të pakënaqura nga qëndrimi i mbajtur nga Qeveria Shqiptare ndaj pretendimeve të tyre, sidomos nga mundësitë e pakta që u ishin krijuar misioneve angleze e amerikane në Shqipëri, për të ushtruar veprimtarinë komplotiste kundër pushtetit popullor”. Kështu i cilësonte regjimi i Enver Hoxhës, si qëndrimet ashtu edhe veprimtarinë e anglo-amerikanëve.

Në një artikull, shkruar nga një diplomat amerikan për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, thuhet se “Enver Hoxha dhe Josif Broz Tito, i larguan SHBA nga Shqipëria”. Dhe, ja si shkruan ai për këtë problem: “Si rrjedhim i raportit të 8 shkurtit të vitit 1946 të zotit Jacobs (përfaqësues i misionit amerikan në Tiranë), Departamenti i Shtetit i dërgoi më 12 shkurt të vitit 1946 një Notë të fortë Enver Hoxhës, duke iu ankuar rreth trajtimit jo të sjellshëm të anëtarëve të Misionit dhe duke kërkuar përsëri që Qeveria Shqiptare të njoftonte se i njihte Traktatet dhe Marrëveshjet e mëparshme”. Në të njëjtën kohë, theksohej në atë notë, “Qeveria e Shteteve të Bashkuara dëshiron të mos lerë asnjë dyshim në mendjen e autoriteteve shqiptare që, në qoftë se vazhdon trajtimi jo i sjellshëmm ndaj misionit dhe përpjekjet e tanishme për të pastruar atmosferën jo miqësore dështojnë, atëherë do ta ndiejë veten të detyruar të rishqyrtojë qëndrimin e saj ndaj regjimit të tashëm”.

 

Në një takim që bën me Enver Hoxhën më 27 shkurt të vitit 1946, për të biseduar rreth notës së Qeverisë Amerikane, përfaqësuesi i SHBA Jacobs, i bëri një theksim të veçantë Marrëveshjes së Kombit më të Favorizuar (Most Favored Nation Agrement), që i ishte akorduar Shqipërisë nga SHBA. Në përgjigje, Enver Hoxha, i bëri një deklaratë të tillë se “detyra e parë e Qeverisë së tij pas njohjes nga Shtetet e Bashkuara, do të jetë rishqyrtimi i Traktateve dhe i Marrëveshjeve dhe se Qeveria e Shteteve të Bashkuara duhet t’i besojë qeverisë së tij”. Lidhur me këtë çështje, Jacobs-i, në kabllogramin e tij të datës 28 shkurt të vitit 1946, iu përgjigj Enver Hoxhës se “kjo nuk ishte një çështje besimi, sepse në vështrim të zhvillimeve të fundit (me këto fjalë duhet të kihet parasysh shtimi i influencës së sovjetikëve dhe jugosllavëve në Shqipëri), Marrëveshja e Kombit më të Favorizuar dhe Traktati i Natyralizimit, janë për Shqipërinë më me rëndësi se kurdoherë tjetër”. Theksimi i Jacobs-it mbi “Marrëveshjen e Kombit më të Favorizuar”, u bë në një kohë kur jugosllavët kishin atëherë nën kontroll të plotë Enver Hoxhën dhe ishin duke përpiluar me të Traktate, për ta përfshirë ekonominë e Shqipërisë në gjirin e ekonomisë së Jugosllavisë dhe jo vetëm kaq, por synimi ishte për ta gllabëruar Shqipërinë nga Jugosllavia.

 

Pikërisht kur zhvilloheshin bisedimet Hoxha – Jacobs të 27 shkurtit, jugosllavët vendosën të mos e linin Enver Hoxhën ta pranonte kushtin e Uashingtonit, lidhur me pranimin e “Marrëveshjes së Kombit më të Favorizuar”, dhe kjo gjë është vënë në dukje në Librin e Bardhë jugosllav “Lidhjet jugosllavo-shqiptare 1939-1948” të përpiluar me dokumente nga Vladimir Dedijeri (biograf i Titos) dhe botuar në Beograd më 1949. Dedijeri shkruan se “sikur Qeveria Shqiptare ta kishte pranuar kushtin e Marrëveshjes dhe të Traktateve “qarqe financiare amerikane do ta kishin skllavëruar plotësisht ekonomikisht Shqipërinë”. Ishte pikërisht kjo arsye thotë Dedijer, që “miqtë e jashtëm” (lexo jugosllavët dhe sovjetikët) ndërmjetësuan te Enver Hoxha që ta hidhte poshtë kushtin e Shteteve të Bashkuara”.

 

Rezultat i këtyre qëndrimeve antiperëndimore, regjimi i Enver Hoxhës po haste kundërshtime për njohje, jo vetëm nga jashtë nga anglo-amerikanët e fuqitë e tjera të mëdha Europiane por edhe nga shumë njerëz dhe personalitete brenda vendit, gjë që lidhej edhe me njohjen ndërkombëtare apo pranimin në OKB.  Për shembull, Suat Asllani, jurist me përvojë tepër të madhe, anëtar i Kryesisë së Përgjithshme të Frontit Demokratik të Shqipërisë, kur u propozua për të hedhur kandidaturën për deputet në zgjedhjet e vitit 1946, ai i kërkoi Enver Hoxhës “që të kishte kujdes në bërjen e Ligjit të zgjedhjeve, të kërkonte asistencë juridike dhe mbështetjen e aleatëve Perëndimorë, pasi ai ishte kusht për njohjen e Shqipërisë nga Anglia, Franca dhe SHBA”. I tillë ishte edhe qëndrimi i Sejfulla Malëshovës, një figurë shumë e rëndësishme e Luftës Antifashiste, i cili ishte për një hapje dhe orientim sa më të gjerë drejt Perëndimit. Jo vetëm kaq, por Sejfulla Malëshova në shkurt-mars të vitit1946 (kur diskutoheshin politika, programi i qeverisjes dhe Kushtetuta), kërkoi nga Enver Hoxha pranimin e Traktateve, që ekzistonin para çlirimit midis SHBA dhe Shqipërisë, duke e argumentuar këtë jo vetëm me interesin e bashkëpunimit, por edhe me vijueshmërinë juridike të shtetit shqiptar.

 

Por në antitezë, Qeveria e Enver Hoxhës, jo vetëm që bëri një Ligj zgjedhjesh antidemokratik, por   nuk i ndryshuan as sjelljet ndaj përfaqësuesve anglo-amerikanë dhe i kurorëzuan ato me përzënien nga Shqipëria apo qëndrimin dashakeqës ndaj UNRRA-s. Ligji i zgjedhjeve dhe vetë zgjedhjet, treguan qartë se regjimi i Enver Hoxhës, nën inspirimin e diktatin sllav, ishte dhe mbeti antiperëndimor e antidemokratik. Gjithashtu këtyre parametrave antiperendimore të manifestuara nga rregjimi i Enver Hoxhës i u shtua  edhe kompromentimi si në rastin ndaj përkrahjes së forcave antiqeveritare greke, gjë që çoi në konfliktin ndërkufitar të gushtit të vitit 1949.

 

Veprimet e mësipërme që theksuam, të gjitha këto, diplomacia perëndimore i ndiqte me interes dhe i dënonte, ndërsa situata në Shqipëri shikohej me pesimizëm. Projekti për aneksimin e Shqipërisë në Federatën Jugosllave, në atë kohë ishte tepër destabilizues, që Perëndimi në asnjë mënyrë nuk mund ta lejonte. Koncepti demokratik Perëndimor ishte se demokratizimi arrihej në vende të stabilizuara, ndërsa vendet pa stabilitet janë provendosjes së rregjimeve diktatoriale komuniste. Sipas parimeve të së drejtës ndërkombëtare, parim bazë edhe i demokracive Perëndimore, ishte një Ballkan i lirë dhe me qeverisje demokratike. Në rastin konkret, një Shqipëri në stabilitet, që të plotësonte parametrat Perendimore  demokratike dhe të bëhej edhe anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duhej të eleminonte fillimisht kontradiktat e sajuara që kishin shkuar deri në shkëputje të marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane, shqiptaro-angleze apo shqiptaro-perëndimore, që ishin rezultat i qëndrimeve antidemokratike të rregjimit të Enver Hoxhës dhe përgjegjësi vetëm e tij.

 

Marrëdhëniet jo normale të rregjimit të Enver Hoxhës me anglo-amerikanët apo aplikimin e ligjit antidemokratik të zgjedhjeve, grekërit i shfrytëzuan duke u përfshinë me pretendimet e tyre territoriale. Ndryshe nga grekërit dhe përkundrazi anglezët e amerikanët i shfaqnin hapur pretendimet dhe kërkesat e tyre parimore ndaj rregjimit të Enver Hoxhës. Por Enver Hoxha, ndonëse duhej të reflektonte ndaj miqëve të mëdhenj të popullit shqiptar, përkundrazi me Polici e Sigurim ndiqte hap pas hapi jo vetëm Misionarët anglo-amerikanë në Shqipëri por edhe njerëzit shqiptarë që takoheshin me ta. Në këto kushte, të një ndjekje të paprecedentë “ne nuk mund të qëndrojmë më në Tiranë -shprehej Nil, -përfaqësuesi i Misionit Ushtarak anglez, -por “ne do të kthehemi në Shqipëri në një mënyrë tjetër”. Aludohej për rikthimin me fitoren e demokracisë e cila një herë do të vendosej, siç fitoi dhe u vendos. Thënien e mësipërme të Nilit dhe të tjerëve misionarë amerikano-anglezë, Enver Hoxha dhe kalemxhinjtë e tij e shfrytëzuan gjatë dhe me kontekstin si kërcënim. E vërteta është se pas gjysmë shekulli, ato anglo-amerikanët u kthyen vërtet “ndryshe”, u kthyen me demokracinë.

 

Pasi ishte shtyrë për disa muaj, (nga shkurti deri në maj të vitit 1946), kërkesa e Shqipërisë për pranim në OKB, u vu përsëri në agjendën e Këshillit të Sigurimit në muajin maj. Enver Hoxha ndonëse e kishte ripërsëritur kërkesën për pranim, nga ana tjetër nuk u ishte përgjigjur sqarimeve të Qeverisë Amerikane lidhur me statusin e Traktateve. Për këtë më 14 maj të vitit 1946, Departamenti i Shtetit i SHBA i dërgoi një memorandum Qeverisë së Enver Hoxhës, ku i theksonte se Kërkesën për pranimin e Shqipërisë në OKB “mund ta gjykojë vetëm me dyshime të mëdha sepse dyshon në vullnetin e autoriteteve shqiptare për të përmbushur me mirëbesim përgjegjësitë ndërkombëtare”. Si rezultat i këtij konkluzioni dhe qëndrimi të SHBA që bënë për Shqipërinë dhe i projektrezolutës së përfaqësuesit amerikan Stetincus në Këshillin e Sigurimit, më 15 korrik të vitit 1946, shqyrtimi i Kërkesës së “Qeverisë” së Enver Hoxhës, u shty përsëri për në një kohë tjetër dhe çështja e pranimit të Shqipërisë në OKB i kaloi përsëri Komitetit të Kërkesave.

 

Më 2 gusht të vitit 1946 në Paris u takuan dhe bisduan edhe për çështjen shqiptare, Sekretari amerikan i Shtetit Byrnes, me kryeministrin grek Caldaris dhe kryeministrin anglez Etli (Attlee), takim që u bë jo për copëtimin e Shqipërisë, as për të joshur kërkesën greke për plotësimin e pretendimit për “Vorio Epirin”, siç u paraqit në opinion nga Enver Hoxha, por për ta bindur kryeministrin grek që pretendimet që kishte e që mbronte, ishin të pabazuara. Për ta argumentuar këtë, citojmë pyetjen që iu bë më 9 gusht të vitit 1946 delegacionit shqiptar në Komitetin e Kërkesave në Nju Jork: “A e konsideron Qeveria Shqiptare veten e saj në gjendje lufte me Greqinë dhe në qoftë se është ashtu, si do të përfundonte kjo gjendje lufte, sipas pikëpamjes shqiptare”?.Nëpërmjet pyetjes asgjësuese se: “a e konsideron Qeveria Shqiptare veten e saj në gjendje lufte me Greqinë?”, përfaqësuesi amerikan, ndonëse ishte i qartë dhe e njihte mirë historinë, kërkonte nga përfaqësuesi shqiptar shpalosjen e fakteve dhe ngjarjeve për luftën italo-greke të ndërmarrë nga territori i pushtuar shqiptar.

Nesër do lexoni:

-Si rrodhën marrëdhëniet jo normale të rregjimit të Enver Hoxhës me anglo-amerikanët

– Anglo-amerikanët, siç del nga dokumentacionet autentike, kërkonin rindërtimin e një Shqipërie demokratike

– Enver Hoxha, ndiqte hap pas hapi jo vetëm Misionarët anglo-amerikanë në Shqipëri por edhe njerëzit shqiptarë që takoheshin me ta

– Më 14 maj të vitit 1946, Departamenti i Shtetit i SHBA i dërgoi një memorandum Qeverisë së Enver Hoxhës

 

 

Dketuuuuuuuuuu

-Si rrodhën marrëdhëniet jo normale të rregjimit të Enver Hoxhës me anglo-amerikanët

– Anglo-amerikanët, siç del nga dokumentacionet autentike, kërkonin rindërtimin e një Shqipërie demokratike

– Enver Hoxha, ndiqte hap pas hapi jo vetëm Misionarët anglo-amerikanë në Shqipëri por edhe njerëzit shqiptarë që takoheshin me ta

– Më 14 maj të vitit 1946, Departamenti i Shtetit i SHBA i dërgoi një memorandum Qeverisë së Enver Hoxhës

 

 

 

Historiografia komuniste i ka paraqitur këto momente si unison të diplomacisë amerikane e angleze me atë greke. Ja si thuhej në një nga materialet propagandistike të Tiranës zyrtare: “Në të gjitha institucionet e forumet ndërkombëtare, Shqipëria ndodhej përpara qëndrimeve armiqësore anglo -amerikane, të cilat në thelb ishin të njëjta sepse frymëzoheshin nga po ato qëllime: Izolimin e shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare dhe përmbysjen e pushtetit popullor”. Po, a është kjo e vërteta apo duhet konkluduar për problemin ndryshe?

 

Anglo-amerikanët, siç del nga dokumentacionet autentike, kërkonin rindërtimin e një Shqipërie demokratike, me të gjitha parametrat Perëndimore. Ngjarjet, qysh gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas çlirimit nazifashist të Shqipërisë, për to zhvilloheshin ndryshe, ndaj nuk është e padrejtë pyetja, që shtrohej rreth përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme të 2 dhjetorit të vitit 1945. Mirëpo Tirana zyrtare e kohës së Enver Hoxhës, si pyetjen për zgjedhjet dhe atë për gjendjen e luftës me Greqinë apo për Traktatet e Marrëveshjet SHBA-Shqipëri para pushtimit të Shqipërisë e për incidentin e Kanalit të Korfuzit, i quan të gjitha tendencioze dhe qëndrim mohues i anglo-amerikanëve kundër pranimit të Shqipërisë në OKB. Mirëpo e vërteta është krejt ndryshe dhe konceptimi se si duhet kuptuar diplomacia amerikane, e cila ishte tjetër gjë nga ajo që propagandonte Tirana zyrtare e Enver Hoxhës. Këtë nuk kishte si ta kuptonte ose nuk donte ta kuptonte Enver Hoxha sepse ai çdo gjë e kalonte për miratim nga Beogradi e Moska.

 

Më 28 dhe 29 gusht të vitit 1946, bazuar te raporti i Komitetit të Kërkesave, Këshilli i Sigurimit të OKB-së e rifilloi përsëri diskutimin për pranimin e anëtarëve të rinj në organizatë. Në skenë për çështjen shqiptare dmth antishqiptare doli përsëri greku. Një javë më parë dhe pikërisht më 21 gusht, Dendramis, përfaqësues i Greqisë i kërkonte Këshillit të Sigurimit se “kur të diskutohej kandidatura shqiptare ai të ishte prezent, pasi sipas tij çështja që do të shqyrtohej prekte interesat e vendit të tij, Greqinë”. Kjo përsëri nga historiografia zyrtare e periudhës komuniste, u quajt veprim i kurdisur i diplomacisë së fshehtë nga amerikanët dhe anglezët, të cilët për korrektesë duhet thënë se nuk kishin arsye të flisnin me zë tjetër kundër Shqipërisë. Kundërshtitë ndaj regjimit të Tiranës anglo amerikanët nuk i bazonin, as nuk shpresonin te ndihma greke, por veçse te qëndrimi, të cilin e kishin shpalosur hapur se “ne amerikanët, kemi dyshime për meritat e Shqipërisë”. Aq sinqerisht flisnin amerikanët sa që kur ishte puna për mosbesim ndaj “Qeverisë” së Enver Hoxhës, shprehnin mosbesim edhe kur flisnin për popullin shqiptar shprehnin siç theksonte Xhonsoni përfaqësues i Departamentit të Shtetit të SHBA-së në Këshillin e Sigurimit, vetëm mbështetje. Xhonsoni shprehej se “SHBA ushqen simpati të madhe për popullin shqiptar dhe shpreson ta shikojë Shqipërinë të përfaqësuar në Gjirin e Kombeve të Bashkuara”.

 

Nëse amerikano-anglezët këmbëngulin te të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, që rregjimi i instaluar stalinist i Enver Hoxhës po i mohonte, grekët ngrinin pretendimet rivendikuese, pretendime që diplomacia amerikane me deklarime të drejtpërdrejta i hodhi poshtë si në Komitetin e Ankesave ashtu edhe në Këshillin e Sigurimit. Nëse Amerika synonte dhe tentonte të ndryshonte me rrugë demokratike vetëm sistemin ekonomiko-shoqëror e politik në Shqipëri dhe të mos e cenonte sovranitetin dhe aq më pak integritetin territorial, grekët apo jugosllavët të mbështetur nga sovjetikët stalinistë synonin ta gëlltisnin komplet Shqipërinë.

 

Kërkesa e Shqipërisë në vitin 1946 për t’u pranuar në OKB, ra, por ra jo si rezultat i diplomacisë së fshehtë amerikano-angleze me Greqinë, por si rezultat i mosplotësimit nga Shqipëria të parametrave të pranimit në OKB, të sanksionuar këto sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara. Të kundërtën theksonte propaganda zyrtare komuniste, e cila trumbetonte se “politika e izolimit ndërkombëtar të Shqipërisë që ndiqnin SHBA-ja dhe Anglia,  nuk e trembte popullin shqiptar sepse Partia e Punës (Komuniste) me kohë e kishte bërë të qartë se forcimi i pozitave ndërkombëtare të Shqipërisë, do të bëhej në luftë të pandërprerë me imperialistët anglo-amerikane dhe pasuesit e tyre”.

 

Kundërshtimi anglo-amerikan për mospranimin e Shqipërisë në OKB, lidhet edhe me një fakt tjetër tashmë të njohur e të panjohur me emrin “incidenti i Kanalit të Korfuzit”. Nga dokumentacionet është arritur në konkluzionin se konflikti shqiptaro-anglez e kishte bazën në Beograd, të cilët me miratimin e Enver Hoxhës kurdisën prapaskenën dhe vranë 44 marinarë të pafajshëm anglezë. Ngjarja ndodhi kur Shqipëria kërkonte me këmbëngulje të pranohej në OKB, gjë e cila Beogradit nuk i pëlqente, sepse planet ishin për aneksimin e Shqipërisë në Federatën Jugosllave, kurse pranimi në OKB ua vështirësonte në mos edhe ua hiqte këtë shans jugosllavëve.

 

Por si mund të ishin pro anëtarësimit në organizma ndërkombëtare të një regjimi si ai i Enver Hoxhës, i cili jo vetëm në planin e brendshëm por edhe në atë të jashtëm ndiqte një politikë luftënxitëse dhe zbatonte një diplomaci të fshehtë për minimin e paqes rajonale? Ndihma morale e materiale ndaj partizanëve grekë, tregon qartë veprimtarinë antidemokratike e të pajustifikueshme të Enver Hoxhës në kundërshtim me qëllimet  themelore të OKB-së.

 

Në Sesionin e 5-të të OKB-së, pasi çështja shqiptare në të gjitha sesionet e tjera nuk kishte përparuar apo refuzuar për plotësim kushtesh, u fut përsëri në rendin e ditës por hyri akoma në një rreth edhe më të madh vicioz. Përveç të tjerave asaj i shtohej edhe sfera lindore e përkatësisë. Amerikanët me të drejtë këmbëngulnin në demokratizimin e jetës e të politikës shqiptare, në të kundërt Qeveria Amerikane “nuk mund të mbështeste pranimin e Shqipërisë” në OKB. Ndërsa në Sesionin e 6 -të, delegati amerikan Gros, theksoi në OKB se “Shqipërinë e pengonin për anëtarsim në OKB aktet e saj antidemokratike” dhe numëroi tri të tilla që ishin: 1. Mbështetja që po i jepte luftës në Kore.  2. “Aktet armiqësore” ndaj Jugosllavisë.  3. Mungesa e marrëdhënieve normale me Greqinë

 

Për të disatën herë, Qeveria e Tiranës, më 10 korrik 1952 e përsëriti sërish kërkesën për pranimin e Shqipërisë në OKB. Përsëri qëndrimi Perëndimor doli i qartë, ishte kundër, pasi në Shqipëri përsëri nuk “respektoheshin të drejtat themelore të njeriut dhe liritë elementare të individit”, madje nuk ishte bërë asnjë përparim sipas kërkesave nëpër sesione. Aq më keq që çdo veprimtari që ndërmerrej plotësisht me të drejtën ndërkombëtare, rregjimi i Enver Hoxhës, Tirana zyrtare e stigmatizonte. Në vitet 1953, 1954 deri në 14 dhjetor 1955 kërkesat e Shqipërisë për pranimin në OKB kaluan një kalvar të gjatë e disa sesione. Lind pyetja: Po përse Perëndimorët, amerikanët, anglezët etj., u tërhoqën nga kërkesat e tyre në drejtim të demokratizimit të rregjimit të Tiranës dhe u bënë pro pranimit të Shqipërisë në OKB, i cili u realizua më 14 dhjetor të vitit 1955?!

 

Nga viti 1945 deri në vitin 1955 Shqipëria, mbështetur edhe nga vendet e kampi socialist, e kishte zgjeruar numrin e shteteve me të cilat kishte vendosur marrëdhënie diplomatike, ishte forcuar miqësia me Bashkimin Sovjetik, i cili ishte anëtar i Këshillit të Sigurimit dhe që mbështeste fuqishëm kërkesën e Qeverise shqiptare si anëtare e Bllokut Lindor. Bashkimi Sovjetik kishte bërë edhe përpjekje jo të pakta për normalizimin e marrëdhënieve me Greqinë. Gjithashtu Shqipëria ishte bërë pjesë dhe nënshkruese e disa Konventave Ndërkombëtare, ndër to edhe në organizata e institucione ndërkombëtare të specializuara në fusha të ndryshme. Të gjitha këto dhe klima paqësore mes të mëdhenjëve SHBA e BS, sollën që Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në mbledhjen e saj plenare të mbajtur me 14 dhjetor 1955, duke vepruar në bazë të rekomandimit të Këshillit të Sigurimit, mori në shqyrtim kërkesën e Shqipërisë dhe vendosi ta pranonte atë si anëtare të Kombeve të Bashkuara.

 

Tërheqjen nga pozitat e mëparshme ndaj pranimit të Shqipërisë në OKB dhe dhënien e votës pro, SHBA dhe Perëndimorët e bënë si një kompromis në emër të realizimit të universalitetit të OKB-s, pasi edhe Moska nuk ishte më ajo e mëparshmja, e kohës së Stalinit. Era e ndryshimeve, e kompromiseve dhe e bashkëpunimit, e kishte ndryshuar klimën ndërkombëtare në paqësore, në klimë politike të bashkëpunimit dhe marrëveshjeve.

 

E rëndësishme është të theksohet, se popullit shqiptar i është fshehur e vërteta e zvarritjes së pranimit të Shqipërisë në OKB. Madje, në literaturën zyrtare të periudhës komuniste, ajo është quajtur “fundi i një padrejtësie dhjetëvjeçare”, gjë që nuk ka të bëjë fare me një padrejtësi ndaj Shqipërisë, por për një penalizim të bërë ndaj popullit shqiptar nga vetë Enver Hoxha dhe rregjimi i tij. Nga i gjithë dokumentacioni që parashtruam dhe interpretuam, arrijmë në konkluzionin se pengesat për mospranimin e Shqipërisë në OKB, nuk ishin sajime të anglo-amerikanëve, siç përpiqej t’i argumentonte rregjimi komunist shqiptar dhe vetë Enver Hoxha, por ngjarje e qëndrime të vërteta, që e implikonin rëndë rregjimin e Enver Hoxhës. Me të tilla veprime antikombëtare, si zgjedhjet antidemokratike, qëndrimi armiqsor ndaj Misioneve amerikane e angleze, bashkëpunimi i fshehtë  dhe miratimi i minimit të Kanalit të Korfuzit,  përkrahja e partizanëve grekë dhe destabilizimi i Greqisë etj., nuk mund të futeshe në OKB.  Dhe të gjitha këto veprime të rregjimit komunist, i janë fshehur popullit shqiptar. Nga ato që thamë rezulton se, Enver Hoxha është përgjegjësi kryesor  për mospranimin 10 -vjeçar të Shqipërisë në OKB.