Ahmetaj: Buxheti 2017, rritje 3.84% të Prodhimit të Brendshëm Bruto

377
Sigal

“Gjatë vitit 2017 ekonomia shqiptare performoi mjaft mirë dhe ritmi i rritjes ekonomike vijoi trendin përshpejtues duke u përmbyllur me 3.84% rritje të prodhimit të brendshëm bruto”.

Kështu deklaroi ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, nga foltorja e parlamentit prej nga foli mbi qëndrueshmërinë ekonomike, për të cilën tha se viti 2017 vendosi një kthesë për ekonominë e vendit.

“Gjatë 2017 evidentohet qartë se ekonomia shqiptare performoi mjaft mirë. Ritmi i rritjes ekonomike vijoi trendin përshpejtues duke u përmbyllur me 3.84% rritje të prodhimit të brendshëm bruto. Rritja përgjatë 2017 u ndikua nga kërkesa e brendshme si konsumi dhe investimet ne ekonomike. U bënë 13 tremujorë rresht që konsumi vijon rritjen”, -tha ministri.

Më tej, Ahmetaj shpjegoi se kjo u mundësua falë politikës fiskale optimale dhe investimeve të kryera, po kështu edhe të mbështetjes me investime që iu bë sektorëve prioritarë si arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe infrastruktura.

“Brenda buxhetit 2017 u mundësua një politikë fiskale optimale me kthese të rëndësishme në rritjen ekonomike dhe punësimit, në mbështetje të vazhdueshme buxhetore ndaj sektorëve prioritarë si arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe infrastruktura. Konsolidimi i një sistemi të shëndetshëm të menaxhimit financiar që shmang detyrimet e vjetra financiare dhe miratimi i ligjit për financat e qeverisjes vendore dhe vendimi i zbatimit të tij, e bëri vitin 2017, vitin e parë me një hap cilësor në menaxhimin cilësor të financave publike në nivel vendor”, -tha Ahmetaj.