Av. Ledio Braho: Aktet normative janë amendamente që cënojnë rëndë të Drejtat Thelemore të Njeriut

886
Sigal

Neni 101 i Kushtetutës parashikon se “Këshilli i Ministrave, në rast nevoje dhe urgjence, nën përgjegjësinë e tij, mund të nxjerrë akte normative që kanë fuqinë e ligjit, për marrjen e masave të përkohshme. Këto akte normative i dërgohen menjëherë Kuvendit, i cili mblidhet brenda 5 ditëve nëse nuk është i mbledhur.

Këto akte humbasin fuqinë që nga fillimi, në qoftë se nuk miratohen nga Kuvendi brenda 45 ditëve”.  Është krejtësisht e paqartë se përse duhet të kalojë me akt normativ me fuqinë e ligjit një paketë e tillë që përfshin ligje kaq të rëndësishme,  për më tepër që një pjesë e tyre miratohen me shumicë të cilësuar.

Ajo çka është dhe më problematike ka të bëjë me faktin se të gjithë këto ligje do të përfshijnë amendime të tilla që cënojne liritë dhe të drejtat Themelore të Njeriut. Në fjalën e saj Ministrja e Drejtësisë citoi se në të gjithë këto procese barra e provës do të kalojë nga akuza të i akuzuar, një parim ky që është krejtësisht në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale, Kushtetutën dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Që të konsiderosh kushtetues miratimin në kushte urgjence të një pakete të tillë me një emër ekzotik si ai “Anti KÇK”, do të thotë që qeveria ka pranuar se krimi ka marrë në dorë shtetin dhe është e pamundur që kjo paketë të japë efekte, nëse miratohet me procedure normale. Iniciativa të tilla mund të merren vetëm ëast ndërrimi regjimesh, në kushte anarkie totale, sepse një iniciativë e këtij lloji pas më shumë se 6 vitesh qeverisje nga i njëjti kryeministër fuqiplotë ka vetëm një kuptim – që është përkeqësuar situata e kriminalitetit dhe është në pamundësi qeverisjeje në kushtet e një demokracie parlamentare kushtetuese.

Megjithatë, edhe pse ështëe vërtetë që ndikimi i kriminalitetit është rritur dhe qeveria më shumë e ka ndihmuar se sa luftuar atë, një arsye thelbësore se pse kjo paketë po miratohet me akt normativ me fuqinë e ligjit, është pikërisht shmangia e kompetencës së Presidentit të Republikës për ta kthyer atë në Kuvend.

Sipas kësaj procedure,  kjo paketë hyn në fuqi nga e nesërmja e miratimit nga Këshilli i Ministrave dhe duhet që brenda 45 ditëve të miratohet nga Kuvendi. Në një Kuvend si ky aktuali nuk ka mëdyshje që do të miratohet, e po ashtu në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, mund të themi fare thjesht se që nga nesër Shqipëria do të shndërrohet në një diktaturë de jure dhe de facto.