Av. Idajet Beqiri: Në Shqipëri është mbjellë fara e krimit, puna e prokurorit dhe gjyqtarit biznes

497
Sigal

Flet Av. Idajet Beqiri: Krimi, siguria në vend, reforma në drejtësi dhe sistemi gjyqësor

Kanë kaluar jo më shumë se një javë nga koha, kur ndodhi atentati tragjik me pasojë jetën ndaj biznesmenit Artan Santo, në zemër të Tiranës, në zonën e quajtur ish-Blloku. Kjo ngjarje ka trazuar ujërat e politikës shqiptare, çka hapur polemika të mëdha në vend, veçanërisht midis forcave politike, maxhorancës dhe opozitës, të cilat akuzojnë njëra- tjetrën për përfshirje në të. Ajo çfarë e përforcon më tej debatin është fakti se, ende nuk kemi një autor konkret të ngjarjes në fjalë. Së fundmi, debate të ashpra ka patur dhe dje në Komisionin e Ligjeve midis ministrit Tahiri dhe nënkryetarit të grupit parlamentar të PD-së, z, Eduard Halimi,  ku është aluduar për politizim të ngjarjes. Lidhur me këtë, situatën e sigurisë në vend, gjendjen në burgjet shqiptare, reformën që duhet të ndërmerret në sistemin e drejtësisë dhe konkretisht gjyqësor, flet për gazetën “Telegraf” av. Idajet Beqiri. Sipas tij, vrasja e biznesmenit Santo ishte një vrasje e paramenduar, e projektuar kohë më parë, me një zgjedhje të  kujdesshme, me një sfond të pastër politik. Ndërsa shton se, në vend është mbjellë fara e krimit dhe duhet një ndërhyrje rrënjësore në sistemin e drejtësisë, madje dhe në Kushtetutë, ku BE duhet të ndërhyjë nëpërmjet ekspertëve evropian.

Z. Beqiri, cili është mendimi juaj në lidhje me vrasjen e biznesmenit Artan Santo?

-Ishte një vrasje e paramenduar, e projektuar kohë më parë, me një zgjedhje të  kujdesshme të personazhit që do të flijohej, me një sfond të pastër politik, me synim mbajtjen e Shqipërisë nën trysnin e destabilitetit të vazhdueshëm. Parë në këndvështrimin profesional, si dhe analizuar në kontekstin e vrasjeve të tjera të mëparshme politike të ndodhura në Shqipëri, duke filluar që nga vrasjet e 2 Prillit 1991, vrasja e kreut të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, juristit të shquar Kleanthi Koçi, vrasja e deputetit Fatmir Xhindi, vrasja e gjyqtarit Skerdilaid Konomi, vrasja e Kosta Trebickës (e cila u kamuflua si aksident), e deri te vrasjet e 21 janarit 2011, kanë një ngjashmëri të dukshme për nga inteligjenca që është përdorur për t’i kryer ato, si dhe për të fshehur me mjeshtëri frymëzuesit, nxitësit, organizatorët ose thënë më saktë, përfituesit prej tyre. Ka një harmonizim të arrirë inteligjence midis organizatorëve dhe ekzekutorëve të këtyre krimeve, të mjeteve me anën e të cilave janë bërë ekzekutimet dhe të ndihmësve që kanë vepruar për të fshehur gjurmët e krimit, pasi ato janë kryer. Të gjitha analizat, si dhe hollësitë e dukshme dhe të padukshme të këtij krimit të kryer kundër bankierit dhe njërit prej njerëzve me potencë në fushën e mediave në Shqipëri, Artan Santo, të çojnë se pa ndihmën dhe bashkëpunimin e të interesuarve për vrasjen e tij brenda vendit, me agjenturën serbe kryesisht, nuk mund të realizohej ky krim i mirëfilltë i organizuar.

Ky krim, që ishte planifikuar prej kohësh për t’u kryer, jo rastësisht u realizua pikërisht një ditë pas marrjes prej Shqipërisë të statusit të vendit kandidatë për në BE, si dhe fill pas suksesit të Policisë së Shtetit me goditjen e krimit në Lazarat dhe vënien nën kontroll të situatës në “bankën e fuqishme” që financonte Mafien dhe krimin e organizuar në Shqipëri, sikurse ishin paratë e drogës në Lazarat. Më duken të mbrapshta, për të mos thënë tepër e rrezikshme, idetë, vlerësimet apo analizat e qëllimtë për ta larguar këtë ngjarje të rëndë për stabilitetin e vendit nga marrja e statusit të vendit kandidatë për BE. Mendësia se, po të ishte qëllimi i këtij krimi pengimi i Shqipërisë për të marrë statusin, mund të ndodhte dy e më shumë ditë para marrjes së statusit, dhe jo dy ditë pas tij, është përsëri me dashakeqësi të qëllimtë. Kjo për faktin se, marrja e statusit të vendit kandidatë për në BE në 23 qershor 2014 nuk varej më nga ngjarje të tilla, edhe sikur më të rënda të ishin ato. Vendimi i BE, pavarësisht se politika është përpjekur të na mbush mendjen se deri në çastin e fundit mund të ketë të papritura, nuk gjen asnjë mbështetje politike, diplomatike dhe historike të BE dhe organizmave të saj. Në 23 Qershor 2014, edhe sikur vet kryeministri i vendit, Edi Rama, të ishte kundër këtij statusi, vendimi i BE do të ishte ky që është në fuqi sot. Frymëzuesit dhe organizatorët e kësaj vrasje politike (por një vrasje politike zgjidhet kur bëhet, sepse përmban në vetvete edhe shumë interesa të tjera të interesuarish privat për t’u bërë kjo vrasje), e kanë mirëmenduar se efektet ajo do t’i kishte shumë herë më të mëdha dy ditë pas marrjes së statusit, si dhe një ditë pas “pushtimit” të krimit të organizuar dhe burimit të financimit të tij në Lazarat. Kjo për faktin e thjeshtë se, procesi i marrjes së statusit kandidat për në BE është thjeshtë dhe vetëm formal, shumë herë më i vogël për nga rëndësia, se sa hapja e negociatave me BE.

Shqipëria e djeshme dhe e sotme, por posaçërisht Shqipëria e 23 vjetëve të sundimit despotik të Berishës, ka qenë dhe ka mbetur peng i agjenturës serbe, nga më të interesuarat për të qenë në vazhdimësi ky vend i destabilizuar dhe burim krimi dhe konflikti mes vetes.

Sipas mendimit tuaj, pse kjo vonesë në kapjen e autorëve? A mendoni se po politizohet çështja?

– E njëjta pyetje është bërë për të gjitha krimet me motivin thelbësor politike që janë kryer në Shqipëri. Kjo pyetje nuk është shtruar me kaq forcë në krimet e shumta të vrasjeve që janë bërë në këtë vend, edhe kur ka patur mjeshtëri të lartë në fshehjen e gjurmëve të krimit. Nuk është shtruar, sepse hetimi dhe akuza kanë shkuar shpejtë te autorët e tyre. Ndërsa këto krime, si kjo kundër Artan Santo dhe të tjera me radhë, disa prej të cilave i lartpërmenda, duke patur qëllimin primar përfitimin politik prej tyre, është tepër e vështirë të zbulohen. Kjo për faktin se, frymëzuesit, organizatorët, nxitësit e tyre, duke qenë se ishin dhe janë me funksione tepër të rëndësishme në institucionet e shtetit, si në periudhën që janë në qeverisje, si kur bien nga pushteti, njerëzit e tyre që komandojnë, i lënë dhe i kanë në institucionet që e kanë për detyrë të zbulojnë, të hetojnë dhe të  luftojnë krimin. Nga njëra anë, një pjesë e konsiderueshme e organeve që kanë për detyrë të zbulojnë, hetojnë dhe luftojnë krimin janë të politizuara. Ato e konsiderojnë “fitore” të qeverisë që iku, moszbulimin e krimeve të rënda nga strukturat e qeverisjes aktuale që i ndodh ngjarja. Nga ana tjetër, politika e lartë kur shikon se hetimi po afrohet te “foleja e grerëzave”, i prishin këto hetime, duke ndërhyrë politikisht me deklarata, me masmedia, me dezinformime, me tjetërsime të fakteve dhe provave, e deri me ndihmë konkrete për t’i fshehur dhe bërë të padukshëm autorët ekzekutor të tyre. Pikërisht në këto që theksova qëndron e keqja.

Ministri Tahiri, dje në Komisionin e Ligjeve është shprehur se me ligjin e ri për përdorimin e armëve, policia do të qëllojë edhe gra e fëmijë nëse i rrezikohet jeta. Cili është mendimi juaj për këtë deklaratë? A është kjo një mundësi për të forcuar sigurinë në vend?

– Për hir të së vërtetës ministri Tahiri është në krye të detyrës dhe këndvështrimet e tij, hapat që ka hedhur dhe vazhdon të hedh, tregojnë se krimi gjithfarësh që ka lulëzuar deri më sot në Shqipëri, do e ketë të pamundur të bashkëjetojë më me vet shtetin, sikurse ka ndodhur gjatë këtyre 23 vjetëve. Policia e Shtetit dhe figura e policit kudo në botën e qytetëruar është i shenjtë. Në SHBA, Presidenti ka të drejtën e faljes për gjithfarë veprash penale dhe personash që janë dënuar. Por, kjo e drejtë atij nuk i është dhënë kur bëhet fjalë se autori i krimit ka vrarë një policë të shtetit. Mirëpo, se kur duhet të qëllojë policia, ndaj kujt duhet të qëllojë, si dhe qysh, janë probleme që rregullohen qartazi në Ligjin mbi përdorimin e armëve, në Ligjin mbi policinë e Shtetit etj., dhe nuk mund të bëhen me deklarata apo urdhra ministrash, aq më keq kur tashmë kemi evidente praktikën kriminale të 21 janarit 2011, kur ish-ministri i Brendshëm dhe ish-Kryeministri, lanë mënjanë ligjet e shtetit për përdorimin e armëve dhe vranë 4 qytetarë të pafajshëm të këtij vendi.

Cili është mendimi juaj për situatën e sigurisë në vend?

– Janë bërë përmirësime të dukshme gjatë një viti qeverisje të “Aleancës Për Shqipërinë Europiane”. Nuk mund të bëhen krahasime me ish-qeverisjen e mëparshme, kur një popull i tërë, ishim në duart e hasmit! Mirëpo, ka ende shumë probleme. Situata e sigurisë në vend është tepër e brishtë. Kjo lidhet me faktin se, 23 vjet me radhë, në vend që të bëhej “qilizmë” e thellë në luftën kundër krimit dhe kriminelëve, është bërë e kundërta, është “mbjellë fara e krimit”, është mbajtur e gjithë klima në vend tepër e përshtatshme për krim dhe kriminalitet, dhe “misionarët” me pushtet, sa herë u është dashur dhe u duhet “padronëve” të tyre për të bërë destabilizimin e Shqipërisë, janë hedhur në veprim dhe e kanë bërë këtë gjë me një lehtësi të madhe. Kemi nevojë urgjente për një reflektim të thellë, për konceptim dhe ngritje të nivelit të punës dhe të luftës kundër kriminalitetit në shkallën më të lartë të përgjegjësisë dhe profesionalizmit, siç e kërkon niveli evropian i sigurisë së vendit dhe të popullit.

Ambasadori i OSBE-së z. Rauning është treguar shumë kritik për situatën në burgjet shqiptare, të cilat sipas tij, janë të mbipopulluara. Ai ka kritikuar gjyqtarët se duhet të bëjnë kujdes në dhënien e dënimeve, pasi kostoja e një të burgosuri kushton 439 euro. Cili duhet të jetë vendimi/ zgjidhja në këtë rast?

– Në sistemin gjyqësor ka një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh të përgjegjshëm, të cilët janë në lartësinë e detyrës. Po kështu, ka edhe shumë prokurorë që vërtetë kanë dëshirën e mirë dhe aftësitë profesionale për të luftuar krimin dhe kriminalitetin në vend. Mirëpo, nga ana tjetër, është tepër i madh nëmuri i gjyqtarëve dhe prokurorëve që detyrën e shenjtë të punonjësit të drejtësisë e kanë kthyer thjesht në biznes. Në burgjet e Shqipërisë ka me qindra, për të mos thënë edhe disa mijë persona, të cilët venë në burg dhe vuajnë dënimet në burgjet e Shqipërisë, thjeshtë dhe vetëm nga mendësia e të bërit “biznes” me dënimet të gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Nuk e ekzagjeroj aspak të them se, afro 60 për qind e të burgosurve sot në Shqipëri nuk duhet të jenë në burgje. Këta qëndrojnë në burgje për gjëra pa rëndësi. Ndërsa jashtë burgjeve qëndrojnë kriminelë të rrezikshëm, mafia dhe krimi i organizuar. Krimi cilësor dhe kriminelët e mëdhenj i kanë blerë me para një pjesë jo të vogël të gjyqtarëve dhe të prokurorëve, për rrjedhojë, duke i mbajtur burgjet plotë me “cironka”, bëhet mirë “dukja se po e luftojmë krimin”, por lihen të lirë kriminelët me para që po i bëjnë gjëmën këtij vendi, dhe qëndrojnë të lirë, e madje zënë edhe vende të mira në institucionet më të larta të shtetit. Këta gjyqtarë dhe prokurorë “xhepaxhinj të paskrupull”, e përdorin dhënien e burgut pa mëshirë edhe ndaj “cironkave” pa vlerë, apo të rënë në rrugën e shkeljes së ligjit në mënyrë rastësore, apo të detyruar, edhe si presion të hapur “do të mos futesh në burg, paguaj”. Reforma e thellë në sistemin gjyqësor, e cila duhet të prek organizimin gjyqësor, politikat e emërimeve dhe të shkarkimeve, strukturën e hetimit të krimeve, strukturat e sistemit të drejtësisë në përgjithësi, legjislacionin, e deri Kushtetutën e vendit, është ilaçi i vetëm i shërimit. Po “matemi” shumë për të marrë bisturinë e kirurgut dhe të veprohet shpejtë e me përgjegjësi. Kjo vonesë po e gangrenizon më shumë plagën që e ka atrofizuar thuajse tërësisht jetën e shoqërisë shqiptare.

Për sa i përket reformave në gjyqësor, si mund të ndihmojë BE në këto reforma?

– BE duhet të ndërhyjë energjikisht dhe profesionalisht në të gjithë sistemin e drejtësisë në përgjithësi, dhe atij gjyqësor në veçanti. Ka ardhur koha që të na rekomandojnë për zbatim një model të sistemit gjyqësor në vend, si ai gjermano-austriak bije fjala. Qeveria aktuale duhet të vërë në punë gjithë potencialin mendor, intelektual dhe shkencor të vendit për të projektuar dhe aceptuar këtë sistem. T’i kërkohet ndihmë urgjente strukturave të BE, që së paku, këshilltarët e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatave të Apelit, të Prokurorisë së Përgjithshme dhe të Prokurorive të rretheve kryesore të vendit, të jenë specialistë të mirëfilltë dhe të suksesshëm të këtyre dy vendeve, Gjermani dhe Austri. Ata të punësohen në vendin tonë dhe krahas funksionit të këshilltarit, të kryejnë edhe detyrën e vëzhguesit dhe raportuesit në institucionet e BE dhe në institucionet më të larta të shtetit tonë gjithë praktikat e dyshimta korruptive, ose mungesën e profesionalizmit, të cilat e dëmtojnë rëndë sistemin e drejtësisë në vendin tonë. Të niset që këtej, për të vazhduar me të tjerat pastaj…