Kushte skandaloze në qeli për të paraburgosurit

473
Sigal

Ministria e Brendshme, tallet me kompetencat e veta

 Në qelitë e paraburgimit në Durrës, kushtet për të gjithë personat e paraburgosur janë pothuajse mesjetare. Burime nga ky institucion thanë për “Telegraf” se, “kushtet janë skandal, trajtohen dhe jetojnë për aq ditë apo javë e muaj atje, sikur të ishin kafshë, edhe nevojat personale i kryejnë si kafshët”. Kjo situatë ka mbi 12 vjet që vazhdon, dhe asgjë nuk është bërë nga Ministria e Brendshme, e cila duket sikur tallet me lojën e kompetencave të veta duke ja hedhur shpesh “topin” Ministrisë së Drejtësisë. Nga 94 persona që duhej të ishin “të rehatuar” në qelitë e paraburgimit në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, realisht atje ndodhen afro 3- fish numrit, duke krijuar vështirësi dhe premisa për ngjarje të jashtëzakonshme ashtu si ato në Tiranë, Elbasan dhe Shkodër. Burime nga uniformat blu thanë se, “mbingarkesa sa vjen e rritet, duke pasur të njëjtin personel, dhomat janë mbushur me të para dënuar dhe të dënuar, ata që arrestohet janë të shumtë, por edhe ata që marrin dënimin nga shkalla e Parë e Gjykatës, të cilët presin uljen ose faljen nga Apeli apo Gjykata e Lartë”. Punonjës të personelit të dhomave të paraburgimit ankohen dhe thonë se, “deri tani problemet delegohen nga Ministria e Drejtësisë tek Ministria e Brendshme, duke luajtur me kompetencat, qysh prej një viti dhomat e paraburgimit dhe burgjet i takojnë për administrim dikasterit të Drejtësisë dhe mbi çdo pasojë mban ajo përgjegjësi”. Pas ngritjes si një problem serioz nga shtypi të situatës së krijuar atje edhe gjatë vitit të kaluar në dhomat e paraburgimit në Durrës, duket se Ministria e Drejtësisë ka nisur marrjen e masave në muajin e parë të vitit 2014, duke synuar vendosjen e rregullit si dhe duke transferuar në Tiranë, Peqin, Berat e Krujë mbi 116 të arrestuar e dënuar. “Ka krime dhe të arrestuar çdo ditë”- shprehet një oficer i Policisë Krimeve, por sidoqoftë mbipopullimi i qelive mbetet rrezik qoftë i ndonjë revolte apo ndonjë precedenti tjetër”. Qysh prej 2 muajsh, mes dy dikastereve, Ministrisë Brendshme dhe Drejtësisë, ka nisur ping-pongu institucional i kompetencave, pasi njëra kërkon “boshatisjen e qelive” dhe e dyta “ruajtjen e të arrestuarve deri në marrjen e dënimit edhe nga Gjykata e Lartë”. Ankesave nga policë të personelit, u shtohen edhe ato të familjarëve të të arrestuarve dhe të dënuarve, të cilët kërkojnë kushte njerëzore jetese si dhe largimin e atyre që realisht janë dënuar nga gjykatat, drejt kampeve për vuajtjen e viteve të dënimit.