Athina kusht të ri Tiranës për rihapjen e bisedimeve dypalëshe

552
Sigal

Nga Shaban Murati 

Ministri alternat grek i punëve të jashtme, G.Katrougalos, në një intervistë në 3 dhjetor 2018 në “Real FM” Radio, parashtroi se ka kusht të ri të Athinës paraqitur qeverisë së Shqipërisë për rifillimin e bisedimeve dypalëshe:

“Ne jemi fare afër të zgjidhim të gjitha çështjet tona të varura me Shqipërinë. Tani, ajo që presim ne është që pala tjetër të konfirmojë angazhimet e saj për minoritetin tonë. Kohët e fundit ajo ka miratuar një ligj për minoritetet, por ne presim të shohim aktet e tij zbatuese. Sepse prioriteti ynë kryesor është mbrojtja e të drejtave të popullit tonë në Shqipëri. Nëse kjo avancon, unë mendoj se ne mundemi realisht të kthehemi prapë tek bisedimet tona”. (Faqja e MPJ të Greqisë, 3.12.2018).

Çfarë është ky kusht të ri, që ka vënë Greqia për rifillimin e bisedimeve, dhe çfarë statusi kërkon Athina për minoritetin grek në Shqipëri, që ajo të kthehet prapë në tavolinën e bisedimeve dypalëshe? Çfarë lloj diferencimi për minoritetin grek kërkon Athina nga Tirana në zbatimin e ligjit shqiptar të minoriteteve, diferencim që duhet të jetë vetëm për minoritetin grek dhe jo për minoritetet e tjera?

Nuk duket rastësi që zëvendësministrja greke e Rendit, Katerina Papakosta, anëtare e qeverisë greke, në 10 nëntor 2018 iu drejtua Tiranës me një kërkesë me qitje të largët:

“Ashtu si ka kërkuar Shqipëria për shqiptarët jashtë vendit autonominë apo dhe pavarësinë, duhet t’i japë minoritetit të gjithë të drejtat që i takon”.

A nuk janë të detyruar autoritetet e Shqipërisë t’i tregojnë popullit të vet se çfarë kushti konkret i ka vënë Greqia për rihapjen e bisedimeve dypalëshe, dhe i cili, sipas burimeve të brendshme, mund të krijojë klimën e rrezikshme të kurtheve veriore, ku po rrezikon të bjerë Kosova?