Atdheu qëndron mbi BE-në! Ja parashikimi i Leninit

654
Muharrem Xhafa

Greqia e ka vënë qeverinë shqiptare para një alternative të vështirë: ose të pranojë Marrëveshjen e Detit, nënshkruar nga Berisha, qoftë duke i bërë asaj edhe ndonjë “modifikim”, pa i prekur thelbin, ose të presë të pranojë veton e Greqisë në BE dhe Shqipëria të mos hapë këtë vit negociatat me BE-në! Thënë shqip, në këmbim të votës greke në BE, ju shqiptarë, ose pranoni të jepni tokë e det, d m th pjesë të atdheut tuaj, ose nuk do të ketë për Shqipërinë hapje të negociatave me BE-në! Cilën alternativë do të zgjedhë qeveria e Shqipërisë? Ky është problemi! Greqia, si vend anëtar i BE-së, mund të vërë kushte e të kërcënojë Shqipërinë me përdorimin e vetos në BE, d m th të pengojë përkohësisht hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në! Kjo edhe mund të ndodhë! Po a do të guxojë Greqia të ndërmarrë një hap të tillë?! Unë them jo! 

Së pari, sepse Greqia nuk ka të drejtë, diçka që qeveria greke e di mirë! Se Marrëveshja e Greqisë me Qeverinë e Berishës është bërë fshehur dhe është hapur antikushtetuese! Ndaj Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e rrëzoi këtë Marrëveshje, se ishte e padrejtë, e paligjshme dhe në dëm të Shqipërisë e të popullit shqiptar! 

Së dyti, përveç sa thashë, Greqia nuk ka guximin të ndërmarrë një hap të tillë absurd edhe për faktin se vetë BE-ja, sado pro greke (Greqisë i dha oksigjen për të mos ndodhur çfarë ndodhi me Anglinë), nuk do ta ketë të lehtë të mbështetë qëndrimin grek, sepse është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare! Unë nuk do të flas për shkeljet antikushtetuese të bëra nga qeveria “Berisha” në interes të palës greke, sepse kanë folur të tjerë me kompetencë, po dua te theksoj se Marrëveshjes së Berishës, nëse do t’i bëhet thjesht një “makiazh” apo do t’i vihen disa “arna”, kjo do të ishte dëshmi e qartë e “lojës” së fshehtë antikombëtare të Ramës me Berishën e me politikën greke, çka as e mendoj kështu, as nuk do ta dëshiroja të ishte kështu e as nuk do ta mbështesja për asnjë “arsye”! Hapja e negociatave të Shqipërisë me BE-në nuk ka vlerë para Marrëveshjes së Detit! Madje, hapja e negociatave te Shqipërisë me BE-në nuk duhet kushtëzuar hiç me Marrëveshjen e Detit! Miratimi, qoftë edhe me disa arnime, i Marrëveshjes së nënshkruar nga Berisha, i vë vulën varësisë së Shqipërisë nga Greqia! Negociatat mund te hapen dhe në fakt hapen edhe më vonë, ndërsa Marrëveshja antikombëtare e Detit mbetet e çimentuar! Në fund të fundit, nëse BE-ja mbështet Greqinë në veton e saj, Shqipërisë nuk i duhet Bashkimi Evropian! Atdheu me interesat e tij qëndron mbi BE-në! Një qëndrim të tillë do të mbante çdo vend tjetër sovran i Evropës! Prishja e marrëveshjes së nënshkruar të Detit me Greqinë as nuk duhet të pengojë e as, në të vërtetë, nuk ka fuqi të pengojë negociatat e Shqipërisë me BE-në! Nëse ndodh të përmbushet vullneti i Greqisë, ky do të jetë një argument më shumë për të thënë se BE-ja duhet të shpërndahet dhe se, siç thoshte V. I. Lenini, Shtetet e Bashkuara të Evropës, edhe po të bëhen realitet, ato mbeten reaksionare, kundër popujve!
Sigal