At’ Nikolla Marku: “Janullatos në Shqipëri për interesat greke”

501
Sigal

Pas deklaratës së Kishës Ortodokse dje në mesditë, disa orë para se të transmetohej intervista e Artur Zhejit me kreun e Kishës së Shën Mërisë në Elbasan, reagoi për “Telegraf”, At’ Nikolla Marku. Ai tha se nuk shqetësohej aspak pse Janullatosi nuk e quan atë prift dhe e konsideron një mashtrues. “Janullatosi është një djall, është një antishqiptar i deklaruar që e tërbon çdo gjë shqiptare. Unë nuk e marr mundimin të përgënjeshtroj thëniet e Janullatosit, pasi prej vitesh jam deklaruar kundër tij dhe ai le të thotë çfarë të dojë. Fakt është që unë jam zgjedhur prift në bazë të të gjitha rregullave kanonike, mua më do populli im, unë flas gjuhën time, ndërgjegjen e kam të qetë, ndaj dhe gjumin e bëj të qetë. Reagimi i Janullatosit disa orë para se të transmetohej intervista ime në TV, tregon se ai nuk është i qetë. Dihet pse unë jam kundër Janullatosit. Unë nuk mund të pranoj një grek antishqiptar në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë që natë e ditë punën e mendon si e si të përçajë popullin tim. Unë nuk kam asgjë me popullin grek, përkundrazi i respektoj dhe jam për fqinjësi të mirë me grekët, por nuk do të pranoj që një Janullatos të punojë kundër interesave të kombit tim në emër gjoja të petkut fetar”. Kështu e mbylli prononcimin e tij At’ Nikolla Marku.

Intervista

Në emisionin “360 Gradë” të Artur Zhejit, At’ Nikolla Marku shpjegoi dje arsyet se, përse shprehet kundër Kryepeshkopit Janullatos ndërsa shpjegoi me fakte kur u krijua Kisha Ortodokse Shqiptare dhe kur humbi pavarësinë, të cilën ende nuk e ka fituar. Ai tha se Janullatosi kur erdhi këtu në vitin 1991, deklaroi hapur para popullit, para besimtarëve ortodoksë, para gjithë Shqipërisë që unë do rri përkohësisht derisa të ngre administratën shqiptare, por nuk e bëri. Ai gjatë meshës përdor dhe fjalë shqipe, por lutjet më kryesore për të cilën çdo njeri ka nevojë për t’i dëgjuar tek Zoti, ai i thotë në gjuhën greke. Prapaskena është, dominon gjuha greke dhe gjuha për të cilën ata mendojnë se Jezu Krishti ka folur në gjuhën greke. Janullatosi është një fatkeqësi e politikës sonë shqiptare. Duke mos pasur politika jonë, udhëheqësit tonë një informacion të plotë mbi prejardhjen sesi kanë luftuar etërit tanë të shenjtë që e prunë Kishën Ortodokse në momentet më të organizime dhe kur erdhi diktatura, erdhi e prishi e shkatërroi i vrau e persekutoi njerëzit. Për riorganizimin e saj erdhi përsëri po ajo etapë, po Greqia prezente, po kisha greke prezente. Ne flasim shqip, kemi traditë shqiptare, kemi një nënë që e ka emrin Shqipëri, kemi një Kishë Ortodokse që do të lutemi në gjuhën e nënës që gjë nuk e pranon. Ne kemi parë se në disa qytete të Shqipërisë, në Përmet e Korçë. Gjirokastër, varreza memoriale, të cilat janë një turp kombëtar, një dështim i politikës shqiptare nga të gjitha llojet të majtë e të djathtë. Politikanët tanë, po flas me ndërgjegjen klerikale, nuk kanë absolutisht informacionin e duhur për t’ju përgjigjur këtyre ngjarjeve që kanë prapaskena shoviniste dhe prapaskena antishqiptare, tha At’ Nikolla Marku.

Kisha: “Nikolla Marku nuk është prift”

 Kisha Ortodokse nëpërmjet një deklarate për media nuk e quan At’ Nikolla Markun prift, por e cilëson atë si mashtrues të opinionit publik, pak orë para një interviste ekskluzive që ky i fundit do japë për emisionin “360 Gradë” të Artur Zhejit. Në reagimin e Episkopit të Apolonisë, Nikolla, thuhet se, Kisha Ortodokse është e detyruar të informojë opinionin publik, për ato që ata i cilësojnë mashtrime flagrante të të vetëshpallurit prift, duke iu referuar kështu At’ Nikolla Markut. “Kohët e fundit, janë shtuar sulme në drejtime të ndryshme kundër Komunitetit Ortodoks të Shqipërisë. Mes tyre është dhe shfaqja në mënyrë të përsëritur në media e Nikolla Markut nga Elbasani si prift ortodoks. Jemi të detyruar të ri-informojmë opinionin publik për mashtrimet flagrante të këtij të vetëshpallur prift ortodoks i Shqipërisë. Ai nuk njihet si prift nga asnjë Kishë Ortodokse në botë, as nga ndonjë Kishë tjetër apo konfesion i krishterë dhe as nga Shteti shqiptar. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, i vetmi Institucion fetar ortodoks në Shqipëri, deklaron zyrtarisht, në mënyrë të përsëritur, se Nikolla Marku nuk është prift. Vetëshpallja e tij si prift nuk e bën atë klerik, as nuk e bën të pranueshëm nga të tjerët si të tillë. Veprimet e tij të paligjshme vazhdojnë edhe sot e kësaj dite duke keqpërdorur dhe duke mbajtur të uzurpuar një monument kulture, që ende sot mbahet nga shteti, Kishën e Shën Marisë në lagjen “Kala” Elbasan”, thuhet në reagim. Përfaqësuesi i Sinodit të Shenjtë akuzon më tej At’ Nikolla Markun se përdoret në mënyrë të përsëritur nga qarqe ekstremiste për sulme antiortodokse.