“Rruga ‘Ibrahim Rugova’ është zgjatur deri te Diga e Liqenit”, Veliaj i përgjigjet opozitës: Saktësuam emërtimin e rrugës “4 Shkurti” në “Dëshmorët e 4 Shkurtit”

115
Sigal

Parkut të Liqenit të Farkës iu shtuan sot edhe 150 pemë të reja nga studentët e Universitetit të Sporteve. Kryebashkiaku Erion Veliaj iu bashkua aksionit të mbjelljeve, së bashku me Rektorin e Universitetit të Sporteve, Agron Kasa dhe basketbollisten ikonë të Sport Klub Tiranës, Mirza Alibega.

Në fjalën e tij, Veliaj iu përgjigj debatit për çështjen e rrugës “4 Shkurti”, e cila u emërtua si “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, në përkujtim të viktimave të masakrës së 1944. Ai sqaroi se përkundër çfarë thotë opozita, nuk bëhet fjalë për shkurtimin e rrugës “Ibrahim Rrugova”, madje kjo rrugë që mban emrin e ish-Presidentit të Kosovës, është zgjatur deri te Diga e Liqenit.

“Nuk ka pasur një emërtim të ri, ka pasur gjithmonë një rrugë ‘4 Shkurti’, që ndahej nga Lana, me rrugën ‘Ibrahim Rugova’. Është fakt se sot rruga ‘Ibrahim Rugova’, jo vetëm që nuk është shkurtuar, por madje është zgjatur, sepse kemi hapur rrugën nga sheshi përballë ish-Gardës deri te Diga e Liqenit. Pra, është fakt se rruga ‘Ibrahim Rugova’ është zgjatur dhe nuk është shkurtuar. Më e rëndësishme është të kuptojmë edhe faktin e dytë: Rruga nga ‘Shallvaret’ deri te ‘Banka e Shqipërisë’ ka qenë gjithmonë rruga ‘4 Shkurti’, pra thjesht është saktësuar emërtimi, është bërë rruga ‘Dëshmorët e 4 shkurtit’, për 86 qytetarët e Tiranës që u masakruan nga kolaboracionistët dhe forcat pro-naziste dhe pro-fashiste në Tiranë, në 4 shkurt 1944. Për të gjitha këto arsye është shumë e rëndësishme t’i ndajmë këto gjëra e të mos krijojmë histeri nga hiçi. Nuk e ka shkurtuar njeri rrugën dhe as ka ndryshuar emërtimi. Rruga ‘Ibrahim Rugova’ është zgjatur edhe përtej Gardës; pra, vërtet fillon tek Ura e Bllokut, por është zgjatur deri te Diga e Liqenit, ndërkohë që rruga tjetër, e cila ka qenë ‘4 Shkurti’, është saktësuar ‘Dëshmorët e 4 Shkurtit’”, tha Veliaj.

Ai shtoi se Tirana ka nderuar personalitetet të Kosovës si Adem Demaçi, i cili është sot “Qytetar Nderi” i Tiranës, apo Nexhmie Paragusha, për të cilën është krijuar një park brenda Parkut të Liqenit të Tiranës, ashtu siç ka edhe një shesh dinjitoz, në qendër të Tiranës, për të nderuar figurën e Adem Jasharit.

“Kush më ka ndjekur këto vite në Bashkinë e Tiranës, e di që në 8 vitet e mia si kryetar i Bashkisë së Tiranës kemi shpallur vetëm një Qytetar Nderi dhe ai është Adem Demaçi. Kush më ka ndjekur, e di që për amanetin e Nexhmie Paragushës, te Liqeni Artificial sot ka një kopësht të veçantë me emrin e saj. Kush më ka ndjekur, e di që bustin e Adem Jasharit, të cilin e kishin kthyer në një rrethrrotullim, siç kishin bërë me sheshin Skënderbej e të tjerë, e kthyem në një shesh fantastik për Adem Jasharin. Kush më ka ndjekur, qoftë edhe në Hagë, qoftë edhe në qëndrimet e mia për luftën e UÇK-së, edhe për shërbimin tim gjatë kohës kur kam jetuar në Kosovë, apo marrëdhëniet që kam krijuar me bashkitë e Kosovës me Unionin e Bashkive, e di sesa i qëndrueshëm jam dhe sa nuk prekem fare as nga politikanët e kolltuqeve dhe të Facebookut, as nga gazetarët që janë në bordero partish, të cilët për të marrë dy like këtu, janë gati të helmojnë kombet tona. Kjo nuk shkon! Kush ndërton shkollën “Kosova”, kush ndërton kopshtin “Nexhmije Pagarusha”, kush nderon Adem Jasharin dhe kush bën qytetar nderi Adem Demaçin, apo respekton familjen e Rugovës, edhe kur ai nuk është gjallë, dallon shumë nga ata që djegin shkollën “Kosova”, nga ata që i japin naftë Millosheviçit, nga ata që Ibrahim Rugovën, si edhe Azem Hajdarin fundja, sa ishin gjallë, i mallkonin dhe pastaj i bëjnë lavde vetëm pasi nuk janë më kundërshtarët e tyre politikë”, nënvizoi Veliaj.

Ai u shpreh se ka biseduar me familjen Rugova dhe ata nuk janë të shqetësuar kjo tymnaja e krijuar. “Kam qenë me familjen Rugova kur morën nënshtetësinë shqiptare – ishte hera e parë që zonja Rugova vizitonte Tiranën, kam krijuar një raport special, fola edhe mbrëmë me ta – familja Rugova nuk është aspak e shqetësuar sepse ata e dinë të vërtetën, përkundrazi, ata ndihen mirë që, siç Ibrahim Rugova ishte një antifashist i betuar ndaj fashizmit të Milosheviçit dhe Beogradit, ashtu edhe dëshmorët e 4 shkurtit ishin antifashistë të betuar. Nëse Rugova do të ishte gjallë sot, do të ndihej krenar që në Tiranë predikohet dhe mësohet antifashizmi. Kurse sot, këta “protofashistë”, në pamundësi për të ndërtuar një rrugë, në pamundësi për të ndërtuar një shkollë, janë gati të hapin debate të panevojshme. Sot dëgjoj si përdëllehen për Kosovën këta që e dogjën shkollën “Kosova” për ta bërë pallat. Sot shkolla “Kosova” është rikthyer më e fortë, më e madhe, edhe më e bukur”, tha Veliaj.

Ai shtoi se kjo është krijuar nga politikanë që duan të mbjellin helm në Shqipëri dhe Kosovë. “E kuptoj që ka politikanë nga kolltuku dhe nga Facebook që mezi presin të mbjellin helm, por ka sigurisht edhe gazetarë që paguhen nga këta politikanë dhe janë në borderotë e partive politike apo interesave të ndryshme, që mezi presin të mbjellin përçarje. Ata mund të kenë opinionin e tyre dhe unë e respektoj opinionin, por nuk mund të kenë faktet e tyre. Faktet janë këto që thashë: Rruga është zgjatur dhe emërtimi i rrugës tjetër nga ‘4 shkurti’ është bërë ‘Dëshmorët e 4 Shkurtit’”, përfundoi Veliaj.