Prof. Dr. Lisen Bashkurti:”Shqipërisë i mungojnë standardet demokratike, jo tre ligjet”

516
Sigal

 INTERVISTA/Prof. Dr. Lisen Bashkurti: “Të dështuarve u intereson acarimi, konfliktualiteti dhe krizat e thella politike”

Vizita e Ambasadorit të SHBA-ve në selinë e AK-së, duhet marrë  njohje e AK-së, si një faktor i rëndësishëm politik, e ca më tepër, duke patur parasysh edhe fushatën elektorale të 23 Qershorit. Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë i AKA-së, Prof. Dr. Lisen Bashkurti, në intervistën për “Telegraf”, në kundërpërgjigje të provokimeve fashiste të deputetit grek,  ka një këshillë për të gjithë: “Shqiptarët dhe grekët lypet t’i ndryshojnë emrin Ballkanit, nga “Fuqi Baroti” në “Lëndinë Paqeje”.

 – Zoti Bashkurti, nuk është thjesht një vizitë kortezie, takimi i zotit Arvizu me AK-në. Cila është domethënia politike e kësaj vizite?

– AK-ja, qysh në themelimin e saj, ka qenë në kontakte, takime e konsultime të vazhdueshme me partnerët më strategjikë të Kombit Shqiptarë, duke mbajtur në qendër të vëmendjes SHBA-të dhe partnerët e BE-së. Ky proces ka të bëjë me filozofinë dhe me sjelljen politike të AK-së, e cila di të dëgjojë, sepse dëshiron të bashkëpunojë ngushtë me aleatët tanë strategjikë. Historia jep mësime për t’u konsideruar tani e në të ardhmen. Çdo sukses i shqiptarëve është edhe vepër e këtyre aleatëve. Çdo dështim yni ka ndodhur, kur i jemi shmangur këtyre aleatëve dhe kemi ndërtuar ura përkundër vlerave e interesave tona. Pavarësia e Shqipërisë dhe ruajtja e kufijve të saj, konsolidimi i institucioneve të shtetit shqiptar dhe njohja ndërkombëtare e tij, hyrja e Shqipërisë në udhën e demokracisë dhe të integrimeve euro-atlantike, pavarësia e Kosovës, konsolidimi i saj dhe njohja ndërkombëtare, – në tërësinë e tyre, janë vepra të përbashkëta të popullit shqiptar dhe miqve të tij më të mëdhenj e të qëndrueshëm, që janë SHBA-të dhe partnerët Euro-Perëndimorë. AK-ja e mban në konsideratë këtë përvojë historike jo si trashëgimi të së kaluarës, por edhe si domosdoshmëri për të ardhmen e projektit madhor shqiptar.  Vizita miqësore e Ambasadorit të SHBA-ve, z. Arvizu në qendrën e Aleancës KuqeZi, pardje,  mbështetet në këtë sfond marrëdhëniesh të mrekullueshme historike shqiptaro-amerikane. Ne e konsiderojmë vizitën e Ambasadorit Arvizu në vetvete, por edhe përmbajtjen e bisedimeve, një mbështetje dhe ndihmë shumë miqësore dhe publike për AK-në, anëtarët dhe simpatizantët e saj dhe për procesin zgjedhor, në të cilin kjo forcë politike tanimë ka hyrë.

– Bëhet shumë zhurmë për aleancat partiake. Mendoni se balancat e këtyre aleancave do të ndikojë në shumatoren qeveritëse?

Jetojmë në kohë zhurmash. Na nevojitet të ndajmë zhurmat nga tingujt. Pra, të ndajmë të vërtetat nga thashethemnajat. Nuk ka dyshim se është koha për të menduar e diskutuar rreth bashkëpunimeve elektorale dhe më pas qeverisëse të vendit. AK-ja është e identifikuar qartësisht dhe opinionalisht si lokomotiva më atraktive dhe më aktive, madje, edhe më radikale e opozitës së sotme në Shqipëri. AK-ja po e studion me shumë kujdes mjedisin politik, aktorët politik, strategjitë e tyre, taktikat politike, vijën e sjelljes që po ndjekin dhe po bën kalkulime të sakta, nisur nga këto principe: së pari, aleancë do bëhet me forcën ose me forcat politike më atdhetare, më demokratike, më progresive dhe më pro euro-atlantike. Ky parim bazohet në veprat dhe jo në fjalët, premtimet, apo retorikat boshe. Së dyti, AK-ja do mbështesë në çdo rrethanë parimin për realizimin e rotacionit dhe rifreskimit të lidershipit politik shqiptar në të tëra institucionet. Së treti, AK-ja do bëjë përllogaritje që të maksimalizojë rezultatin e saj politik në votë qytetare dhe përfaqësim në parlament. Së fundi, AK-ja, vendimin për koalicione para e pas zgjedhore, do e marrë institucionalisht në kohën e duhur dhe do e bëjë dhe arsyetojë atë publikisht.

– AK-ja, duke u detyruar edhe nga sistemi zgjedhor, me çfarë kritere do të zgjedhë bashkëpunimin, qoftë para, qoftë paszgjedhor?

– Kodi Zgjedhor, por mbi të gjitha përvoja e dështimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri, e detyron edhe AK-në të mendojë paralelisht për tërheqjen e votës së gjerë qytetare, por edhe për garantimin ose e thënë ndryshe, mbrojtjen e votës nga manipulimi e vjedhja e saj. Mjerisht, jetojmë në një mjedis ku qytetarët po qartësohen se duhet të votojnë masivisht për ndryshim, por janë të intimiduar nga pasiguria e mosrespektimit të votës së tyre. Në aspektin e zgjedhjeve, të votimit e numërimit të votës përjetojmë një periudhë staliniste, pa Stalinin. Shumë keq më vjen, por ky është ankthi i qytetarëve shqiptarë. Kjo situatë pasigurie e bën akoma më emergjent një bashkëpunim opozitar të gjerë mbarë shqiptarë. Në javët që vijnë gjithçka do qartësohet në këtë aspekt.

– Konfliktualiteti politik, që në fillim të procesit zgjedhor (për ndarjen e mandateve) a është një prelud se çfarë klime politike do të karakterizojë zgjedhjet e 23 qershorit?

Po. Madje është një prelud jo i mirë. Mënyra sesi po shkohet në zgjedhje, deri tani dëshmon se maxhorancës i mungon vullneti i duhur për zgjedhje të lira e të ndershme. Mendoj se, është shansi i fundit i kësaj maxhorance, që të dëshmojë seriozitetin ndaj vlerës më të themelore të demokracisë,-votës së lirë e të ndershme. Përndryshe, përsëritja e gabimeve të së kaluarës, në kontekstin krizës së sotme politike, institucionale, ekonomike, sociale e morale, do ta fuste vendin në një impas shumë kritik. Shqipëria është në buzë të greminës, prej nga mund të ngrihet, ose mund të rrëshqasë, sipas modelit të dështimit grek. Ka shumë pak vend për manovrime në situatën e mjedisin e  sotëm politik shqiptar. Përgjegjësitë për dështimin e zgjedhjeve rëndojnë kryesisht mbi qeverinë, institucionet relevante për zgjedhjet dhe maxhorancën aktuale. Mbi forcat opozitare përgjegjësia bie për bashkëpunimin e gjerë e gjithëpërfshirës të aktorëve e faktorëve politik të të gjithë vendit, si dhe për kooperimin e tyre në garantimin e votimit së lirë e të ndershme.

– Ethet e pushtetit te palët politike, a mund të minojnë që procesi zgjedhor të mos bëhet i ndershëm dhe, veç të tjerash, të pakësohen  mundësitë e integrimit Shqipërisë?

Fushata zgjedhore, mbajtja e zgjedhjeve, standardi i tyre dhe rezultati paszgjedhor do kenë impakte shumë të mëdha për demokracinë në Shqipëri, për qeverisjen e mirë, për funksionimin e parlamentarizmit shqiptar, për konsolidimin e institucioneve të pavarura të drejtësisë, për forcimin e rendit e të shtetit ligjor, për luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar e larjes së parave. Të gjitha, të marra së bashku, këto standarde realizojnë kualitetin e kërkuar nga shoqëria shqiptare dhe nga BE-ja për fitimin e statusit të vendit kandidat për në BE. Integrimi nuk është çështje sasiore ligjesh. Integrimi është para së gjithash kualitet dhe respekt për ligjet që miratohen. Kjo i ka munguar Shqipërisë. Këtë dëshiron shoqëria shqiptare. Këtë sugjeron BE-ja.

– Kujt i shërben acarimi i klimës parazgjedhore dhe vënia në dyshim që në fillim të mirëbesimit të procesit zgjedhor?

– Të dështuarve u intereson acarimi, konfliktualiteti madje edhe krizat e thella. Tymnajat elektorale janë për fshehur të vërtetat. Qytetarët, forcat progresive, demokratike, moderne dhe euro-atlantike duan qetësi, siguri, rend, ligj dhe një atmosferë mundësisht festive gjatë zgjedhjeve për mbarë popullin shqiptar. Qetësia përpara zgjedhjeve i ndihmon qytetarët për te menduar për votën, i ndihmon politikanët për të artikuluar idetë publikisht, i ndihmon rendit për të pasur qetësi publike, i ndihmon institucionet që të kryejnë secili punët e veta pa ndikim e presion dhe i ndihmon rezultatit që të jetë i lirë e i ndershëm. Klima e qetë është fitore pa të humbur në procese zgjedhore.

– Besoni se pas 23 Qershorit, do të përmirësohet klima e mirëkuptimit, midis palëve politike për një bashkëpunim për çështjet e mëdha kombëtare dhe të integrimit?

– Kjo do varet shumë nga rezultati. Nëse rezultati do jetë në kufij shumë të marzhinalizuar, mendoj se historia e tetë viteve të fundit do të rinisë nga e para, por me kahje të kundërt. Nëse rezultati do jetë me bazë të gjerë demokratike, që të mund të prodhojë reforma kushtetuese, kodike e ligjore me shumicë të cilësuar, atëherë lind shpresa se, Shqipëria mund të ringrihet në rrugën drejt demokracisë, ekonomisë dhe integrimit.

– Derisa BE-ja këmbëngul për votimin e 3 ligjeve, në të vërtetë, mosdhënia e statusit është thjesht mosvotimi i 3 ligjeve, apo ka edhe arsye që lidhen me standardet demokratike të (mos)arritura deri tani në Shqipëri?

Absolutisht, problemi i integrimit është problem kualitativ, pra problem cilësie ligjore dhe respekti për shtetin ligjor. Në Shqipëri kemi cilësi të dobët ligjore dhe injorim të shtetit ligjor. Qeverisja e dobët, mosfunskionimi i parlamentarizmit, korrupsioni, krimi i organizuar, larja e parave, cenimi serioz i lirisë së jetës, pronës e biznesit vendas e të huaj- tregojnë së në Shqipëri nuk ka standarde demokratike. Tre ligjet do ishte mirë të ishin miratuar. Por, akoma më mirë do ishte respektimi i qindra ligjeve të tjera që injorohen, shkelen e deformohen çdo ditë. Shqipërisë i mungojnë në tërësi standardet demokratike dhe jo thjeshtë tre ligje. Ne kemi nevojë për standarde demokratike të zbatuara rigorozisht dhe jo thjesht për një status të vendit kandidat të dhënë formalisht.

– Në Shqipëri, duke përfituar edhe nga sistemi zgjedhor,  ku i jepet kompetencat e përqendrimit të  pushteteve vetëm në duart e liderit partiak, a duhet të na trembë fuqizimi i Lideri(zimit) partiak, në çdo parti politike?

– Sigurisht që, ndryshimet kushtetuese në vitin 2008 dhe miratimi i Kodit Zgjedhor, asisoj siç e kemi sot, nuk e ka ndihmuar as demokracinë brenda partive politike dhe as demokracinë shqiptare në tërësi. Por, koha nuk pret për ndryshime të tilla. Ato ngelen për t’u bërë në të ardhmen. Ajo që mund të bëhet tani për tani, dhe këtu e kam fjalën për zgjedhjet e 23 Qershorit 2013, është respektimi i kodit aktual në mënyrë rigoroze,  ndjekja strikte e procesit, implimentimi i procedurave, që në tërësi të kemi zgjedhje të lira e të ndershme. Reforma të thella politike, institucionale e juridike janë të domosdoshme për të ardhmen. Por, këto ngelen më pas. Tani kambanat bien për t’u dëgjuar më 23 Qershor 2013.

– Mendoni se deputeti nazist grek shprehu thjesht politikën e partisë së tij, apo është –njëfarësoj- edhe shprehje e politikës zyrtare greke?

Fashizmi është me traditë të hershme në politikën greke. Midis dy luftërave botërore Kryeministri Grek, Metaksa ishte miku, shoku dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i Musolinit. Ato u prishën, kur Musolini sulmoi ushtarakisht Greqinë. Nga ajo kohë, fashizmi në Greqi herë është ulur e herë është ngritur, por kurrë nuk është shuar dhe eliminuar nga jeta politike e shoqërore greke. Në periudha krizash fashizmi në Greqi është ngritur. Madje, kohët e fundit bashkëpunon me organizata terroriste siç janë mavi dhe “17 Nëntori”. Askush nuk e ndan dot ku fillon terrorizmi e mbaron fashizmi. Fashizmi e terrorizmi ne Greqi janë dy anë të një medalje, janë dy struktura të një qëllimi, janë dy taktika të një strategjie. Nuk mund të themi se janë pjesë e politikës zyrtare greke. Por, nuk kemi as argumente të mjaftueshme të themi se janë tërësisht jashtë saj. Ndaj, vëmendja e shqiptarëve që jetojnë në Greqi, si dhe e shtetit dhe e shoqërisë shqiptare këtu në vendin tonë lypet të jenë shumë të ngritura ndaj tyre. Nacionalizmi i sëmurë, shovinizmi i papërmbajtur, fobia plot urrejtje racore e fanatizmi i thellë fetar i “Agimit të Artë”, të cilin unë e quaj “Perëndim i Errët” – janë me rrezik për Greqinë, për marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe për mbarë paqen e stabilitetin në Rajon.

– Faktin që akoma politika zyrtare greke, por edhe në përgjithësi politika greke, nuk u distancua nga këto qëndrime shoviniste, ekspansioniste të deputetit grek, kanë domethënie?

– Do dëshironim që politika zyrtare greke të distancohej publikisht nga “Agimi i Artë’, nga doktrina, veprimet dhe sjelljet e tij. Një distancim i tillë është në të mirë të shtetit e shoqërisë greke, e cila duhet të shkëputet nga recidivat e ndikimet e nazizmit e fashizmit, por është edhe në dobi të politikës së fqinjësisë së mirë, të bashkëpunimit rajonal, të paqes e stabilitetit në rajon. Do ishte shumë negative, nëse politika zyrtare greke e përdor koperturën e nazizmit për arsyetimin e krizës së brendshme, shmangien e vëmendjes prej saj si dhe për përfitime konjukturale ndërkombëtare. Nazizmi e fashizmi janë njolla të zeza në historinë e njerëzimit. Askush dhe në asnjë rrethanë nuk mund të përfitojë prej tyre.

– Mendoni që marrëdhëniet bilaterale me Greqinë, do të rëndohen, paskëtaj?

– Nuk ka dyshim se ndërfutja e forcave regresive, reminishencave të së kaluarës, ose ndikimeve shovene, raciste e fobiste të së sotmes midis popullit shqiptar e popullit grek do sillte ndikime përkeqësuese në marrëdhëniet bilaterale midis dy shteteve tona. Duke pasur parasysh se kemi edhe probleme reale të pazgjidhura, sikundër është çështja e madhe dhe e drejtë e Çamërisë, atëherë situata e marrëdhënieve shqiptaro-greke do të përballej me sfida të reja. Mendoj e shpresoj që elita politike greke ka nxjerrë mjaft mësime nga historia e përgjakur e fashizmit në Greqi, e përvojës së errët të nazizmit në Gjermani dhe në Evropë si dhe nga shovinizmi, racizmi dhe fobia në mbarë botën. Historia na jep mjaft mësime pozitive për t’u konsideruar dhe jo modele negative për t’u kopjuar. Ne, që kemi motra e vëllezër në Greqi, sikundër Greqia ka një minoritet në Shqipëri, nevojitet të jemi të parët për të shmangur çdo politikë fashiste, naziste, raciste apo fobiste kundër njëri-tjetrit. Shqiptarët e grekët lypet t’i ndryshojnë emrin Ballkanit, nga “Fuqi Baroti” në “Lëndinë Paqeje”. Ky ndryshim imazhi për Ballkanin nuk arrihet pa kontributin e sakrificën e popujve dhe vendeve tona. Nga përballja me këtë sfidë, askush nuk humbë. Nga zgjidhja  e saj përfitojnë të gjithë.

– Faleminderit!