Fiton formula e zgjedhjeve të 2009-s

713
Sigal

Kuvendi miraton ndarjen e mandateve për deputet për 23 Qershorin e 2013-s

 Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 72 vota pro, 63 kundër dhe 1 abstenim ndarjen e mandateve të deputetëve, sipas formulës së zgjedhjeve të fundit parlamentare të 2009-s. Vendi do të shkojë në zgjedhje sipas ndarjes së deputetëve për qarqe të vitit 2009. Kuvendi, me votimin e shumicës së thjeshtë aritmetike, pranon që mandatet e deputetëve për zgjedhjet e ardhshme të bëhen, kopje e zgjedhjeve të 2009-s, duke rrëzuar Kodin e ri Zgjedhor, i votuar me konsensusin politik të Kuvendit, i cili përcakton në nenet e tij se mandatet duhet të ndahen në proporcion të drejtë me numrin e popullsisë, sipas qarqeve. Kuvendi, duke miratuar ndarjen e mandateve të deputetëve, pranoi që qarqet, sikurse Tirana dhe Durrësi, që kanë rritje më të madhe të popullsisë, në krahasim me numrin e popullsisë të 2009-s, do të kenë, prapëseprapë, po ato mandate që kishin, ndërsa qarqet, sikurse Korça dhe Berati, do të kenë mandatet e njëjta, edhe pse kanë popullsi më të vogël. Kuvendi, me 72 votat pro, modelit të ndarjes të mandateve sipas 2009-s, votoi që ndarja e mandateve për deputetë, për 23 Qershorin e 2013-s, të mos bëhet mbi barazinë e votuesve, por, vota e një votuesi në Qarkun e Kukësit, Korçës  të ketë vlerë më shumë se vota e votuesve në Qarkun e Tiranës dhe Durrësit. LSI-ja, PDIU-ja dhe ish-deputeti socialist Kastriot Islami kanë bashkuar votat me demokratët, për të lënë në fuqi ndarjen e deputetëve, sipas zgjedhjeve të shkuara, duke bërë që vendimi i shumëdebatuar të marrë 72 vota pro, votën kundër të socialistëve, ndërsa është vënë re edhe abstenimi i Vangjel Dules. Seanca u shoqërua me debate të ashpra për shkak të qëndrimeve të kundërta mes palëve për këtë çështje. Demokratët ranë dakord që ndarja e mandateve të bëhej nga Kuvendi, sipas vitit 2009, në kushtet kur KQZ-ja nuk arriti ta përmbyllte këtë proces. Nga ana tjetër socialistët pretendojnë se procesi zgjedhor po komprometohet ende pa nisur, pasi Kuvendi nuk mund të marrë kompetencat e KQZ-së.

Ruçi: “Krim dhe uzurpim shtetëror për zgjedhjet”

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi kërkoi që çështja e mandateve të mos votohej dje, por palët të përafrojnë qëndrimet në mënyrë që siç tha ai, të mos shkelen ligjet dhe Kushtetuta. Sipas Ruçit, nëse maxhoranca vendos në mënyrë të njëanshme për çështjen e mandateve, zgjedhjet e 23 Qershorit janë të kompromentuar pa nisur ende. “Po diskutojmë për një kryer një krim dhe uzurpim shtetëror për zgjedhjet ju po kërkoni të prishni rregullat e lojës, unë ju rikonfirmoj se nëse ju do e bëni këtë, do keni përgjegjësi të madhe ndaj Kushtetutës dhe do ndëshkoheni rëndë, moralisht, politikisht dhe ligjërisht, por tani ju bëj kërkesë, debatin e bëmë, në emër të grupit ta lëmë debatin, të mos e votojmë, të vazhdojmë si më parë që ju në emër të PD, unë në PS, të mblidhemi për ndarjen e mandateve e të përafrojmë qëndrimet në zbatim të plotë të kushtetutës, të kodit dhe precedentëve parlamentarë, ndryshe e keni kompromentuar procesin që sot.”,- u shpreh Ruçi.

Patozi: “ Ky është debat i pastër politik, për shkak të Ramës”

 Në emër të deputetëve demokratë, Astrit Patozi tha se, debati për mandatet është një debat politik i nxitur nga kreu i PS-së. Sipas Patozit, opozita nuk di çfarë kërkon, sepse kërkojnë miratimin e një projekti që vetë e rrëzuan në KQZ. “Ky është një debat i pastër politik, për shkak të Edi Ramës, i cili sheh pas çdo kaçubeje një diversant që i kërcënon karrigen për pushtet. Për rreth 2 muaj me radhë, PS akuzoi PD se po kërkonte manipulimin e zgjedhjeve 7 muaj para se ato të mbaheshin. Përfaqësuesit e opozitës në KQZ refuzuan të kryenin detyrën për shkak të një urdhri politik. Sot ne po akuzohemi si manipulatorë se nuk po pranojmë që pikërisht ai projekt i rrezuar nga PS në KQZ të mos miratohej. Kaq banale është historia. Nuk dini çfarë kërkoni, largoni paranojat, hiqni barrikadat në KQZ”,- deklaroi Patozi.

Paloka: “PS njollosi procesin në KQZ”

Deputeti demokrat Edi Paloka, lexoi relacionin e miratuar vetëm me votat e maxhorancës në Komisionin e Ligjeve. Në bazë të këtij relacioni, Kuvendit i kërkohet të marrë vendim për ndarjen e mandateve sipas formulës së zgjedhjeve të fundit parlamentare, pasi më parë KQZ dështoi në marrjen e një vendimi për një ndarje të re të tyre. Sipas deputetit Paloka, KQZ nuk arriti të merrte vendim për ndarjen e mandateve, “pasi në Komision u shpreh qartë vullneti për të bllokuar nga anëtarët e propozuar nga PS.”
“KQZ ezauroi plotësisht rrugën e tij administrative për të vendosur numrin e mandateve të zonave zgjedhore. Në përfundim te procedurës, parashikuar në kodin zgjedhor, KQZ nuk mundi të miratonte këtë çështje. Njollosja e procesit ka përgjegjës tre anëtarët e KQZ të propozuar nga opozita. Kuvendi nuk mund të marrë dhe as të zëvendësojë rolin e KQZ, për pasojë rruga e vetme mbetet caktimi i mandateve të bërë nga kuvendi në vitin 2009”,- u shpreh Paloka.

Gjiknuri:Krijohen mutacione juridike, për  ndarje të  njëanshme e mandateve”
Deputeti i PS-së, njëherësh Sekretari për çështjet zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri akuzoi Kuvendin se po kryen një krim të dyfishtë me atë që ai e quajti, ndarjen e mandateve në mënyrë të dhunshme. “Tentativa për të ndarë në mënyrë të dhunshme mandatet është një krim i dyfishtë. Kuvendi do të uzurpojë në mënyrë të paligjshme pushtetin, duke ndarë mandatet në kundërshtim me të drejtën e votës”, tha Gjiknuri ndërsa shtoi se: “Po krijohen mutacione juridike, pasi kërkohet me çdo kusht kërkohet ndarja e njëanshme e mandateve”, siç tha ai. Sipas Gjiknurit mandatet duhet të ndahen me konsensus, por siç tha ai Kuvendi ka marrë në dorë ‘frenat’ pasi “Njerëz, të cilët banojnë në Kamzë e Laprakë, me urdhëresë të Ministrisë së Brendshme, janë vendosur në 4 komunat e Kukësit, që aty të rritej artificialisht numri i banorëve”,- tha ai. Kjo praktikë sipas Gjiknurit kundërshtohet nga opozita, por nga ana tjetër interpretohet prej maxhorancës si bllokim. “Nuk është bllokimi jonë, por diktat i njëanshëm politik dhe ju e shisni si bllokim, ndërkohë që, realiteti neve na detyron të bëjmë vetëgjyqësi politike”, iu drejtua Gjiknuri maxhorancës. “Edhe sikur kështu të rrinë mandatet, edhe pa konsensus të jeni të bindur që nuk e merrni dot votën e popullit”, shtoi ai.
Blushi: “Ta fillojmë lojën në mënyrë të barabartë!”
Sipas deputetit socialist Ben Blushi, maxhoranca po tenton të vendosë në mënyrë të njëanshme rregullat e lojës, duke ndarë mandatet në Kuvend. Deputeti socialist theksoi se “opozita nuk kërkon të marrë të drejta që nuk i takojnë, por kërkon që loja të fillojë në mënyrë të barabartë.”  “Në 20 vjet ky parlament nuk ka bërë këtë që po tentoni të bëni ju sot, të ndani në mënyrë të njëanshme rregullat e lojës. Ky është vendim i njëanshëm që nuk ju çon asgjëkund. Doni ta ndani Shqipërinë si të doni, po ndani vendin jo në banorë por në votues. Me ç’të drejtë ju i thoni një kuksiani jeto në Kukës sa të mbarojnë zgjedhjet”,- u shpreh Blushi.
Mandatet që miratoi Kuvendi, sipas ndarjes në zgjedhjet e 2009-s
1. Zona zgjedhore Qarku Berat – 8 mandate
2. Zona zgjedhore Qarku Dibër – 6 mandate
3. Zona zgjedhore Qarku Durrës – 13 mandate
4. Zona zgjedhore Qarku Elbasan – 14 mandate
5. Zona zgjedhore Qarku Fier – 16 mandate
6. Zona zgjedhore Qarku Gjirokastër – 5 mandate
7. Zona zgjedhore Qarku Korçë – 12 mandate
8. Zona zgjedhore Qarku Kukës – 4 mandate
9. Zona zgjedhore Qarku Lezhë – 7 mandate
10.Zona zgjedhore Qarku Shkodër – 11 mandate
11.Zona zgjedhore Qarku Tiranë – 32 mandate
12.Zona zgjedhore Qarku Vlorë – 12 mandate

   Numri i votuesve sipas qarqeve Nëntor 2012

 Qarqet       21 qershor                 7 nëntor

Berat             231277          231414

Dibër         179312                179276

Durrës        416299              418430

Elbasan      432457              434167

Fier          489599                491190

Gjirokastër     154369               154285

Korçë          352200         35244

Kukës          108068          108750

Lezhë          214458          215176

Shkodër      32946                330269

Tiranë         1012349       1020013

Vlorë           375551         376795

Totali          4295406       4312210