Rama: “Politikës i rrija larg, nuk i duroja dot as erën”

465
Sigal

Kryetari i Partisë Socialiste flet para të rinjve të FRESSH, gjatë një aktiviteti kushtuar sportit

“Mua ma mori sportin politika, i rrija larg se nuk i duroja dot as erën, politikës”, kështu hapi zemrën para të rinjve të FRESSH, Kryetari i PS-së, Edi Rama gjatë një aktiviteti kushtuar sportit. Sipas kryesocialistit, ky mendim i tij i dikurshëm mori rrjedhë tjetër, sepse, siç theksoi ai, “hyrja në politikë ka një qëllim, bërjen të mundur të gjërave”. “Por, politika si një pasion i brendshëm i çdo njeriu që dëshiron të bëjë gjithçka që gjërat të ndryshojnë që fundi i viteve ‘80, vigjilja e viteve ‘90 dhe instinkti i ndryshimi, era e ndryshimit e sigurisht dëshira për ndryshimin dhe unë kështu preferova në vend të merresha me sport çdo ditë, i dedikohesha kësaj pjese që ishte komplementare me aktivitetin politik. Sot e besoj tërësisht se politika është t’i jepet njeriut të zakonshëm jo për t’u bërë politikan, por për të bërë të mundura bashkë me të tjerët, gjëra që nuk janë të mundura. Në politikë për të bërë gjërat e mundura”. Kreu i selisë rozë nuk ka kursyer edhe batutat, teksa ka ndarë me të pranishmit përvojën e tij si ish-basketbollist, si dhe arsyet pse i dha fund atij, për të përqafuar një tjetër “sport”, por kësaj herë një sport ku peshë nuk ka me fiziku, por fjala. “Asokohe njerëzit si unë të gjatë ishin pak, numëroheshin me numra dhe kriter ishte gjatësia, nëse ishe i gjatë ishe edhe futbollist. Fideli do mbetet një yll në sport, ndërsa unë isha dhe do mbetem një i gjatë që shikoja yjet. Megjithëse, disa miq të mi mendojnë se po ta vazhdoja sportin do kisha arritur të kapja yjet, unë se besoj këtë gjë. Por, unë e lashë sportin, kur iu futa politikës, si një pasion i brendshëm i çdo njeriu që dëshiron të bëjë diçka që gjërat të ndryshojnë. Sipas Ramës, një njeri i vetëm mund të realizojë gjëra për veten e tij, por jo mjedisin ku jeton. Sipas tij, këtë e bën politika. “Një njeri i vetëm mund të bëja gjëra për veten e tij, por nuk ndryshon dot mjedisin ku jeton, as rrugën që i kanë përcaktuar të tjerët, për t’ja dalë të bëjë më shumë të bëjë më mirë. Fjala vjen, ju vetëm mund të bëni një ekip, mund të keni një kënd lojërash për të luajtur me njëri-tjetrin, por nuk bëni dot terrene sportive të denja, as program shkollor që ta ketë përfshirë sportin si aktivitet”. Si një ish-sportist, Rama ka nënvizuar rëndësinë e masivizimit të sportit, sidomos tek të rinjtë, si një element shumë i rëndësishëm në socializimin, shëndetin si dhe mbajtjen larg nga veset të tyre. “Sporti duhet të futet nëpër shkolla, jo vetëm ndryshon cilësinë e jetës, por edhe sepse ndryshon marrëdhëniet e tuaja me veten, njerëzit përreth dhe shoqërinë. Unë s’do mbaroj së falënderuari të gjithë ata njerëz që ma bënë jetën mua shumë të bukur në sport. Ky kampionat, që ju do të filloni dhe ky mjedis që krijoni, do t’u japë një vlerë të shtuar brenda vetes, një kuptim shumë të mirë për bashkëjetesën. Mbase do të shquhen edhe Fidelët e gjeneratës suaj, por kjo ka më pak rëndësi. Nuk jam kundër diskotekës, por në orën e duhur, vendin e duhur, dhe njerëzit e duhur”, tha ai. Kreu i selisë rozë i ka ftuar të rinjtë që të bëhen pjesë e rrugëtimit të PS-së drejt 23 Qershorit.