Artistët zhyten në varfëri, politikanët me miliona euro

704
Shpërthimi emocionues i Bujar Asqeriut: Aktorët në varfëri, politikanët me miliona euro
Zhvendosja e Teatrit Kombëtar/ Reagojnë Neritan Liçaj, Luiza Xhuvani, Agim Hushi, Altin Basha, Stefan Çapaliku e Kastriot Çipi
Pas skandalit me ndërtimin e Teatrit të ri, ku artistët nuk bien dakord me qeverinë për godinën e re, duket se edhe thirrjet e tyre vijojnë të jenë të kota. Dje u ndaluan të mos hynin në ambientet e punës artistët më të njohur shqiptarë, të cilët janë bashkuar dhe kanë ngritur zërin. Aktori Bujar Asqeriu, i revoltuar dhe aspak i motivuar për punën dhe harxhimin e një jete në skenë, u shpreh se, artisti ynë më i mirë merr rrogën më të vogël se një nëpunëse më e rëndomtë e Ministrisë së Kulturës. Zhvendosja e Teatrit Kombëtar siç parashikohet në planet e qeverisë, e kontestuar nga artistët mbarë, ka sjellë të tjera zhvillime paraditen e djeshme. Ata kanë protestuar sërish dhe me shumë vështirësi kanë mundur të hyjnë deri në hollin e Teatrit Kombëtar. Duke kërkuar transparencë për gjithçka pritet të ndodhë, artistët kërkojnë një takim me ministren Kumbaro. “I bëjmë thirrje ministres Kumbaro që t’u përgjigjet kërkesave tona, të bëhet çdo gjë transparente, pasi e-mailet që supozohet të jenë dërguar, nuk na kanë ardhur”, thonë artistët. Përderisa nuk është caktuar ende një datë, se kur ministrja Kumbaro do t’i presë, artistët parashtrojnë datën 14 shkurt, të mërkurën në orën 16:00 në ambientet e TK-së dhe presin që Kumbaro të shkojë tek ata. Në lidhje me ndërtimin e godinës së re, Kumbaro tha se po mbarojnë punimet në qendrën e artit e pagëzuar me emrin “Turbina”. 
Deklarata e e Bujar Asqeriut 
Përshëndetje të gjithëve dhe më falni që në takimin e parë tek Akademia e Arteve, nuk pata mundësi që të flisja, për arsye se ato çka duheshin thënë, jo vetëm i thanë të gjithë artistët, por në mënyrë të veçantë i tha artisti ynë i madh Robert Ndrenika. Por si duket refleksionet që vijnë, nga qeveria dhe nga ministrja jonë e nderuar janë të vakëta dhe të pafuqishme, e mos të them dhe të ftohta. Si duket këta akoma nuk e kuptojnë se çfarë është në thelb artisti. Artisti ynë më i mirë, merr rrogën më të vogël se një nëpunëse më e rëndomtë e Ministrisë së Kulturës. Domethënë ky është vlerësimi që i bën shteti shqiptar, ministria e Kulturës të gjithë këtyre artistëve, që luftojnë me gjakun, me djersën dhe me mundin e madh në skenë. Jo më kot kolegët tanë të nderuar, artistët tanë të mëdhenj ikën nga kjo botë në moshën më të re dhe askush nuk u kujdes për ta. Askush nuk pyeti për ta. Askush nuk e çau trapin për ta. Dhe ata ikën me një barrë pengjesh në shpirt. Dhe këto pengje të tyre ne duhet t’i ngremë me të madhe. Mos të them që Bujar Lako jetoi në një dhomë e kuzhinë 50 metra katrorë (m2), artisti ynë i madh. Kurse qeveritarët tanë kanë vila nga 5 milionë nga 10 milionë euro. Kjo është drama e madhe e këtij vendi. Kjo është drama që këtu udhëheqin hajdutët. Këtë vend e drejtojnë hajdutët, miqtë e mi, prandaj nuk mbeten lekë për artistët. Prandaj nuk ka lekë për teatër. Prandaj neve na fusin në vërrën e miut atje te hidrocentrali. Prandaj. Sepse hajdutët nuk lënë lekë, edhe lekët e një dosjeje i marrin, 200 lekë që bënë një dosje edhe atë e marrin. Për stilolapsin, dhe ato i marrin. Nuk lënë lekë në këmbë. Kjo është administrata jonë. Prandaj më vjen shumë keq! Ndonjëherë them: Pse të flas, për çfarë të flas? A përmbyset kjo hajdutëri, nuk përmbyset. Nuk kam fuqi unë, as juve ta përmbysni këtë gjë. Por, ne kemi të drejtë legjitime të Zotit dhe Zoti i paftë ata, ata dhe fëmijët e tyre, që kanë vjedhur djersën dhe gjakun e këtij vendi! Zoti i paftë! Unë ia lë atij. Ne kaq kemi, të themi vetëm mendimin tonë. E kuptoj që ata nuk do pyesin për ne. E kuptoj që do të tallen me ne. E kuptoj që do na përqeshin ne. Ata do nxjerrin gjuhen kur të kalojmë ne. “Po mirë çfarë është ky, ky është nga ata artistët!”, kështu bëjnë këta, po po. Ata mendojnë vetëm tre gjëra kur dalin në punë; “Sa do fitoj sot, ku do ta ha drekën apo darkën, dhe me kë do të bej qejf.” Këto tre gjëra, ky është trekëndëshi i jetës së tyre. Nuk mendojnë ata asgjë tjetër. Ndaj ne aq sa kemi fuqi ta mbrojmë punën tonë! Të mos harrojmë Agim Qirjaqin, kur donin ta rrafshonin teatrin dhe kur doli aty ku shkruhet Teatri Kombëtar, të mos i harrojmë lotët e tij kur tha: “U shkruajt Teatri Kombëtar!”. Të mos i harrojmë këto gjëra!
Tenori Agim Hushi: Një qeveri e çmendur s’mund të marrosë shpirtin e një populli 

Nga Australia e largët ka reaguar edhe tenori Agim Hushi për situatën e krijuar me artistët. “Më së fundmi ata po flasin! Po bashkohen dhe po mbështesin kauzën e tyre të nëpërkëmbur, teatrin e tyre, shtëpinë e tyre të artit; jetën e tyre! Megjithëse heshtën ato ditë kur më fyen mua, kolegun e tyre dhe makina e pushtetit prodhoi me urdhër mallkimin tim, pse quajta hajdutë ata që kanë zënë për fyti atdheun, që po na përzënë të gjithëve! Ngriti hordhitë e puthadorëve, pse thash që me vjen turp që flas dhe unë gjuhën e tyre: hajdutëve, maskarenjve me hundë të bardhë, anti-artistëve dhe anti-shqiptarëve”, shprehet Hushi. Ai kujton edhe etiketimet që mori kur kritikoi gjendjen e artit në Shqipëri. “Më quajtën tradhtar, se fola hapur dhe me zë të lartë, me dhimbjen e ikjes! Foli aq bukur Ndrenika, Asqeriu, Anila Bisha… Dhe kur flasin artistët nga shpirti, është si mallkimi i Zotit! Shpresoj që zëri juaj të gjëmojë me forcën e së drejtës, logjikës dhe forcës së pastërtisë që karakterizon artistin dhe shpirtin e tij! Uroj që kjo forcë të kthehet në një ortek që do të shkulë atë klasë të dështuar politike që po shkatërron dhe merr nga ai popull gjithçka të vyer; edhe shpirtin e lirë! Jam me ju miq dhe kolegët e mi! Por bashkohuni, mos lini t’ju thyejnë apo t’ju kërcënojnë me asnjë çmim! Me siguri do t’ju duan të ikur dhe ju! Një grua apo një qeveri e çmendur s’mund të marrosë shpirtin e një populli dhe arti të vërtetë!”, shprehet tenori i njohur.
Kastriot Çipi: Ndërtimi i kullës, ide e vëllait të ministres
Në debatin e krijuar mes artistëve dhe ministres Mirela Kumbaro ka ndërhyrë edhe ish-drejtori i Teatrit Eksperimental, Kastriot Çipi. Ky i fundit, përmes një postimi në rrjetet sociale i shkruan ministres se ideja e ndërtimit te teatrit brenda një kulle ishte e vëllait të saj, kur ishte këshilltar i ministrit të Kulturës, Blendi Klosi. Ndërkohë, sa për Bingon dhe klubin që Kumbaro ia kujtoi Ndrenikës, Çipi publikon edhe kontratën e qerasë, duke shtuar se ajo është lidhur nga ish-ministri i Kulturës, sot kryeministër, Edi Rama.

Neritan Liçaj: Edi Rama, një zhgënjim shumë i madh për ne

Aktori Neritan Liçaj, ka qenë i ftuar dje në studion e lajmeve të Syri.net, ku ka folur me tone të ashpra, për përplasjen mes aktorëve dhe Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro. Liçaj thekson: “Është një ligj i papranueshëm, është një ligj antikushtetues. Gjithë kjo frymë e ndryshimeve në ligj, ka për qëllim territorin. Atij territori që i janë qepur prej vitesh. Ministrja kërkon të ketë të gjithë pushtetin e artit dhe, nëse të gjitha institucionet kalojnë në duart e ministres, atëherë kemi të bëjmë me diktaturë. Kemi nevojë të kthejmë sistemin monist të arteve? Unë them që jo. Ne po ndërmarrim hapat tonë, ne kemi kërkuar një takim me ministrinë, të cilin ministrja e ka pranuar. Këtu e ka gabim ministrja. Ajo ka kërkuar që ne të shkojmë në ministri dhe të na tregojë arrogancën, por ne i kemi thënë, jo. Le të vijë ajo në Teatrin Kombëtar, ta ndiejë dhe ajo të ftohtin si ne, po ashtu si dhe vëllai i saj që punon prej vitesh aty. Ne kemi kërkuar një takim me ministrin dhe dëgjesa të jetë publike. Ne jemi për dialog. Drejtori, reagoi dhe reagoi shëmtuar, sepse nuk na lejoi të futeshim në sallë, kërkoi zbatimin e ligjit. Shumë dakord që ai kërkon zbatimin e ligjit, por në këto 4 vjet a e ka zbatuar ai ligjin?! Unë shpresoj që të reagojë kryeministri i pari për mbrojtjen e artistëve. Është pak e vështirë të besohet, se gjithçka e ka bërë Kumbaro. Unë shpresoj që kryeministri të reagojë në krah të artistëve, sepse është artist dhe gjak artisti. Kur erdhi Rilindja në Shqipëri, kam qenë me shumë shpresa. Ishte hera e parë në Shqipëri që kryeministri ishte artist, dhe thashë se për herë të parë problemet tona po zgjidhen, por në fund -ishte një zhgënjim shumë i madh. Ne nuk kemi më asnjë lloj statusi, që edhe në kohën e Enver Hoxhës e kemi pasur një lloj statusi. Sot ne jemi numra, nuk kemi asnjë lloj gjëje që të na mbrojë. Toka e teatrit është tokë shtetërore, por nuk është tokë e qeverisë, siç nuk është Butrinti për të bërë qofte dhe sallam, ka ca limite. Këta këtë nuk kuptojnë, nga mbrapa xhamave të makinave të blinduar, ata nuk shohin se çfarë bëhet, kjo është diktaturë. De fakto është diktaturë. Kjo është diktaturë populiste, ke shembullin Rama, merr timonin timonieri dhe bën me të ç’të dojë. Unë periudhën e Enver Hoxhës e lashë pas dhe nuk dua t’i kthehem më. Më thotë një ditë im bir, i madhi kur pa Rilindësin në televizor, “ore pse është me nerva përherë ky?”. Dhe unë u ktheva e pashë, dhe po e dëgjoja, duke folur me ultimatume. Unë akoma nuk e kuptoj, kujt i flet me nerva dhe me ultimatume ai, pse i ka kaq inat shqiptarët”, tha Liçaj.
Stefan Çapaliku: Një moment shumë i rrezikshëm që duhet t’i themi: Stop!
Dramaturgu Stefan Çapaliku thotë se “Ministritë e kulturës në gjithë Evropën përpiqen të heqin kompetencat ndaj vetes”. “Në Shqipëri po ndodh e kundërta. Ky është një moment shumë i rrezikshëm që ne duhet t’i themi: Stop!” thotë ai. Sipas dramaturgut Çapaliku “pjesa më aksidentale, është zgjedhja e lidershipit të institucioneve kombëtare të teatrit”.
Altin Basha: Ministria e Kulturës nuk po tregon të vërtetën
Pas reagimeve të ministres, artistët thonë që takimi konsultues duhet të mbahet në Teatrin Kombëtar dhe jo në zyrat e ministrisë. “Nuk mund të bëjmë të paditurin, nuk mund të bëjmë që jemi keqkutuar, nuk mund të bëjmë që e kemi çuar në 500 adresa, se nga këta njerëz që janë këtu dhe ata që kam kontaktuar, asnjë nuk ka marrë e-mail nga ministria e kulturës për ndryshimet që duhen bërë në ligj. Ministria e Kulturës nuk tregon të vërtetën për çështjen e dialogut. Ditën e mërkurë në ora katër e presim ministren këtu. Do ta presim të gjithë këtu, jo në zyrën e saj, por këtu në sallë”, tha regjisori Altin Basha.
Nuk mungon as firma e ish-deputetes së PS, Luiza Xhuvani 

Protestës së artistëve kundër vendimit të Ministrisë së Kulturës për zhvendosjen e tyre nga Teatri Kombëtar, i është bashkuar edhe aktorja Luiza Xhuvani, njëherësh edhe ish-deputete e Partisë Socialiste. Emri i Xhuvanit është mes artistëve që kanë shënuar emrin në listën e firmëtarëve që janë kundër projektit të qeverisë. Kujtojmë se artistët janë shprehur kundër zhvendosjes së godinës së Teatrit, ndërsa shprehen se ky i fundit është pasuri kombëtare.
Sigal