Arben Ristani: Kandidatët për kryetar të PD duhet të zhvillojnë debat publik

206
Sigal

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Arben Ristani kërkoi nga kryedemokrati Lulzim Basha që të pranojë debatin publik me kandidatët e tjerë për kreun e selisë blu.

Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, Ristani deklaroi se Basha duhet të tregojë se është kryetar perëndimor. Sipas tij, gara brenda PD-së do të sjellë ndryshim dhe shpresë për të ardhmen.

“PD nuk ka rrugë tjetër për t’u ringritur dhe fituar, përveçse të jetë demokratike. PD duhet ta reflektojë shembullin demokratik në gjithë shoqërinë shqiptare. Një garë për kreun e PD, e drejtë, e barabartë, me rregulla të gjithëpranuara dhe zbatuara, do japë jo vetëm një kryetar legjitim, por do bëjë ndryshimin me të gjitha partitë politike në vend, do japë shembullin e duhur dhe shpresën për të ardhmen. Debati publik mes kandidatëve është kurora e duhur e një gare që ngjall shpresën për ndryshim. (Basha, i cili mban veten për kryetar perëndimor, ka shansin e fundit të sillet si kryetar partie dhe jo si pronar i ndërmarrjes private)”,- shkruan Ristani në Facebook.

Edhe gjatë ditë së sotme kandidati për kreun e PD-së, Fatbardh Kadilli, i bëri thirrje Kryesisë së Partisë Demokratike që të organizojë menjëherë përballjen publike mes garuesve.