Arben Malaj: Rritja e pagave e domosdoshme por do sjellë presion inflacionist

141
Sigal

Ish-ministri i financave, Arben Malaj është shprehur se rritja e pagave është e domosdoshme dhe e dobishme pasi kemi një rritje të madhe të pabarazisë në vend, varfërisë dhe një braktisje masive të rinisë.”Duhet të theksoj që rritja e pagave dhe pensioneve është e domosdoshme dhe e dobishme. E para është rritja e varfërisë dhe e dyta kemi një thellim të pabarazisë në vend, e treta është se për shkak të pabarazisë dhe varfërisë kemi një braktisje të madhe të vendit.

Problemet kryesore janë dy burimet se në çfarë burimi do të bëhet kjo rritje e madhe e pagave, pasi të kemi dëgjuar rritjen e pagave për grupe të ndryshme, por nuk kemi dëgjuar koston totale që do të rritet në buxhet.

Burimet duhet të jenë të qëndrueshme dhe të përhershme, mbi të gjitha është një marrëdhënie me biznesin pasi rritja e pagave në sektorin publik është e detyrueshme dhe në sektorin privat, por edhe në tërësi do të krijohet një ndikim nga sektori publik në atë privat, i cili dhe sot vuan.

Mbi të gjitha është që duhet të qeverisë me strategji afatgjatë, me program afatmesëm dhe me buxhet vjetor. Ky buxhet është miratuar në qeveri në dhjetor. Brenda strategjisë së saj të mbrojtjes sociale ishin parashikuar ndryshime të mëdha pagash, por duhet të ishte përfshirë në buxhet duke i shoqëruar me burime alternative. Marrja e vendimeve spontane pa respektuar biznesin është i dëmshëm, sepse duhet të diskutohet me grupet e biznesit për çdo hap.

Kur flasim për koston e punës flasim dhe për pagën dhe për sigurimet shoqërore, automatikisht me rritjen e pagës minimales dhe mesatare rriten dhe kontributet në skemën e sigurimeve. Rritja e të ardhurave ka të bëjë sfidën më kryesorë që është informaliteti dhe jo thjesht më rritjen e pagave dhe kontributeve. Për të bërë rrugën më të shkurtër neglizhohet ajo që është më kryesorja, në mbledhjen e sigurimeve shoqërore mbledhim dy herë më pak se vendet e rajonit. Në këtë aspekt duhet të ketë një strategji lehtësuese, që ndihmon biznesin informal të kthehet në biznes normal.”