Banka e Shqipërisë mbyll vitin me 278 milionë euro humbje

129
Sigal

Banka e Shqipërisë mbylli vitin 2022 me humbje rekord prej 312 miliardë lekësh, përkundrejt 1.9 miliardë lekësh humbjeve të 2021, duke shënuar humbjen më të madhe që nga 1997. Nderkohë që nën drejtimin e Guvernatorit Sejko, po gremisen financat e shqiptarëve, bankat private të nivelit të dytë falë edhe “qokave” të BSH, vetëm në 2 muajt e parë të 2023 kanë siguruar 53 mld lekë fitime ose 128%. Ky është rezultati më i lartë që prej vitit 2015

Banka e Shqipërisë mbylli vitin 2022 me humbje rekord prej 31.2 miliardë lekësh, përkundrejt humbjeve prej 1.9 miliardë lekësh të regjistruara në vitin 2021.

Humbjet erdhën si pasojë e rritjes së shpejtë të interesave në tregun vendës dhe atë ndërkombëtar, gjë që ul vlerën aktuale të titujve të borxhit të mbajtura nga ky institucion financiar, si dhe nga ndryshimet në kursin e këmbimit, konkretisht, forcimit të konsiderueshëm të lekut përkundrejt euros dhe dollarit, monedhat në të cilat mbahet një pjesë e aseteve të bankës qendrore të vendit. Banka Qendrore Evropiane mbylli vitin e kaluar me 1.6 miliardë euro humbje dhe bankat e tjera qendrore të vendeve anëtare kanë të njëjtën ecuri. Banka Qendrore e Zvicrës humbi 143 miliardë lekë, njoftoi NCBC. Humbjet e bankës qendrore nuk janë domethënëse për ekonominë e gjerë pasi qëllimi i ekzistencës së këtyre bankave është ruajtja e stabilitetit të çmimeve dhe jo nxjerrja e fitimeve. Në situata të zakonshme, bankat qendrore nxjerrin fitime, të cilat i transferojnë te buxheti i qeverisë në formën e dividentit. Gjithsesi, fakti që humbjet janë kaq të mëdha, do të thotë se dividentë të tillë në financat publike ka gjasa nuk do të derdhen për ca vite.

Humbjet nga titujt

Banka e Shqipërisë ka një total asetesh prej 732 miliardë lekësh nga të cilat, 485 miliardë janë të investuara në tituj borxhi, përfshirë borxhe të qeverisë shqiptare. Ndërsa interesat e titujve të borxhit u rritën me shpejtësi vitin e kaluar, vlera aktuale e titujve të borxhit të mbajtura nga BSH nga blerjet e viteve të mëparshme, ra. Kjo bëri që vlera e instrumenteve të borxhit të mbajtura nga BSH të ulej me 13.5 miliardë lekë, një tendencë që vijon që nga viti i kaluar. Njëkohësisht, Banka e Shqipërisë humbi nga tregtimi i titujve të borxhit 4.2 miliardë lekë. Por humbjet më të mëdha u shënuan nga ndryshimet në kursin e këmbimit. Një pjesë e aseteve të bankës qendrore mbahen në monedha të ndryshme nga leku, apo janë në formën e arit monetar. Forcimi i lekut kundrejt monedhave të huaja bën që vlera e aseteve të mbajtura në monedha të huaja të bjerë. Bilanci i Bankës së Shqipërisë shënon humbje nga kursi i këmbimit në masën 14.5 miliardë lekë. Si pasojë e humbjeve, rezervat dhe kapitali i Bankës së Shqipërisë ranë nga 30 miliardë lekë në vitin 2021, në pak më shumë se 5 miliardë lekë në vitin 2022. Situata mund të ndryshojë financiarisht këtë vit në rast se interesat e titujve të borxhit të mbajtura nga BSH ulen dhe rrjedhimisht, vlera aktuale e këtyre titujve rritet. Gjithashtu, rritja e përgjithshme e interesave pas një dekade me interesa shumë të ulëta pritet normalisht të sjellë rritje të të ardhurave të bankës qendrore. Për shembull, gjatë vitit 2022, të ardhurat neto nga interesi u rritën me mbi tre herë, nga 1.2 miliardë lekë në 3.6 miliardë. Gjithsesi, sipas ‘Birn’, këto të ardhura ishin asgjë në krahasim me humbjet e pësuara nga tregtimi i aktiveve financiare apo nga kursi i këmbimit.

Fitimi i sektorit bankar, në rritje edhe për dy muajt e parë të këtij viti

Fitimi i sektorit bankar po rritet edhe në muajt e parë të vitit 2023. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për periudhën janar-shkurt fitimi neto i sistemit arriti në 5.3 miliardë lekë, në rritje me 128% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky është rezultati më i lartë për periudhën dymujore që prej vitit 2015.

Rritja e fitimit ka sjellë një përmirësim të dukshëm edhe në treguesit e rentabilitetit. Kthimi nga kapitali i sektorit, i mesatarizuar me bazë vjetore, u rrit në 17.01%, nga 7.86% që kishte për janarin e vitit të kaluar. Ndërsa kthimi nga aktivet u rrit në 2.01%, nga 0.9% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit 2022. Kthimi nga kapitali dhe kthimi nga aktivet kanë arritur nivelin më të lartë në katër vitet e fundit. Këto të dhëna bazohen në standardet e raportimit sipas kërkesave të Bankës së Shqipërisë dhe kanë kryesisht një vlerë orientuese për tendencën e performancës së sistemit. Standarde ligjore të raportimit për bankat janë Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS), por ato janë të disponueshme vetëm me bazë tremujore. Shifrat e deritanishme tregojnë se fitimi i bankave po rritet, në inercinë e rezultatit pozitiv të vitit të kaluar. Rritja e normave të interesit nga bankat qendrore në fazën e parë, ashtu siç pritej, ka pasur një ndikim pozitiv në performëncën e bankave, duke zgjeruar rezultatin neto nga interesat. Rritja e yield-eve të instrumenteve të borxhit të qeverisë ka rritur të ardhurat nga interesat, qoftë për portofolin e investimeve direkte të bankave, ashtu edhe për kreditë me interesa të ndryshueshme në lekë, që kuotohen mbi ecurinë e yield-eve të bonove. Një efekt të ngjashëm pozitiv ka dhënë edhe rritja e euriborit, që ka zgjeruar të ardhurat nga interesat për portofolin e kredisë në euro. Nga ana tjetër, edhe cilësia e portofolit të kredisë për momentin nuk po jep ndikim negativ mbi rezultatin financiar, megjithë pritshmëritë për një përkeqësim të këtij treguesi. Në muajin shkurt, raporti i kredive me probleme u rrit lehtë në 5.16%, nga 5% që kishte qenë në fund të vitit të kaluar. Kreditë me probleme janë një indikator kyç për performancën financiare të sektorit bankar, sepse ato përcaktojnë shpenzimet për provigjione. Por, deri tani, rritja ka rezultuar shumë e lehtë dhe pa një ndikim të rëndësishëm në rezultatin financiar të sektorit. Sektori bankar u ka rezistuar mirë sfidave të viteve të fundit, çka në një pjesë të madhe ka reflektuar aftësinë e ekonomisë reale për të tejkaluar më shpejt nga sa pritej goditjet si pandemia apo inflacioni i lartë. Vlerësimet e para të INSTAT treguan se edhe viti 2022 u mbyll me një rritje ekonomike më të lartë se parashikimet, në nivelin 4.84%.

BB: Shqipëria dhe Mali i Zi me pabarazinë më të lartë në Rajon, fenomeni po rritet

Ushqimi përbën 70 për qind të konsumit të përgjithshëm për 25 përqindëshin me të ardhura më të ulëta të popullsisë. Gjithashtu ky grup familjesh u ekspozua edhe ndaj rritjes së çmimeve të qirave dhe tarifave të shërbimeve komunale. Varfëria mbetet një realitet i dhimbshëm për një pjesë të konsiderueshme të Shqipërisë dhe goditjet e fundit kanë rritur me tej fenomenin.

Banka Botërore analizon se pabarazia është rritur  pas vitit pandemik dhe se Shqipëria së bashku me Malin e Zi, ka nivelin më të lartë të pabarazisë në Rajon. Ekonomia e vendit po rritet, por rritja nuk është elastike, pasi gjithnjë e më shumë të pasurit bëhen më të pasur dhe të varfrit mw të varfër. Në dokumentin e ri të bashkëpunimit katër vjeçar me Shqipërinë, Banka analizoi se, pabarazia është e pranishme në të gjitha rajonet. Banka referoi se, shumica e vendeve të punës në dispozicion ofrojnë paga të ulëta dhe mundësi të kufizuara për zhvillim profesional. Punët e mira janë të pakta dhe mbeten të paarritshme për shumë të diplomuar në shkolla, të cilëve u mungojnë aftësitë dhe njohuritë përkatëse. Banka analizoi se pabarazia është rritur, veçanërisht në zonat rurale dhe grupet e varfra. Migrimi ekonomik është i lartë është duke e privuar më tej vendin nga talentet dhe fuqia punëtore. Për ata që qëndrojnë, cilësia e jetës ka rënë nga ndotja në zonat urbane dhe ofrimi i pamjaftueshëm i shërbimeve publike për shkak të mbingarkesës. Në zonat rurale, mangësitë në shërbimet publike po minojnë mundësitë e barabarta. Nga ana tjetër sistemi shqiptar i mbrojtjes sociale është i kufizuar në aftësinë e tij për të zbutur varfërinë. Pandemia vuri në dukje ekspozimin e shtresës së varfër ndaj goditjeve dhe nga ana tjetër dolën në pah mangësitë në sistemet e mbrojtjes sociale