Arben Malaj: Diplomacia, ka humbur fokusin tek prioritetet kombëtare

Prof. Dr. Arben Malaj

Një sqarim pa targa diplomatike, të cilat nuk i kam marrë, edhe pse kam një vit Konsull Nderi i Austrisë për Shqipërinë Jugore. Përzgjedhja, konsull nderi, është një proces diplomatik shumë burokratik, deri në vlerësimin nga shërbimet sekrete të dy vendeve, vendit propozues dhe vendit ku do të ushtroj aktivitetin. Është e vërtetë që propozimin e një vendi duhet ta miratojë vendi pritës, në këtë rast, Shqipëria. Kisha shpresuar që zëvendës ministri i Jashtëm, do kishe kërkuar takim me shoqatën e konsujve të nderit, për ta promovuar këtë mundësi diplomatike; për promovimin e vendi tonë, për rritjen e aktiviteteve ekonomike, shkencore e kulturore. Kisha shpresuar se, në qoftë se realisht ka një problem me targat, Sekretari i Përgjithshëm i MEPJ të bënte një takim me kryetarin e shoqatës së konsujve të nderit dhe qartësonte problemin konkret duke bashkëpunuar për zgjidhjen e tij sa më shpejtë. Fokusi i zv. ministrit tek lëvizjet në staf, targat apo pasaportat diplomatike, e dëmtojnë profilin e një shtetari, dëmtojnë kredibilitetin e MEPJ, e cila duket se ka humbur fokusin tek prioritetet kombëtare dhe plotëson agjenden mediatike me lajme të tilla.

NOA