Arben Imami do të ketë fatin e Lefterie Lleshit

479
Sigal

Ilir Meta: “Pranoj të ngrihet komision hetimor për shkarkimet në administratën e Kuvendit”

Ashtu sikundër dhe pritej dosja “Imami” ka zbritur në sallën e Kuvendit. Ka qenë ministrja Mimi Kodheli, e cila reagoi lidhur me deklaratat e ish-Ministrit Imami në media, duke thënë se mbrojtja që ai po bën përmes deklaratave është e një niveli shumë të ulët. Kodheli hodhi poshtë pretendimet e Imamit për sulm politik ndaj tij, duke theksuar se gjithçka është në respekt dhe zbatim të ligjit.

 Kodheli: Imami ka frikë nga zullumet

 “Kallëzimi penal nis në çdo moment kur titullari ka bindjen se ka shkelje të ligjit, pavarësisht nëse ka përfunduar raporti i auditimit. Madje, ky është detyrim për çdo titullar. Së dyti, pas auditimit që KLSH-ja bën pavarësisht se, KLSH ka bërë kontroll, kjo nuk lejon që institucion të kontrollojë mbi një objekt dhe veprimtari dhe të dalë me konkluzione të ndryshme. Unë nuk isha e papërgatitur për rrënimin dhe xhiron e firmave të hedhura pa teklif për të abuzuar me pronat dhe paratë e taksa paguesve, por pranoj që ajo që dënim ishte më pak sesa ajo që po zbulojmë dita-ditës, duke parë nga brenda gropat e buxhetit dhe shpellat e korrupsionit. Më ka habitur niveli i ulët i mbrojtjes së tij. Duke dashur të mos merret me akuzën, sepse s’ka çfarë thotë, merret me mua apo me Edi Ramën, duke u marrë si një individ, jo si njeri i prezumuar, i korruptuar, por si një presion politik. Ai thotë se kryeministri e ka bërë për arsye personale. Ai nuk ka faj se është mësuar të zbatojë urdhra nga lideri i tij. Zotëria nuk e imagjinon dot se marrëdhënia ime dhe marrëdhënia jonë me liderin e PS-së, as ka qenë dhe as nuk do të jetë marrëdhënie pronar çirak siç e ka, jo vetëm ai, por Kryetari i PD-së me liderin real të të dyve. Edhe mua, edhe Edi Ramën, na urdhëron ligji. Edhe vendimet, që marrim të gjithë së bashku, dhe në këtë unitet na mbajnë vlerat e familjes sonë politike ku s’bën vaki që këto vlera të mira t’i shkelim apo më keq. Të jem e sinqertë. Nuk ka nevojë të jesh psikolog të shohësh frikën në çdo rresht të tij. Ai ka frikë, cilido do të ishte shumë i frikur, po të ishte në pozicionin e tij, sepse ai e di se çfarë zullumi apo zullumesh mund të ketë bërë. E keni humbur shansin të merreni me politikë që nga dita që hipët mbi tank për të gjunjëzuar Berishën pastaj zbritët nga ai dhe u gjunjëzuar para tij”,- tha Kodheli.

Debate për shkarkimet nga administrata e parlamentit

Që në nisje të saj, seanca parlamentare e së enjtes ka përplasur në debate Kryeparlamentarin Ilir Meta me ish-kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli. Mollë sherri mes tyre janë bërë shkarkimet e denoncuara nga Topalli,në administratën e Kuvendit.

“Sot në administratën e Kuvendit janë hequr një numër i madh punonjësish. Deri në këtë moment që po flasim janë hequr 45 punonjës dhe në listë pritjeje janë edhe 25 të tjerë, në një administratë prej 208 vetash. Janë hequr njerëz të cilët janë specializuar për këtë punë”,- tha Topalli.

Meta: Të ngrihet komision parlamentar të hetojë

Në përgjigje të akuzave, Meta tha se nuk e disponon këtë informacion, për shkak të angazhimit të tij me vizitat jashtë vendit. Por, ai u shpreh i gatshëm për të dhënë llogari, për çdo veprim që do bëhet në Kuvend, duke garantuar se çështjet e Kuvendit do të bëhen me transparencë të plotë. “Të ngremë një komision parlamentar me dy bashkëkryetar që të shikojë punën që është bërë në lidhje me këto ndryshime. Kreu i Kuvendit nuk ka të drejtë që të heqë e të marrë në punë. Bëhet fjalë për administratën që nuk preket nga ligji i nëpunësit civil. Që javën e ardhshme të kërkojmë informacion dhe për çdo rast të japim sqarime dhe të marrim masa ndaj të gjithë atyre që nuk kanë zbatuar ligjin”, – tha Meta.