Lulzim Basha: Edi Rama nuk mund të jetë më pjesë e asnjë hapi drejt së ardhmes

476
Sigal

“ Edi Rama nuk mund të jetë më pjesë e asnjë hapi drejt së ardhmes. Ndryshimi e vetmja vlerë e 30 Qershorit. Ndryshimi është qëllimi im më i madh”.

Kështu u shpreh sot gjatë konferencës për shtyp kryetari i PD-së Lulzim Basha.

Sipas kreut të selisë blu, 85% e shqiptarëve duan ndryshim dhe këtë, sipas tij, e di edhe vetë kryeministri.

“85% e shqiptarëve duan ndryshim. Kjo është e vetmja vlerë e asaj që ndodhi dje. Gjithçka tjetër është farsë e paligjshme antikushtetuese dhe një provokim për shqiptarët të cilët nuk ranë pre e tij. Ketë e di shumë mirë dhe Edi Rama! Votimi i djeshëm nuk e zgjidhi, por e thelloi krizën sepse, edhe më fort, dje u rikonfirmua se shkaktari i saj është Edi Rama, se me Edi Ramën nuk ka asnjë shpresë se mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Beteja jonë vazhdon edhe më e fortë edhe më e vendosur.  Qëndrimi ynë për Edi Ramën nuk ndryshon: Edi Rama duhe të largohet dhe të hetohen të gjithë ata që janë kapur duke manipuluar zgjedhjet me krimin. Dhe 30 qershori tregoi se me Edi Ramën nuk ka dhe nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Edi Rama duhet refuzuar siç e refuzuat ju. Ai nuk mund të jetë më pjesë e asnjë hapi drej të ardhmes. Bashkë me të duhet të largohen dhe të gjithë qeveritarët e korruptuar dhe të inkriminuar duhet që të gjithë të dalin para drejtësisë.

Tani, ndryshimi është prioriteti ynë politik. Ndryshimi është qëllimi im më i madh. Një ndryshim i thellë politik dhe ekonomik. Fundi i pandëshkueshmërisë së politikanëve duhet të jetë fillimi i ndryshimit që presim. Nëse politikanët nuk mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre, nëse politikanët nuk dalin para drejtësisë për korrupsionin dhe krimet e tyre, asnjë ndryshim nuk do të jetë i vërtetë.

Ditën kur politikanët të kenë frikë nga ligji, të kenë frikë nga drejtësia, ajo është dita kur Shqipëria është bërë evropiane”, deklaroi Basha.