Rama- Letta: Mbështetje totale e Italisë për statusin

460
Sigal

Kryeministri shqiptar, Edi Rama u takua në Romë   me Kryeministrin italian Enrico Letta. Kryeministri Italian Enrico Letta  është shprehur pozitiv në lidhje me statusin e Shqipërisë në BE, duke siguruar homologun e tij shqiptar për mbështetjen e Italisë në këtë proces. “Italia do të lobojë në favor të Shqipërisë, në mënyrë që të bindë shtetet e Bashkimit Europian që po bëjnë një lloj rezistence, për integrimin e Shqipërisë. Folëm edhe për çështjen e integrimit të Shqipërisë. Për ne nuk ka asnjë dyshim, sepse për Italinë sot ekzistojnë kushtet që të kemi një rezultat pozitiv. Diskutuam format dhe modalitetet e punës për ditët që do vijnë dhe duam të bindim edhe vendet e tjera, që po bëjnë një lloj rezistence për integrimin e Shqipërisë. Familja europiane është një familje shumë e gjerë, e zgjeruar dhe kur të bëheni pjesë në BE ju do ta kuptoni, se ç’do të thotë..”, u shpreh Letta. Edi Rama falënderoi homologun e tij për mbështetjen që Italia i ka dhënë gjithmonë Shqipërisë. “Ne po presim me durim vendimin për statusin, pasi ka ende ndonjë vend anëtar që ka dyshime. Po presim që të arrijmë tek konsensusi për t’i dhënë Shqipërisë atë që meriton. Shqipëria është e gatshme të presë investime të reja italiane, me kushte që unë besoj se për to do të jenë optimale. Jemi një vend që flet gjuhën italiane, dhe puna e dorës kushton pak dhe Italia është një vend në BE, kështu që puna në përgjithësi ka kostot më të larta këtu. Kemi një vullnet për të ulur burokracinë, ta thjeshtojmë me sa të jetë e mundur, në mënyrë që ndërmarrjet italiane që do vijnë në Shqipëri të kenë shumë lehtësi”, u shpreh Kryeministri Rama.