PD-ja feston 23-vjetorin e themelimit

350
Sigal

Pas 8 vitesh në pushtet, PD-ja festoi 23 -vjetorin e themelimit në opozitë dhe pas shumë vitesh me një kryetar të ri. Ditëlindja e demokracisë dhe pluralizmit shqiptar ka mbledhur shumë miq, themelues dhe anëtarë të rinj të PD-së. Nuk mungonin as diplomatë e drejtues të lartë të politikës si ambasadorë të SHBA e BE-së por edhe ish-partnerë e kundërshtarë politikë si Ilir Meta. Pas një dokumentari të rrugëtimit 23-vjeçar të PD-së, Lulzim Basha, lideri i ri i partisë që solli demokracinë premtoi të ardhme të sigurt për demokratët. Një parti më të madhe e të hapur për t’u rikthyer në vendin që i takon kësaj force. “PD lindi dhe do të mbetet përjetë forca e lirive dhe e të drejtave të njeriut, forca e zhvillimit dhe e integrimit, partia e interesit kombëtar, forca e shpresës dhe integrimit Europian të Shqipërisë. Në vitin e 23 të kësaj partie, kam nderin të kryesoj këtë kremtim, nder të cilin e përjetoj si përgjegjësi dhe të uroj të gjithë anëtarët e PD-së kudo që ndodhen për ditëlindjen e partisë sonë. Nderimi dhe mirënjohja ime ju drejtohet të gjithë demokratëve, nga i pari tek i fundit, nga më i vjetri tek më i riu”, u shpreh Basha.

Kreu i PD-së nuk ka lënë pa përmendur gjithashtu edhe disa pjesëtarë të familjes politike të Partisë Demokratike, të cilët janë ndarë nga jeta gjatë kësaj kohe. Basha kujtoi me mirënjohje Azem Hajdarin, prijësin dhe heroin e Lëvizjes studentore, Gramoz Pashkon, liberal-demokratin pa rekselansë dhe themeluesin e orëve të para të PD-së, Pjetër Arbnorin, “Mandelën” e Shqipërisë, simbolin e kurajos dhe urtësisë, Sokol Olldashin, nismëtarin, drejtuesin, deputetin, qeveritarin dhe opozitarin e spikatur. Kreu i PD-së, Basha tha se, sfida për të hapur një kapitull të ri dhe një histori suksesi të re në PD, është e madhe, por theksoi ai, është sfida e re e PD-së. “Kjo është sfida jonë e re, për fillimin e ri, ringritjen, ribashkimin, rikthimin si shumicë, dhe në qeverisje me ide të reja. Për Shqipërinë e zhvilluar, për Shqipërinë zonjë mes vendeve si motra”,- tha Basha, duke shtuar se kjo sfidë e re, po merr një përmasë të re, me çeljen e një Kuvendimi të madh të të gjithë anëtarësisë, për çfarë kemi bërë mirë, çfarë nuk kemi bërë mirë dhe çfarë duhet të bëjmë me hapjen e fuqishëm të PD ndaj brezit të ri.