Arben Ahmetaj: Nuk është thjesht rritje page, por reformë në administratën publike

472
Sigal

Ministri i Financave,
z.Arben Ahmetaj takohet me një grup mësuesish

Në fakt detajet do t’i japë vetë Kryeministri sepse në finale, ka qenë iniciatori, këmbëngulësi dhe mbështetësi  i kësaj rritje, ne bëjmë teknalitetet dhe mbështesim reformae nisura, në mënyrë që të  garantojmë atë që ndodh sot jo vetëm me mësuesit, por me të gjithë punonjësit e administratës dhe pensionistët. Unë do të fokusohem shumë shkurt, se si erdhëm deri këtu, se çfarë e bëri të mundur dhe çfarë diference cilësore ka kjo rritje pagash nga rritjet e pagave në vitet e kaluara. Kjo nuk është rritje page, kjo është reformë. Kjo është reformë në administratën publike. Kjo është reformë e drejtpërdrejtë në sistemin arsimor. Ekonomia shiqptare ka ndryshuar tërësisht. Ekonomia shqiptare sigurisht që ka sfidat, risqet, vështirësitë e veta të përditshme, por ne nuk jetojmë në të njëjtën Shqipëri si para 3 apo 4 viteve. Përgjatë tre viteve të fundit, ekonomia shqiptare ka përshkruar një rrugë të vështirë dhe jo pa sakrifica, me qëllim lënien pas të krizës, rimëkëmbjen graduale të ekonomisë, stabilizimin e sistemit fiskal dhe atij financiar, ndërmarrjen e reformave  të thella, të vështira strukturore, përmirësimin e kuadrit  ligjor si parakusht thelbësor për një qeveri që tregohet e matur dhe e përgjegjshme me operacionet e veta. Pse e theksoj këtë? Dua ta kuptojmë të gjithë, e mbi të gjitha ju që jeni grupi edukativ, nuk është një rastësi që vijmë sot në këtë ditë me krenari, për të deklaruar rritjen e pagave dhe pensioneve. Është përshkrimi i një rruge të vështirë, të përgjegjshme, të maturuar reformash, që nuk janë prekur prej 20-25 vitesh. Asgjë nuk është e rastësishme. Sot ekonomia shqiptare prodhon vetëm lajme të mira dhe çdo ditë raporte  të ndryshme të pavarura, përtej nesh, të institucioneve serioze në vend apo ndërkombëtare,  konfirmojnë se tashmë trendi nuk është thjesht një  trend i stisur, por është një trajektore e qëndrueshme e rritjes  ekonomike. Dua t’ju kujtoj të gjithëve, se rritja ekonomike në tremujorin e dytë u konfirmua me 3.2%.

Jemi ndër 2 vendet në rajon me rritjen më të lartë ekonomike

Për dikë ishte surprizë, edhe për mua mund të ishte suprizë, por të dhënat tregojnë që pa frikë në fund të vitit 2016, ne do ta kemi rritjen ekonomike 3.4-3.5% dhe po me krenari, por sigurisht me modesti për shkak të sakrificës që kemi bërë të gjithë, mbi të gjitha tatimpaguesit shqiptarë, ne i kemi të gjitha mundësitë që të jemi ndër 2 vendet në rajon me rritjen më të lartë ekonomike dhe me trend rritës pozitiv. Dua t’ju sjell në vëmendje, po si grup edukativ, raportin e fundit të Komisionit Europian. Nuk ka dalë nga Kryeministria, nuk ka dalë nga Ministria e Financave, por ka dalë nga Komisioni Europian dhe e cilëson  programin ekonomik të Shqipërisë si performanca më e mirë e mundshme në rajon, duke iu referuar  normës së papunësisë, mos harroni që për herë të parë pas 4 vitesh, papunësia ka zbritur nën 16%, nën nivelin e 2013. Dhe mos harroni që ne e ribëmë përllogaritjen e papunësisë dhe e bëmë reale, se nuk kishim nevojë të gënjenim veten dhe nuk kishim nevojë të gënjenim partnerët. Dua t’ju kujtoj që pak ditë më parë ka dalë Treguesi i Ndjesisë Ekonomike. Aktorët, që janë bizneset dhe tatimpaguesit, konsumatorët, kanë shpresë shumë të madhe tek ekonomia shqiptare. Mos harroni që për katër tremujorë rradhazi është rritur konsumi. Nuk është e rastësishme, nuk ka rritje nëse një qeveri rri duarkryq. Kjo qeveri ka marrë përsipër në tre vite reforma realisht, të cilat shumë qeveri që kanë drejtuar shtete në Europë apo përtej, nuk kanë guxuar t’i prekin: reformën në energji – dhe rajoni ka shumë probleme, akoma nuk ka filluar; reformën në pensione – gjithë bota e ka problem, shumë pak vende e kanë prekur; reformën në arsim – imagjinoni një qeveri që ndërmerr një reformë në arsim, e cila dihet që nuk i jep që ditën e parë frytet e veta, e pra ky është guxim, maturi, përgjegjshmëri për brezat që vijnë. Pa dashur t’ju marrë shumë kohë, për t’u rikthyer tek pagat, rritja do të jetë mesatarisht 10% dhe për herë të parë në këto 7-8 vite, do të kalojë një rritje reale. Rritja e 2009-2013 nuk e kapi dot rritjen e inflacionit. Me një vit, në 2017, kërcejmë të paktën në inflacionin akumulativ të katër  viteve me +2%, pra rritje reale dhe jo gënjeshtër. Dua po kështu të sqaroj një “thashethem”, dua t’ju sqaroj edhe ju, edhe publikun shqiptar, për të krahasuar cilësisht rritjen e pageve dhe pensioneve. Rritjet e pagave dhe pensioneve në vitet e kaluara janë bërë me borxh, me rritje borxhi. Rritjet e pagave dhe pensioneve në të kaluarën, kanë krijuar borxh në kurriz të fëmijëve të të gjithë shqiptarëve, të tatimpaguesve. Është hera e parë që rritja e pagave dhe pensioneve nuk krijon borxh të ri, përkundrazi në vitin 2017, ne do ta ulim borxhin publik me të paktën 1% e ndoshta- ndoshta, me rezultatet që kemi, edhe më shumë se 1%.  Po ju them dhe një fakt tjetër si grup edukativ përpara se ta mbyll. Një qeveri vjen, rrit pagat dhe pensionet e bindur që në tre vite sakrifica meriton të shpërblehet nëpërmjet reformave, por është një qeveri që nuk krijon borxh në operacionet e veta. Ka një indikator fiskal që quhet balanca primare, e cila është negative ose pozitive. Kur është negative, një qeveri krijon borxh me operacionet e veta dhe i lë brezave borxh, e për këtë qeveri do të jenë dy vite rradhazi, 2016 dhe 2017, që jo vetëm që nuk krijon borxh të ri me operacionet e veta, por krijon një sufict, një plus gati 77 miliardë lekë, rreth 70 milionë dollarë, të cilat shkojnë në pagesën mbrapsht të borxhit që kemi trashëguar, më të madhin në Rajon dhe që në fakt sapo kemi hyrë në këto dy vite në një trend ulës vetëm për shkak të reformave. Unë e falenderoj ministren për guximin në reforma dhe ndryshe nga tradita, falenderoj edhe Kryeministrin për këmbënguljen që ka injektuar tek të gjithë ne për të ndjekur reformat edhe kur kemi pasur dilema. Sot fatmirësisht për shkak të asaj këmbëngulje, nuk kemi asnjë dilemë, që jo vetëm kemi bërë gjënë e duhur në favor të qytetarëve, por meritojmë të vazhdojmë duke rritur pagat, duke rritur pensionet, duke ulur borxhin, duke rritur ekonominë.