Anastas Angjeli: Kriza që ka mbërthyer ekonominë nuk do të kursejë askënd, pjesa më e goditur, shtresa e varfër e popullsisë

454
Sigal

Ish-ministri i Financave, Anastas Angjeli është shprehur se kriza që ka mbërthyer ekonominë për shkak të koronavirusit nuk do të kursejë askënd.

I ftuar në emisionin Përballë të gazetarit Lutfi Dervishi, profesor Angjeli ka theksuar se pjesa më e goditur nga kriza do të jetë shtresa e varfër e popullsisë.

“Kësaj krize nuk i shpëton askush. Kur them nuk i shpëton askush kam parasysh që nëse pandemisë mund ti shpëtojnë sipas statistikave të OBSH-së 30 për qind e popullisisë atëherë edhe nga pikëpamjet e tjera nuk do t’i shpëtojë po 70 përqind e popullsisë. Pra të gjithë do të goditen nga kjo krizë që po ndodh edhe ekonomikisht. Pjesa më e goditur është ajo pjesë e cila mund të konsiderohet që është shtresë me të ardhura të ulëta.”

Profesor Angjeli sqaroi në Përballë se qeveria ka marrë masat e duhura për t’i bërë ballë kësaj situate të vështirë përmes dy paketave mbështetëse. Por përse shteti nuk hedh më shumë para?

“ Gjëja e parë është që duhet t’i kesh ato para, ne e dimë situatën aktuale ekonomike. Ka para, por nuk ka para të mjaftueshme. Ndërhyrjen me instrumente duhet ta shikojmë në kohë. Ne kemi vepruar deri tani, duam s’duam, pavarësisht nga mendimet e ndryshme, ndërhyrja ka qënë në kohë dhe eficente. A ka qënë e mjaftueshme? Hajde ta diskutojmë këtë punë. Por nga pikëpamja e llojit të masave që ka marrë qeveria është në të njëjtën linjë me shtetet e tjera, ka zgjedhur të ndihmojë sektorët jetikë. Ka pasur gjithashtu edhe sektorët më të prekur në ekonomi. Si instrumente janë në rregull, si mundësi për të mbrojtur buxhetet e qytetarëve është në rregull. Si sasi pastaj varet nga buxhetet”,– përfundoi Angjeli.