Ambasadorja e BE, Vlahudin takon kryeparlamentarin Meta

528
Vijojnë negociatat e ndërkombëtarëve.
Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin ndodhet në kryesinë e Kuvendit dhe po zhvillon një takim me kryetarin e Parlamentit Ilir Meta.
Sigal

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta priti sot në takim Ambasadoren e Bashkimit Evropian në Shqipëri, znj. Romana Vlahutin

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta zhvilloi sot, në prag të mbledhjes së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, një takim me Ambasadoren e Bashkimit Evropian në Shqipëri, znj. Romana Vlahutin.
Z. Meta shprehu vlerësimin e tij të lartë për angazhimin dhe kontributin e Bashkimit Evropian, vendeve anëtare, ambasadorëve dhe përfaqësuesve të tyre në Tiranë dhe në veçanti të Ambasadores Vlahutin, për mbështetjen maksimale që i kanë dhënë procesit për hartimin e kësaj reforme me interes jetik për qytetarët dhe vendin, për rritur besimin tek një sistem drejtësie i pavarur, profesional dhe me integritet të lartë.
Realizimi me sukses i këtij procesi, theksoi z. Meta, është një kontribut madhor për hapjen e shpejtë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian të Shqipërisë.
Z. Meta vlerësoi rolin e rëndësishëm të ekspertëve të EURALIUS-it, OPDAT-it dhe shqiptarë për kontributin dhe ecurinë e deritanishme të këtij procesi dhe theksoi se fryma e rekomandimeve të Komisionit të Venecias në vlerësimet e Raportit të Ndërmjetëm duhet të mbizotërojë dhe udhëheqë palët deri në përmbylljen e suksesshme të këtij procesi madhor dhe historik.
Z. Meta theksoi se është përgjegjësi e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, e të gjitha forcave politike, që në këtë frymë të ndërveprojnë dhe ndërtojnë konsensusin e domosdoshëm përmes gjithëpërfshirjes, me synimin e vetëm kurorëzimin me sukses të saj, në funksion të interesit më të lartë publik, rritjes së besimit te drejtësia dhe institucionet publike, si dhe luftës pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Z. Meta shprehu vlerësimin dhe falënderimet e tij për Ambasadoren Vlahutin dhe Ambasadorin e SHBA-ve, z. Donald Lu, për përpjekjet dhe kontributin e veçantë për të promovuar dialogun, gjithëpërfshirjen dhe konsensusin, si dhe shprehu besimin se angazhimi i tyre do të vijojë deri në kurorëzimin me sukses të kësaj reforme historike.