Ambasadorit të SHBA Aleksandër A. Arvizu:“Lufta kundër korrupsionit gjyqësor dhe politik”

466
Sigal

Fjala e Ambasadorit të SHBA Aleksandër A. Arvizu në Prokurorinë e Tiranës

Ambasadori Amerikan në vendin tonë, Aleksandër Arvizu kërkon intensifikimin e punës në luftën kundër korrupsionit. Gjatë një seminari të organizuar në Prokurorinë e Tiranës, ku ishte i pranishëm dhe kryeprokurori Adriatik Llalla, ambasadori amerikan duke kujtuar se parlamenti tashmë e ka votuar ligjin për kufizimin e imunitetit, ka kërkuar përkushtim e angazhim nga prokurorët në luftën pa kompromis kundër korrupsionit. Fjala e tij e plotë vijon si më poshtë:
“Mirëmëngjesi të gjithëve. Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe që OPDAT ka sponsorizuar një numër seminaresh. Z. Llalla, shumë faleminderit që morët kohë nga kalendari juaj shumë i ngarkuar për të qenë me ne sot. Edhe një herë, kreut të Prokurorisë së Tiranës, Drejtorit në Detyrë të Njësisë së Përbashkët të Hetimit (Task-Forca), si dhe kreun e Krimit Financiar në Policinë e Shtetit, ju faleminderit që morët kohë për të qenë këtu.
Mendoj se kemi disa anëtarë të tjerë nga gjyqësori i Tiranës, prokurorët e NjPH, oficerët e policisë gjyqësore, faleminderit edh juve.
Z. Peter Ainsworth, ndihmës Prokurorin nga SHBA, ju ishit këtu në shtator për të drejtuar seminarin kombëtar “Lufta Kundër Korrupsionit Gjyqësor dhe Politik” dhe keni rënë dakord të ktheheni. Ju faleminderit, Peter.
Siç e përmenda, shtatorin e kaluar, OPDAT sponsorizoi një seminar kombëtar që përfshinte kryegjyqtarët e rretheve, krerët e task-forcave, si dhe anëtarë të caktuar të Policisë së Shtetit. Bazuar mbi suksesin e atij seminari si dhe me rekomandimin e pjesëmarrësve, OPDAT vendosi të sponsorizonte këtë seri seminaresh rajonale me anëtarë të caktuar nga kryegjyqtarët dhe kryeprokurorët e NjPH-ve.
Pak më shumë se gjashtë vjet më parë, u krijua Njësia e Përbashkët Hetimore për të Luftuar Krimin Ekonomik dhe Korrupsionin. Bazuar mbi suksesin e saj, u ngritën edhe gjashtë NjPH rajonale rreth tre vjet më pare, sipas modelit të NjPH të Tiranës.
Dua të jem i sinqertë me ju. Sipas mendimit të OPDAT dhe të ambasadës së SHBA, NjPH-të kanë qenë një sipërmarrje shumë e suksesshme. Ne mendojmë se koncepti ka qenë i mirë dhe që planifikimi, zbatimi dhe ekzekutimi i asaj që bëjnë NjPH-të kanë vërtetuar se është një program shumë i suksesshëm. Por si në çdo gjë, ka suksese ka edhe zmbrapsje. Ka gjëra që funksionojnë mirë, ka edhe nga ato që nuk ecin aq mirë. Është diçka në zhvillim e sipër dhe po përpiqemi të ndërtojmë mbi bazën e këtij koncepti në mënyrë që të shohim nga e ardhmja me besim në punën e NjPH-ve.
Meqenëse parlamenti në shtator miratoi një amendament kushtetues që reformonte dhe hiqte disa imunitete për një numër zyrtarësh edhe në gjyqësor, tani është koha për ta rrokur këtë nismë dhe në luftën kundër korrupsionit zyrtar. Këto seminare janë shumë praktike. Synojnë t’ju japin mjetet për të hetuar, ndjekur penalisht korrupsionin, por edhe që, duke bërë këtë, shpresojmë të punojmë nëpërmjet jush për të rritur nivelin e besimit të publikut se mund të bëhet më shumë përparim në luftën kundër korrupsionit.
Z. Llalla ka qenë në këtë post prej një kohe shumë të shkurtër. Mendoj se fillimi është i mbarë. Dua t’ju falënderoj publikisht që keni punuar shumë ngushtë me ne. Kur e vizitova për herë të parë në këtë post, i thashë: urime dhe kam dy lajme, një të mirë dhe një të keq. Lajmi i mirë është që ndihemi sikur njihemi prej punës tuaj në ILDKP; keni emër të mirë; dukeni personi i duhur për postin. Lajmi i keq është që keni marrë një post shumë të vështirë. Shpresoj të më falni që tregohem i çiltër dhe i drejtpërdrejtë, por ndjej se si mik, më duhet ta them.
Sa herë që ka një fjalim, qoftë nga Sekretarja e Shtetit Hilari Klinton apo nga Komisionari për Zgjerimin Stefan Fyle, në çdo fjalim, do ketë një koment për korrupsionin zyrtar. Nuk është veç një frazë për të kaluar radhën; nuk është njësoj si të thuash ‘mirëmëngjesi’ apo ‘faleminderit’. Ka një arsye pse ajo frazë është aty. Dhe arsyeja është që pavarësisht përpjekjeve të mira, përpjekjeve më të mira nga shumë persona të përkushtuar në prokurori, gjyqësor, polici; ka shumë përpjekje individuale të përgëzueshme, të lavdërueshme, por, në përgjithësi, nga pikëpamja e Shteteve të Bashkuara, po bëhet përparim i pamjaftueshëm në luftën kundër korrupsionit zyrtar dhe kulturën e pandëshkueshmërisë. Mendoj se ky faktor si çdo faktor tjetër përbën pengesë për hyrjen në BE dhe vërtet është i papranueshëm për një vend si Shqipëria që ka të drejtën legjitime të aspirojë të bëhet pjesë e BE-së.
Ndaj, me ardhjen e Z. Llalla, nëpërmjet këtyre seminareve, nëpërmjet përpjekjeve të përkushtuara në vazhdim nga ju, shpresoj që në javët e ardhshme, në muajt e ardhshëm, do të shohim më shumë arrestime, ndjekje penale, e dënime specifike që synojnë luftën kundër korrupsionit dhe kulturën e pandëshkueshmërisë. Është vërtet absolutisht kritike që të bëhet kjo për ta bindur popullin shqiptar që ka përparim në këtë luftë kundër këtyre të këqijave që po i kushtojnë vërtet shoqërisë.
Faleminderit për pjesëmarrjen në këtë seminar, faleminderit për përpjekjet tuaja; duam t’ju mbështesim plotësisht, sa më shumë të mundemi”.