Skandal në arsim, paguhet si mësues, por punon dhe jeton edhe në Greqi

564
Sigal

LIBRAZHD/ Rasti i mësuesit të anglishtes, i cili edhe pse nuk paraqitet në shkollë çdo vit emërohet nga Drejtoria Arsimore

Drejtoria Arsimore Rajonale në Librazhd është kthyer në një vend, ku përfitohet dhe abuzohet me  punën e shtetit, me detyrën që kryejnë mësuesit, me mësimdhënien dhe cilësinë e mësimit. Aty emërimet janë të shumëllojshme, mjafton të gjesh një mënyrë për të rregulluar vendin e punës dhe gjithnjë, për këtë mund të mbështetesh tek shefi i kuadri që është në terren dhe që bën emërimet. Siç kemi theksuar dhe në disa prej numrave të tjerë Librazhdi është rrethi më i madh që ka të punësuar rreth 800 mësues, një pjesë e tyre janë pa arsimimin përkatës dhe pjesa tjetër nuk zbaton kriteret e Ministrisë së Arsimit për arsimin parauniversitar. Mësues që nuk dinë të shkruajnë dhe që janë mbetës në fakultet, mësues që janë në vitin e parë ose të dytë me Part – Time, mësues që ju janë djegur diplomat, mësues që nuk kanë kryer praktikën mësimore, mësues që nuk e dinë se nga bie shkolla e tyre e raste pa fund, i gjen të gjitha në Librazhd. Por në shkrimin e sotëm përpos këtyre që cituam do të ndalemi në një nga skandalet në Zyrën Arsimore të Librazhdit, pasi aty vazhdojnë të dalin çdo ditë në dritë, abuzime të pafundme. Nga investigimet tona dhe nga burime tona investiguese në arsimin tonë mund të marrësh rrogën si mësues, por njëkohësisht mundet të punosh edhe në Greqi.

Rasti konkret  

Rasti më konkret është i konfirmuar nga burimet tona konfidenciale. Në një nga shkollat 9-vjeçare të Komunë së Lunikut Kostenjë shtetasi me inicialet B. H., është emëruar mësues anglishteje në një nga shkollat e thella të kësaj komune dhe jep mësim anglisht, ndërkohë që gjatë këtyre kohëve ka dalë disa herë në shtetin grek, kurse në Shqipëri figuron si mësues dhe merr rrogën. Por që ta bëjmë të besueshme për qytetarët, Ministrinë e Arsimit po ju japim faktet se mësuesi B. H., ka pasaportë numër BI 7171783. Ai ka dalë në pikën kufitare të Kapshticës më datën 13.05.2011 me autobus dhe është kthyer më datë 22.05.2011 po me autobus. Ndërkohë ka dhe një tjetër dalje në Kapshticë, ku nuk është shënuar data e daljes dhe ka hyrë në Shqipëri nga pika kufitare e Kapshticës më datë 10.02.2012 me autoveturë ZME2261. Dhe përsëri në shtator për vitin shkollor 2012-2013 është emëruar në të njëjtën shkollë si mësues ndërkohë që edhe punon në Greqi.

Si mund të vërtetohet

Ne vazhdojmë të denoncojmë çdo ditë këto shkelje dhe përsëri heshtet ndaj kësaj katrahure dhe abuzimeve që po bëhen në arsimin e Librazhdit. Kjo ndërkohë mundet të verifikohet dhe nga pagesat që janë bërë nga financat e Zyrës Arsimore Librazhd, nga evidenca mujore që paraqitet për pagesën si dhe nga plotësimi i regjistrit të nxënëseve. Pra strukturat shtetërore duhet të thellohen shumë në drejtimin e kësaj drejtorie rajonale, ku prapa saj qëndrojnë njerëzit e pushtetshëm që abuzojnë me dijet dhe arsimimin e fëmijëve duke abuzuar njëkohësisht edhe me financat shtetërore.