Ambasadori i ri britanik në Tiranë, i paraqet letrat kredenciale Presidentit: Mund të arrijmë shumë duke punuar sëbashku!

199
Sigal

Ambasadori i ri i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Alastair King-Smith, i ka paraqitur ditën e sotme letrat kredenciale, Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

King-Smith pason në këtë detyrë, ish ambasadorin Duncan Norman.

“Jam i nderuar të paraqes kredencialet e mia sot si Ambasador Britanik në Shqipëri. Ka shumë gjëra që mund të arrijmë duke punuar ngushtë së bashku”, tha Ambasadori King-Smith.

KUSH ËSHTË ALASTAIR KING-SMITH?

Alastair King-Smith është diplomat prej vitit 1996, ka shërbyer më parë në Ministrinë e Jashtme në Londër si Zëvendës Drejtor, duke u angazhuar në fushatat kryesore të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar si Covid19, liria e shtypit, zgjedhjet e OKB-së dhe lufta ndaj ekstremizmit ndërkombëtar.

Jashtë vendit, ka punuar kryesisht në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azinë Jugore.

King-Smith ka një diplomë në Kulturë klasike nga Universiteti i Kembrixhit. Flet shqip, arabisht, portugalisht dhe frëngjisht.

REAGIMI I PRESIDENTIT META:

Presidenti Meta ka reaguar gjithashtu në lidhje me pranimin e letrave kredenciale dhe takimin me ambasadorin e ri.

“Takim i përzemërt dhe bisedë e hapur me Ambasadorin e ri të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Sh.T.Z. Alastair King-Smith, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.

Shpreha mirënjohjen e thellë për ndihmën e vyer, që Britania e Madhe ka dhënë në vazhdimësi për vendin tonë, si dhe për rolin e saj konstruktiv në rajon.

Vlerësova gjithashtu bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe theksova domosdoshmërinë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën ekonomike dhe tregtare.

Duke i konsideruar një urë lidhëse midis dy vendeve tona, e falenderova gjithashtu në emër të të gjithë shqiptarëve, që kanë ndërtuar jetën e tyre në Mbretërinë e Bashkuar, për mundësitë që u janë krijuar për t’u mirëintegruar.

I urova shumë suksese në misionin e tij diplomatik në vendin tonë dhe e sigurova për bashkëpunim dhe mbështetje të plotë në funksion të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve tona”, deklaron Meta.