Ali Ahmeti, drejt koalicionit me pasuesin e Gruevskit? Gati oferta e drejtimit të qeverisë me rotacion

265
Sigal

Nga Ylli Pata

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm duket se po ndodh në Maqedoninë e Veriut pas zgjedhjeve parlamentare ku u vu re një rritje e mandateve të shqiptarëve në Parlamentin e këtij vendi.

Kreu i partisë nacionaliste VRMO-DPMNE, Hristo Mickoski, ka bërë gati një ofertë të bujshme për Ali Ahmetin, që të pranojë ndërtimin e një kabineti qeveritar me të. Këtë e ka bërë të ditur, Vasko Evtov, gazetari i njohur maqedonas, i cili bëri bujë me dokumentarin kur e nxori Nikolla Gruevskin me origjinë greke.

Evtov, bën të ditur se Mickovski gjendet mes dy zjarresh; nëse humb, i duhet t’i lirojë vendin një lideri tjetër pranë rrymës së Gruevskit, i cili i bën presion nga Hungaria, pasi e urren edhe që nuk e mbrojti.

Ndërkaq, ndërkombëtarët që e konsiderojnë Mickovskin një properëndimor, nuk duan që kjo forcë politike të rrëshqasë në duar filoruse.

Evtov, thekson se ka një variant, ku mund të sigurohet një drejtim qeverie me rrotacion 2+2 ndërmjet BDI-së dhe VRMO-DPMNE-së, i cili më pas mund të vijohet edhe për kreun e shtetit.

Sipas gazetarit maqedonas, për Mickovskin, aleanca me Ali Ahmetit do të ishte jetike për të, ndërkohë që edhe SHBA e BE, janë të interesuara që të shohin që partia nacionaliste maqedonase të shkëputet përfundimisht nga influenca filoruse e grupit të Nikolla Gruevskit.

VRMO-DPMNE ka 44 deputetë në Parlamentin e ri dhe ka nisur menjëherë bisedimet për të siguruar një aleancë mazhoritare. Me 15 votat e Ali Ahmetit, kjo aleancë shkon në 59 deputetë, plus 2 të partisë maqedonase “E Majta” që është kundër Zaev, bëhen 61, pra sa është mazhoranca për të formuar qeverinë. Nëse ndodh ky variant, atëherë do të duhet që të pritet procesi i dështimit të formimit të qeverisë nga Zoran Zaev, i cili ka primatin e mandatarit, pasiqë koalicioni i tij ka 46 deputetë, pra 2 më shumë se VRMO.

Politikisht koalicioni mes së djathtës nacionaliste dhe BDI-së, nuk se përbën risi, pasi këta parti kanë qeverisur që nga viti 2008 deri në vitin 2016. Por thelbi është çështja e Marrëveshjes së Prespës, apo paktit Zaev-Tsipras që solli ndryshimin e emrit të vendit në Maqedonia e Veriut. VRMO-DPMNE nuk ka qenë pro madje në referendumin popullor, ajo shprehu qëndrimin kundër dhe arriti ta fitojë atë. Kurse BDI e cilëson Prespen si një “vijë të kuqe”.