Alfred Mullaraj:PS synon të marrë 8 deputetë në Durrës në zgjedhjet e 23 Qershorit

682
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, kreu i PS-së në Durrës, Alfred Mullaraj: Ja strategjia jonë për të mbrojtur votën

Në një intervistë për “Telegraf”, kreu i Partisë Socialiste të Durrës, Alfred Mullaraj bënë të ditur se, në qytetin bregdetar janë ndezur motorët e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare që në muajin shtator për t’u finalizuar me fitore më 23 Qershor. Një synim ky i bazuar edhe tek suksesin që pati PS në zgjedhjet e vitit 2011 për pushtetin lokal. Ku sipas Mullarajit, qëllimi kryesor është që dyfishohet diferenca me 3600 vota që morën për Kryebashkiakun Vangjush Dako dhe si pasojë e kësaj diference numri i deputetëve në Qarkun e Durrësit që do marrë koalicioni i majtë do të jetë tetë deputetë.

Zoti  Mullaraj a e ka filluar fushatën politike për zgjedhjet e qershorit nga PS-ja e Durrësit?

Ne në Durrës i kemi ndezur motorët e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare që në muajin shtator. Ndërkohë themi që, organizimi ynë është mjaft efektiv. Në qytetin e Durrësit, PS funksionon në bazë të koordinatorëve dhe organizatave, ku çdo lagje ka koordinatorin e saj dhe çdo qendër votimi ka organizatën e vet. Për të qenë të parapërgatitur për situatën zgjedhore ne tashmë jemi përqendruar te “krehja” e listave zgjedhore si dhe jemi angazhuar në  luftë kundër informalitetin të këtyre listave dhe këtë e kemi realizuar nëpërmjet censusit që kemi organizuar ne si forcë politike, ku çdo anëtar i organizatës ka shkuar derë më derë për verifikimin e listës së qendrave të votimit. Në vijimësi të punës parapërgatitore kemi programuar që të zhvillojmë shumë takime dhe tryeza me grupet e interesit për sektorë të veçantë si ekonomia, shëndetësia dhe arsimi. Në të njëjtën kohë do të punohet me grupet e punës për të zbërthyer programin në bazën socialiste dhe në popull.

 Në zgjedhjet e kaluara PS në Durrës fitoi 5 deputetë, si e parashikoni qershorin?

Partia Socialiste korri një fitore spektakolare në qytetin e Durrësit në zgjedhjet e vitit 2011 për pushtetin lokal. Qëllimi ynë kryesor është që në qytet të dyfishojmë diferencën me 3600 vota që morëm për Kryebashkiakun Vangjush Dako dhe unë kam besim të plotë që në do ta arrijmë këtë objektiv dhe si pasojë e kësaj diference numri i deputetëve në Qarkun e Durrësit që do marrë koalicioni i majtë është 8 deputetë.

 Ju jeni dhe anëtar i Këshillit Bashkiak. Si ka funksionuar sipas jush ky Këshill?

 Po. Unë jam edhe anëtar i Këshillit Bashkiak si përfaqësues i opozitës, por me keqardhje konstatoj se maxhoranca e djathtë në këtë këshill ka tentuar në mënyrë të vazhdueshme të bllokojë dhe të pengojë punën e Kryebashkiakut Dako. Ata nuk kanë pyetur asnjëherë për interesat e qytetarëve të Durrësit, por i janë bindur vetëm interesave politike të PD-së dhe të Saliut.

 Cila mendoni se është arsyeja e bllokimit që pretendoni ju?

Arsyeja është se Sali Berisha nuk mund t’ja falë Vangjush Dakos humbjen e thellë që ka pësuar kandidati i Saliut në Durrës. Ndaj ky kryeministër kërkon ta ndëshkojë sa më shumë Bashkinë e Durrësit. Rasti më i fundit është ai që ka bërë Qeveria e Saliut duke i marrë bashkisë 1 miliard e 117 milionë lekë në mënyrë krejt antiligjore për borxhet e Ujësjellësit kur dihet që Ujësjellësi i Durrësit nuk varet nga bashkia, ndaj kjo që ka bërë Qeveria e Saliut me këto fonde është thjesht dhe vetëm një ndëshkim për arsye politike ndaj një bashkie që drejtohet nga socialistët, por që në të vërtetë nuk ndëshkon vetëm administratën, por ndëshkon gjithë qytetin.

Si e komentoni situatën ekonomike në qytetin e Durrësit?

Çdo shqiptar e ndjen se jo vetëm Durrësi, por i gjithë vendi ndodhet në varfëri ekstreme, numri i atyre që marrin ushqim me listë po shtohet, njerëzit janë të pakënaqur, çdokush nga ne ka më pak para në xhep, papunësia po shtohet dita ditës, biznesi i madh është në ngërç, biznesi i vogël i asfiksuar etj., etj., dhe gjithçka është shkaktuar nga keq Qeverisja e Saliut dhe qeverisë së tij. Të gjithë shqiptarët besojnë se kjo qeveri po shkon drejt fundit të saj, sepse kjo maxhorancë qeverisëse që ka shkatërruar vendin nuk i duhet më këtij populli.

 Cili është koment juaj për shëndetësinë dhe a ka një strategji PS-ja në këtë drejtim?

Shëndetësia ashtu si çdo sektor tjetër në këtë vend është jo vetëm i mjeruar, por i rrënuar tërësisht falë korrupsionit galopant të instaluar nga vetë Qeveria dhe madje të drejtuar nga vetë Qeveria. Pas 23 Qershorit do të kemi një rilindje të sektorit të shëndetësisë, i cili është një sektor shumë i rëndësishëm dhe i prekshëm për çdo shqiptar, ku secili të marrë shërbimin që i nevojitet dhe jo sipas mundësisë që ka për të paguar nga roja deri te doktori.

Sipas deklaratave tuaja, situata parazgjedhore është mjaft e tensionuar, mendoni se PS-ja e Durrësit do të dijë të menaxhojë mbrojtjen e votës, siç ka deklaruar? A keni strategji për këtë mbrojtje?

Është e çuditshme që brezit tonë, brezit të atyre që shembën diktaturën i bie prapë barra që të ruajë votën në këtë sistem, që unë e quaj neodiktaturë. Ne në qytetin e Durrësit kemi treguar se dimë ta ruajmë votën dhe me këtë rast ju premtoj të gjithë votuesve të koalicionit të majtë se asnjë votë e tyre nuk do të shkojë dem, por do të jetë një kontribut më shumë për largimin nga pushteti të Saliut dhe regjimin e familjes në mënyrë që të vendosim në këtë vend demokracinë e vërtetë në sajë të programit tonë për një rilindje shqiptare. Për këtë arsye ne jemi të sigurt për fitoren e 23 Qershorit. Unë si kryetar i PS të qytetit të Durrësit kam bindje të plotë se pas 23 qershorit, me fitoren e PS dhe koalicionit të saj do të kemi një RILINDJE të gjithë shoqërisë shqiptare në të gjithë spektrin e saj dhe jam shumë i qartë se vizioni që ka Kryetari i Bashkisë, Vangjush Dako dhe stafi i tij me vizionin e kryeministrit Edi Rama janë në gjatësi të njëjtë vale për ta kthyer Durrësin, këtë qytet 3000- vjeçar në një qytet të vërtetë europian.