‘Akt mafioz’; reagime të ashpra pas shembjes së Teatrit Kombëtar

361
Sigal

Presidenti Ilir Meta e dënoi shembjen e Teatrit Kombëtar në orët e para të së dielës si një akt mafioz dhe krim kushtetues, ndërsa kreu i opozitës, Lulzim Basha theksoi se me këtë veprim, qeveria po i vendoste ‘kazmën” shoqërisë shqiptare.

Shembja e Teatrit Kombëtar në orët e parë të mëngjesit të së dielës ka sjellë reagime të ashpra nga kreu i shtetit, opozita dhe shoqëria civile. Duke i krahasuar pamjet me “kazmat” që shembën kishat dhe xhamitë në vitin e mbrapshtë 1967, Presidenti Ilir Meta dënoi shembjen e Teatrit Kombëtar si një akt mafioz.

“Pak orë më parë, në kulmin e errësirës, MAFIA urdhëroi shkatërrimin, jo vetëm të një prej monumenteve të trashëgimisë kulturore më të rrezikuara të Europës, por edhe të çdo iluzioni për ekzistencën e shtetit të së drejtës në Shqipëri,” deklaroi Meta në Facebook.

“Dhunimi i njëkohshëm i artistëve dhe gazetarëve është një damkë e zezë për MAFIEN në pushtet,” shtoi ai.

Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit i Bashkisë Tiranë, i mbështetur nga dhjetra forca police, shembi godinën e Teatri Kombëtar duke sjellë përplasje me aktivistët që prej 27 muajsh ishin ngujuar në mbrojtje të ndërtesës, objekt i trashëgimisë kulturore.

Gjatë operacionit u shoqëruan në polici 37 persona, mes të cilëve artistë, aktivistë dhe gazetarë.

I ashpër ka qenë ndaj qeverisë dhe ish-kryeministri Sali Berisha, që ngjashëm me Metën e ka krahasuar me fushatën kundër fesë të udhëhequr nga ish-diktatori Enver Hoxha.

“Një barbari kulturore e Edvin Kristaq Xhelatit që të kujton genocidin fetar kulturor të Enver Hoxhës të vitit 1967,” deklaroi Berisha.

Ndërkohë, kreu i opozitës Luzlim Basha e ka cilësuar si të papranueshme dhunën e ushtruar ndaj artistëve dhe gazetarëve nga policia.

“Aktivistët, artistët, opozitarët e arrestuar duhet të lirohen menjëherë! Rama është varrmihësi i paqes sociale në vend, varrmihësi i ekonomisë së shqiptarëve, hajduti i pronave publike dhe një kriminel ordiner që ka shkelur dhe uzurpuar çdo pushtet,” tha Basha.

Kritika të ashpra ndaj qeverisë pas shembjes së ndërtesës ka pasur edhe nga shoqëria civile dhe organizatat e trashëgimisë kulturore.

“Ditë e trishtë për trashëgiminë kulturore në Shqipëri dhe Europë. Ditë e trishtë për demokracinë dhe zbatimin e ligjit në Shqipëri dhe Europë,” deklaroi organizata Europa Nostra.

“Mëngjesin e sotëm, autoritetet shqiptare arrestuan aktivistë të shoqërisë civile dhe nisën shembjen e Teatrit të mbrojtur Kombëtar në Tiranë,” shtoi ajo.