Akademiku Qose: Rama do i ndryshojë fytyrën Shqipërisë, akuzat e Berishës, fantazi

444
Sigal

Ekskluzive për “Telegraf” nga Akademik Rexhep Qose: Kosova u vesh me të zeza kur vdiq Enveri, Rama qeverisje bashkëkohore, Berisha akuza si fantazitë e Zhyl Ver

Dje në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, Shtëpia Botuese “Toena” organizoi promovimin e vëllimit të parë (që do të jetë botim në 9 vëllime) të Ditarit të prof. Qosjes. Në këto 9 vëllime përfshihen shënimet e tij për një periudhë të gjatë, gati gjysmëshekullore, që prej vitit 1966 dhe deri më sot. Në tërësinë e vet ky Ditar trajton ngjarje, çështje, probleme, dukuri, procese shoqërore, politike, letrare, artistike, shkencore, filozofike e kulturore, para së gjithash në Kosovë e në Shqipëri, por edhe në ish- Jugosllavi apo në botë. Ky ditar është i mbushur plot e përplot me personazhe e emra të përveçëm, me dialogë, përshtypje, komente, reflektime, parashikime e ide. Ky Ditar do të mund të cilësohet e klasifikohet si një histori e shkruar në kohë reale e ngjarjeve më të rëndësishme që kanë ndodhur në botën shqiptare e jashtë saj, si një dëshmi e moskonformizmit të këtij personaliteti poliedrik gjatë gjithë jetës së tij të gjatë e plot kontribute, si një platformë frymëzuese për zgjidhjen e çështjes shqiptare, si një bashkëbisedim i përgjegjshëm dhe i vërtetë me vetveten, por edhe si një histori e letërsisë apo e kritikës letrare. Në këtë vëllim të parë që po prezantojmë sot (theksoi Presidentja e “Toenës” Irena Toçi), prej plot 580 fq., përshihen shumë ngjarje të rëndësishme, por midis tyre ajo çka do të veçoja janë përshkrimet që prof. Qosja i ka bërë të gjitha ditëve të zhvillimit të Kongresit të Drejtshkrimit të zhvilluara në Tiranë nga 20-25 nëntor 1972, Kongres që njësoi dhe certifikoi gjuhën letrare shqipe. Do të gjeni aty të gjithë protagonistët e kësaj ngjarjeje me rëndësi kombëtare, profesorët e nderuar, Androkli Kostallari, Eqerem Cabej, Dhimitër Shuteriqi, Jup Kastrati, Engjëll Angoni. Përshkruhen takime me shkrimtarët më të njohur të kohës, si Dritëro Agolli, Shefqet Musaraj, Ismail Kadare, Dhori Qirjazi e plot të tjerë. Këto përbëjnë vetëm disa prej qindra faqeve të këtij Ditari, që duhet ta pranojmë, është i pari Ditar i një personaliteti të kulturës, shkencës dhe politikës shqiptare që botohet i plotë, faqe për faqe dhe në përputhje me Ditarin e mbajtur me penë nga prof. Qosja në dhjetëra e dhjetëra blloqe e fletore gjatë pesëdhjetë viteve.

INTERVISTA

Pas prezantimit të librit të tij të fundit në Muzeun Kombëtar, Akademik Rexhep Qose dha për “Telegraf” intervistën e mëposhtme…

Ju në këtë vëllim të parë (që do të jetë botim në 9 vëllime) të Ditarit (1966-1970), rrokët se këto pjesë i keni ruajtur në vende të fshehta, pse?

-Si pse? Regjimi i Titos survejonte çdo gjë. Madje, mund të them se ai regjim ishte pajisur me mjetet më të sofistikuara të survejimit për kohën. Ata kishin pajisjet më precize të zbulimit. Ata shkonin aty ku dyshonin me aparaturat dhe shikonin se çfarë kishte nëpër mure, poshtë në dysheme, apo rreth e rrotull. Rrezikohesha shumë n.q.s do të mbaja këto ditarë, të cilët ishin shuam të rrezikshme për kohën. Atëherë ju drejtova një komshiu dhe i qava hallin. Ja sqarova problemin. Ai më dëgjoi me shumë vëmendje dhe më tha. Shumë mirë bre burrë, me gjithë qejf do të kisha ndihmuar, por babai im është pushkatuar në luftimet që janë bërë në Tivar dhe  UDB do vij më parë tek unë se te ty. I thashë ke të drejtë. Mandej në të njëjtin kat, ku banoja ishte edhe një plakë  e mirë, e dashur nga Vushtria. E quanin Esma. I qava hallin dhe nënë Esmasë, duke i thënë se këto shënime po mi gjetën do mi djegin dhe do kem pasoja. Pranoi me gjithë dëshirë. Më tha mos u bë merak. Do t’i ruaj si gjënë më të shenjtë. Ata mund t’i marrin ato n.q.s do më marrin shpirtin mua. Ajo ishte prej një familje patriotike nga Vushtria.  Ajo i mori si thesar dhe i gjeti vendin. Pas atij momenti unë mbaja shënime të shkurtra, të cilat nuk i mbaja në blloqe të mëdhenj. Për shumë vite unë kam mbajtur shënime të vogla, shumë herë me laps, deri në fillimin e luftës për çlirimin e Kosovës.

Si do ta përkufizonit ditarin?

-Ditarët janë vepra që paraqesin të ashtuquajturën histori e fshehtë.  Ditarët janë shënime pa komente, janë ngjarje të shkruara siç kanë ndodhur, si ishte e vërteta, ndërsa kujtimet ndryshojnë. Kujtimet edhe i interpreton pasi, nuk mbahen mend të gjitha. Madje, shumë herë kujtimet e humbin saktësinë, ndaj quhen kujtime. Sot shikoj se në shumë shkrime dhe gazeta devijohet dhe e vërteta historike. Ndaj them se ditari përmban vlera më të vërteta, më serioze, më korrekte se kujtimet. Kujtimet ke të drejtë t’i interpretosh, ndërsa ditarin kurrsesi jo. Mund të kemi dhe një mendim subjektiv ndaj atyre ngjarjeve tek kujtimet. Në ditarin tim kam dhe portrete të shumë figurave, politike, krijuese, shkencore, letrare, artistike,  gazetar dhe publicistikë në përgjithësi. Madje,  kam bërë dhe portrete të politikanëve me të cilët kam pasur rastin të takohem. Me kërkesën e tyre në rastet më të shumta, kam bërë edhe portretet të tyre. Por shumë prej këtyre politikanëve kanë dashur të më kursejnë, të mos më shfrytëzonin apo të më konsumojnë para kohe. Njeri prej tyre që më ka kursyer më shumë dhe që më ka bërë të mundshme  ka qenë Fadil Hoxha. Unë kam bërë një portret të tij, por kam bërë portrete edhe të disa figurave politike, shtetërore të Shqipërisë. Me shumë prej tyre jam takuar, por ka pasur portrete të politikanëve edhe që nuk jam takuar.

Çfarë ndodhi në Jugosllavi ditën e vdekjes së Enver Hoxhës?

-Dua t’u them hapur, se në ditën e vdekjes së Enver Hoxhës  në Jugosllavi ka pasur reagime krejt të ndryshme. Mediat, gazetat jugosllave e kanë pritur me një gëzim të pazakontë këtë vdekje. Në atë kohë  Shqipëria, shikohej nga Jugosllavia si një ndër armiqtë më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Kjo pasi, Enver Hoxha e kishte kritikuar ashpër teorinë bitiste të “Vetëqeverisjes jugosllave” apo të “vetadministrimit”. Kemi pasur raste që kemi pasur të njohur nëpër spitale dhe kur është përhapur lajmi i vdekjes së Enver Hoxhës, krejt personeli i spitaleve ka duartrokitur prej gëzimit. Në shkollat në Kosovë  kishte nxënës shqiptarë që janë veshur me të zeza atë ditë në shenjë zie, ndërsa mësuesit, pedagogët, arsimtarët serbë  apo dhe vetë nxënësit serbë janë veshur  si në ditë feste prej gëzimit. Ngjarje të tilla duheshin të shkruheshin, duhet të shënoheshin që t’i dinë brezat e ardhshëm. Këto pjesë ditari le të jenë si një përvojë apo një pjesë e historisë së popullit shqiptar të Kosovës. Historia nuk ka marrë fund, por ajo përsëritet në mënyra të ndryshme. Unë mendoj të sjell me këtë ditar një përvojë, e cila mund t’i shërbejë sadopak historisë së Shqipërisë. Mund t’i shërbejë përvojës sonë të përgjithshme politike, shoqërore, morale, kombëtare. Vetë vepra e parë e ditarit tashmë është në duart e lexuesit. Le ta thotë vetë lexuesi nëse ka vlerë apo jo. Lexuesi le ta gjykojë nëse ka të meta apo jo. Në fund të fundit, ky ditar është pjesë e një historie të dhimbshme të popullit tonë.

Ju në fjalën tuaj përpara lexuesit shqiptar përmendët dhe figurën e Enver Hoxhës. Pra, kur vdiq Enver Hoxha, serbët u gëzuan pa masë shqiptarët u hidhëruan ende dhe më shumë. Cili është mendimi juaj personal për Enver Hoxhën?

-Të gjithë  njerëzit kanë të mirat dhe të këqijat e tyre. Edhe politikanët kanë të mirat dhe të këqijat e tyre. Pra, kanë dhe merita kanë dhe anë negative. Nuk ka kurrë njeri apo politikanë të përsosur. Enver Hoxha është një figurë historike, me merita të mëdha, por edhe me gabime. Sigurisht, në gjithë ato vite udhëheqje do të kishte dhe gabime. Ai duhet trajtuar me meritat dhe gabimet e tij dhe jo në mënyrë të njëanshme. Ai është një figurë historike që ka dominuar politikën shqiptare për 50 vjet dhe duhet parë me objektivitet.

Ju jeni “Kryetar Nderi” i shoqatës kulturore, patriotike “Labëria”, a do të merrni pjesë në Kongresin e saj të V që do të zhvillohet në datat 24-25 maj në Gjirokastër?

-Unë ndihem krenar për titullin që më ka dhënë  kjo shoqatë e nderuar. Do të dëshiroja me gjithë zemër të merrja pjesë pasi ja lajmëruar kohë më parë. Besoj se, po të jem mirë me shëndet do të marrë pjesë patjetër. Kjo shoqatë ka bërë veprimtari  kulturore patriotike shumë të mira. Jam në korrent të të gjitha aktiviteteve të saj dhe unë e kam shprehur qëndrimin tim për këtë shoqatë, por edhe për krahinën e Labërisë si krahina më patriotike e kombit shqiptar. Kjo krahinë, gjithmonë, ka dalë në krye të luftërave për liri sa herë ka qenë në diskutim Pavarësia e Shqipërisë. Për këtë them që dua të vij, por e nesërmja nuk varet prej nesh, varet nga i madhi Zot.

Ju jeni një ndjekës i vëmendshëm i zhvillimeve politike në Shqipëri. Cili është mendimi juaj për qeverisjen të deritanishme të kabinetit “Rama”?

-Qeveria “Rama” po sjell  shumë të reja në jetën politike, shoqërore dhe atë shtetërore të Shqipërisë. Ai po drejton me një frymë të re, me ide të reja dhe me një mënyrë krejt tjetër. Uroj që këtë punë ta vazhdojë ashtu siç e ka filluar. Mund të them se, me këtë qeverisje ai do ta ndryshojë fytyrën e Shqipërisë. Është një udhëheqës me vizion krejt tjetër.

Po për akuzat që Sali Berisha i bën Ministrisë së Mbrojtjes për kontrabandë me avionë të lëndëve narkotike?

-Më duken pohime fantastiko- imagjinare. Më duken si romanet e Zhyl Vernit. Në ‘to nuk ka asgjë të besueshme. Më vjen për të qeshur.